Drejtori i “Magjistraturës”, Arben Rakipi, në konflikt interesi. Shkel “Reformën në Drejtësi”

Nga Boldnews.al

Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, një prej Ekspertëve të Lartë të Reformës në Drejtësi, ka vendosur të sfidojë hapur paketën kushtetuese e ligjore të miratuar duke filluar nga Korriku 2016 e në vijim.

Ai është në kushtet flagrante të konfliktit të interesave, pasi paralelisht me funksionin zyrtar, vijon të ushtrojë edhe profesionin e Avokatit.

Rakipi u emërua zyrtarisht Drejtor i Magjistraturës në 28 Korrik 2020, duke plotësuar vendin vakant të krijuar nga largimi i Sokol Sadushit në Gjykatën e Lartë.

Në foto: Në dt. 5 Gusht 2020, Shkolla e Magjistraturës njoftoi emërimin e Arben Rakipit në postin e Drejtorit, me një vendim të Bordit, të datës 28 Korrik 2020
Në foto: Në dt. 5 Gusht 2020, Shkolla e Magjistraturës njoftoi emërimin e Arben Rakipit në postin e Drejtorit, me një vendim të Bordit, të datës 28 Korrik 2020

Njëkohësisht, Rakipi ka aktive licensën dhe ushtron funksionin e Avokatit, në kundërshtim me parashikimet ligjore, që ia ndalojnë dy-punësimin.

Shkelja ligjore

Në fund të Korrikut 2020, Bordi i Shkollës së Magjistraturës zgjodhi drejtor Arben Rakipin, ish-Prokuror i Përgjithshëm dhe prej kohësh pedagog i brendshëm në atë institucion.

Me paketën e re ligjore të Reformës në Drejtësi, Shkolla e Magjistraturës është përfshirë në listën e institucioneve që konsiderohej pjesë e qeverisjes së gjyqësorit.

Krahas të drejtave dhe privilegjeve, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës ka edhe disa ndalime specifike, të ngjashme me ato të zyrtarëve të drejtësisë, si edhe gjyqtarët e prokurorët.

Në nenin 150 të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, parashikohet ndër të tjera se;

Gjatë kohës së qëndrimit në funksion, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës gëzon pagën dhe përfitimet e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Funksioni i Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës është i papajtueshëm me çdo funksion tjetër publik, anëtarësimin në partitë politike apo pjesëmarrjen në veprimtaritë e tyre, ose kryerjen e çdo veprimtarie tjetër fitimprurëse, me përjashtim të mësimdhënies dhe veprimtarive me natyrë shkencore”.

Në foto: Ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në nenin 150 të tij, ndalon përfshirjen e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës në aktivitete fitimprurëse

Ky parashikim eksplicit ligjor nuk rezulton të jetë zbatuar nga Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi.

“Boldnews.al” verifikoi të dhënat zyrtare në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).

Ai ka qenë i regjistruar edhe si person fizik “Avokat” nën emrin e tij, Arben Rakipi, të cilën e ka ç’regjistruar në 9 Shtator 2020, mesa duket një veprim për të shmangur konfliktin e interesave, por që është i paplotë

Nga hulumtimi rezultoi se Arben Rakipi është aksioner i shumicës (55 përqind të aksioneve) në studion ligjore “Rakipi & Partners”.

Në foto: Ekstrakti i shoqërisë “Rakipi & Partners”, në të cilën drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, zotëron 55 përqind të aksioneve

Pikërisht, pjesëmarrja aktive në këtë shoqëri e shndërron Drejtorin e Shkollës së Magjistraturës në subjekt të shkeljes së ligjit.

LEXO EDHE  Aksident fatal në Korçë, 1 i vdekur

Ligji nr. 9367, dt. 07.04.2005, i ndryshuar “Për parandalimin e konfliktit të interesave”, në nenin 38 të tij parashikon se zyrtarët që gjenden në kushtet e konfiktit të interesave të vazhdueshëm (siç është rasti i Arben Rakipit), ….të ndërpresë, brenda 30 ditëve, ushtrimin e veprimtarive të ndaluara, …. dhe brenda këtij afati, por sa më parë, t’u kërkojë organeve kompetente çregjistrimin sipas ligjit të këtyre veprimtarive…”.

Në foto: Ligji për Konfliktin e Interesave, neni 38, parashikon detyrimin e zyrtarit për të zbatuar detyrimet ligjore brenda 30 ditëve

Referuar të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, rezulton se, në përfundim të afatit 30 ditor nga emërimi si Drejtor i Shkollës së Magjistraturës (afati përfundonte në fund të Gushtit 2020), Arben Rakipi nuk ka marrë asnjë masë për të hequr dorë nga aktiviteti fitimprurës i “Rakipi & Partnerës”.

Në raste të tilla, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, (ILDKPKI), i cili është institucioni përgjegjës për zbatimin e ligjit për parandalimin e konfliktit të interesave, mund të aplikojë gjobën nga 100 mijë deri në 300 mijë lekë të reja.

Gjithashtu, ligji parashikon se, nëse zyrtari nuk e zgjidh vetë konfliktin e vazhdueshëm të interesave, atëherë ndërhyn organi i emërtesës, që në rastin e Rakipit është Bordi i Shkollës së Magjistraturës, për ta lëvizur atë nga ai post pune.

Pasojat abuzive të “konfliktit të interesit”

Dy-punësimi i Arben Rakipit nuk është thjesht dhe vetëm çështje e shkeljes së ligjit. Kjo situatë krijon premisa të shumta për abuzimin nga Rakipi me postin e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës për llogari të biznesit të tij.

Arben Rakipi, në cilësinë e titullarit të Shkollës së Magjistraturës, është personi përgjegjës për programin dhe vlerësimin e Formimit të Vazhdueshëm të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.

Zyrtarët e sistemit të drejtësisë janë të detyruar të ndjekin programet periodike të Shkollës së Magjistraturës dhe vlerësimi mbi pjesëmarrjen dhe aktivizimin e tyre në trajnime u shërben për rritjen apo penalizimin në karrierën e tyre.

Pra, duket qartë se drejtori i Shkollës së Magjistraturës ka një rol jo të vogël në të ardhmen e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në këto kushte, nuk duket aspak e pamundur që Arben Rakipi të ushtrojë presion apo të “joshë” gjyqtarë e prokurorë që trajtojnë çështjet e klientëve të studios së tij ligjore, për t’u dhënë zgjidhjen sipas interesave të tij.