Bilancet e bankave nuk tregojnë ende krizë/ Ja si paraqiten

Sistemi është në rritje dhe fitimprurës për 6-mujorin e parë. Bankat kanë investuar sidomos në letrat me vlerë të qeverisë, por edhe huaja ka vazhduar rritjen.

Bankierët pohojnë se pasojat e krizës në treguesin e kredive me probleme do fillojnë të ndihen në fund të 2020-s dhe përgjatë vitit 2021

Pandemia e COVID-19 ende nuk ka dhënë efekte shumë të prekshme në bilancet e sektorit bankar shqiptar. Për gjysmën e parë të vitit, pjesa më e madhe e bankave raportuan rezultate financiare me fitim, ndërsa totali i aktiveve të sektorit vijoi të rritej.

Megjithatë, që në tremujorin e dytë, një pjesë e bankave kanë rritur fondet rezervë për humbjet nga kreditë. Pavarësisht moratoriumit të pagesave të kredive dhe ngrirjes së përkohshme të kërkesave të Bankës së Shqipërisë për riklasifikim dhe provigjionim të kredive, në raportimin sipas Standardeve Ndërkombëtare IFRS) bankat kanë shtuar provigjionet dhe kjo ka sjellë që një pjesë e tyre të raportojnë humbje për tremujorin e dytë.

Kjo dëshmon se sistemi ka nisur të marrë një qasje më konservatore, duke u përpjekur të reflektojë gradualisht në bilance ato që mund të jenë efektet e mundshme të krizës ekonomike, të shkaktuar nga pandemia. Ndërkohë, madhësia e sistemit bankar dhe portofoli i huasë janë rritur në vlerë absolute, por edhe më shumë në terma realë, falë një tendence të kundërt në raport me ecurinë e prodhimit kombëtar.

Mbështetur në të dhënat e Shoqatës së Bankave, sipas IFRS, aktivet e sektorit bankar arritën në 97.6% të PBB-së së pritshme të këtij viti (kjo e fundit sipas projeksionit të fundit të qeverisë, që parashikon rënie ekonomike 4.3%), ndërsa një vit më parë, vlerësoheshin në rreth 85% të PBB-së. Portofoli i kredisë ka arritur në 35.7% të PBB-së, nga rreth 31.8% një vit më parë.

Credins Bank dhe Union Bank, me rritjen më të lartë

Në mesin e këtij viti, totali i aseteve të sektorit bankar, sipas IFRS, arriti vlerën e 1.54 trilionë lekëve, në rritje vjetore me 7.5%. Megjithëse mjedisi i biznesit për bankat në gjysmën e parë të këtij viti ka qenë mjaft sfidues, në 6-mujorin e parë të vitit, totali i aktiveve të bankave është zgjeruar me rreth 50 miliardë lekë. BKT mbetet me distancë banka më e madhe e sistemit, me 26.8% të totalit të aktiveve. Pjesa e tregut të BKT është rritur më tej me 0.3 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

Credins Bank ka konsoliduar më shumë pozicionin si banka e dytë më e madhe, me 15.4% të aktiveve. Credins është njëkohësisht banka me rritjen më të lartë të pjesës së tregut në 12 muajt e fundit, me 1 pikë përqindje. Vijojnë Raiffeisen Bank me 14.7% dhe Intesa Sanpaolo me 12%, por të dyja me rënie të pjesës së tregut krahasuar me një vit më parë.

Rritje domethënëse në pjesën e tregut ka regjistruar Union Bank, që tashmë zotëron 4.5% të aktiveve totale. Rritja e Union Bank gërsheton rritjen organike të biznesit, me përthithjen e Bankës Ndërkombëtare Tregtare, të blerë vitin e kaluar. Mes bankave të tjera, në rritje janë edhe ABI Bank, OTP Bank, Tirana Bank dhe Fibank, ndërsa në rënie paraqitet Alpha Bank.

Përgjithësisht, ecuria e pjesës së tregut të bankave është në përputhje me tendencat që kanë nisur të përvijohen në periudhën e krizës. Bankat lokale dhe ato jashtë grupeve të mëdha bankare kanë fituar terren dhe janë faktorizuar gjithnjë e më shumë, si nëpërmjet rritjes organike, ashtu edhe përthithjes së bankave të tjera.

Nga ana tjetër, bankat që u takojnë grupeve bankare të Eurozonës po vijojnë një tendencë konsolidimi dhe uljes së pjesës së tyre të tregut, të ndikuara nga strategjitë konservatore të imponuara nga bankat mëmë, si edhe nga kërkesat më të larta për kapital në mbulim të aktiveve jashtë Eurozonës.

Tirana Bank, më agresivja në kredidhënie

Mbështetur në të dhënat e Shoqatës së Bankave, në fund të qershorit portofoli kishte vlerën e 564.6 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 5.2%. Vetëm për 6 muajt e parë të vitit, portofoli i huasë është zgjeruar me rreth 13 miliardë lekë. Në momentin e shpërthimit të pandemisë, në muajin mars, huadhënia e re pothuajse u pezullua dhe bankat u fokusuan kryesisht në procesin e shtyrjes së kësteve. Shtyrja e kësteve ndikoi njëkohësisht në ngadalësimin e amortizimit të portofolit ekzistues të kredisë.

Megjithatë, pas muajit maj, huadhënia iu kthye rritjes, edhe falë skemave të garancisë sovrane të vendosura në dispozicion nga qeveria shqiptare. Rritja më e ngadaltë në raport me investimet në letra me vlerë ka bërë që pesha e kredisë në bilanc të bjerë në 36.6% të totalit, nga 37.4% që kishte qenë një vit më parë.

Credins Bank ka rritur më tej pjesën e saj në portofolin e huasë të sistemit bankar dhe kryeson me 19% të totalit, për një vlerë totale prej 107 miliardë lekësh. Megjithëse me pjesë tregu në rënie, Raiffeisen Bank ka marrë vendin e dytë në tregun e kredisë, me 16.3% të totalit. Raiffeisen ka ruajtur një portofol kredie në vlera të ngjashme krahasuar me një vit më parë, rreth 92 miliardë lekë, por ka ngjitur një pozicion, falë rënies së BKT-së. Banka më e madhe në vend i ka përqendruar më shumë investimet në letra me vlerë, duke humbur terren në tregun e kredisë, ku tashmë zotëron 15.9% të totalit.

Në harkun e 12 muajve të fundit, banka që është treguar më agresive në kredidhënie është Tirana Bank, e cila e ka rritur pjesën e saj të tregut në 6.6%, nga 4.8% një vit më parë. Tirana Bank i është rikthyer kreditimit pas një epoke disavjeçare në rënie dhe po shfaq gatishmëri në rritje për të marrë përsipër rrezik, sidomos në tregun e kredisë korporative. Ishte pikërisht ky segment që e kishte goditur rëndë bankën gjatë krizës, nën ombrellën e Grupit të Pireut.

Megjithatë, grupi Balfin duket se ka vendosur të shfrytëzojë rezervat e likuiditeteve që mbaheshin në vendosje, duke rritur huadhënien e duke marrë përsipër edhe ekspozime të mëdha, një çështje ku pjesa më e madhe e bankave ende ngelen të kujdesshme. Për të orientuar fokusin në këtë segment, Tirana Bank rekrutoi ish-shefen e kredisë korporative të Societe Generale (OTP Bank), e cila kishte qenë një nga bankat më aktive në tregun e kredisë korporative në vitet e fundit.

Të tjera banka që kanë arritur rritje domethënëse të pjesës së tregut të kredisë janë Union Bank, ABI Bank, OTP Bank dhe Fibank. Këto të dhëna konfirmojnë një lloj hendeku që u bë karakteristik pas shpërthimit të krizës. Disa prej bankave po shfaqen më të kujdesshme, duke menaxhuar kryesisht portofolat ekzistues dhe duke i orientuar investimet tek instrumentet me rrezik të ulët.

Kjo tendencë është mbizotëruese sidomos për bankat më të mëdha, që falë pjesës së lartë të tregut arrijnë të sigurojnë fitime të kënaqshme pa u ekspozuar shumë ndaj rreziqeve të reja. Paralelisht, një grup bankash po e shfrytëzojnë këtë periudhë për t’u rritur më shumë nëpërmjet huadhënies. Këtu hyjnë sidomos disa prej bankave të përmasave të mesme, që kriza i gjeti relativisht të shëndetshme. Shembuj tipikë kanë qenë ish-banka Societe Generale, sot OTP Bank Albania, por edhe banka të tjera, si Union Bank apo Fibank.

Risia e këtij viti është se, më në fund, edhe ABI Bank po shfaqet aktive në kredidhënie. Deri në fundin e vitit të kaluar, banka e NCH Capital e kishte mbështetur strategjinë e saj kryesisht te blerjet dhe tek investimet në letra me vlerë. Këtë vit, ABI Bank e ka rritur disi portofolin e kredisë, që në pjesën më të madhe e pati siguruar nga blerja e NBG Bank, duke arritur në 5% të tregut, nga 4.2% që mbante një vit më parë.

OTP dhe Fibank kanë kthimet më të larta

Për 6-mujorin 2020, rezultati agregat i 12 bankave të sistemit ishte pozitiv, në vlerën e 7.57 miliardë lekëve. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, fitimi neto ka pësuar rënie me 18.6%; por megjithatë fitimi i bankave për periudhën është 15% më i lartë se mesatarja e periudhës në 10 vitet e fundit.
Dhjetë prej bankave raportuan fitime, ndërsa vetëm dy e mbyllën 6-mujorin me humbje. Kthimi mesatar nga kapitali për të 12 bankat, përshtatur me bazë vjetore, ishte 18.53%.

Në terma të kthimit nga kapitali, banka më fitimprurëse deri tani këtë vit është OTP Albania, me 25.73%, e ndjekur nga Banka e Parë e Investimeve (Fibank) me 16.77%, Banka Kombëtare Tregtare me 14.41% dhe Banka Amerikane e Investimeve me 10.48%. Bankat e tjera raportuan kthim nga kapitali në vlera njëshifrore, ndërsa deri tani, vetëm ProCredit Bank dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) kanë një rezultat financiar me humbje.

Megjithëse tabloja e rezultatit progresiv vjetor është përgjithësisht pozitive, për tremujorin e dytë, pesë prej bankave raportuan një rezultat me humbje, çka mund të jetë një prelud i keqësimit gradual të performancës financiare të sistemit në gjysmën e dytë të vitit. Kriza besohet se do të prekë ndjeshëm aftësinë paguese të huamarrësve dhe kjo gradualisht pritet të reflektohet në nivele më të larta të huave me probleme dhe rritje të shpenzimeve për provigjione.

Depozitat me rritje vjetore 7.5%

Shoqata Shqiptare e Bankave raporton se, në fund të qershorit, totali i depozitave të sistemit arriti në 1.275 trilionë lekë, me një rritje vjetore prej 7.5%. Me gjithë kontraktimin e aktivitetit ekonomik për tre tremujorë radhazi, shqiptarët kanë rritur kursimet e tyre në banka, me pothuajse 90 miliardë lekë në harkun e një viti.

Depozitat ngelen burimi kryesor ku mbështetet ndërmjetësimi financiar i bankave shqiptare. Aftësia për të përthithur më shumë depozita, në shumicën e rasteve, përcakton tendencën e rritjes së përmasave të bankave dhe të pjesës së tyre të tregut.

Bankat me rritjen më të lartë të aktiveve, Credins Bank dhe Union Bank, janë njëkohësisht ato që kanë regjistruar edhe rritjen më të lartë në tregun e depozitave për periudhën qershor 2019-qershor 2020. Credins Bank e ka rritur pjesën e tregut të depozitave me 1.3 pikë përqindje, ndërsa Union Bank me 0.8 pikë përqindje.
Bankat që kanë pësuar rënie në pjesën e tregut të depozitave janë kryesisht Raiffeisen, Intesa Sanpaolo dhe Alpha Bank, të tria në intervalin 0.5-0.6 pikë përqindje. /Marre me shkurtime nga Monitor/

LEXO EDHE  Inceneratorët/ Basha: SPAK të veprojë, mafia e plehrave ka nisur presionet