KPK konfirmon në detyrë me shumicë votash Petrit Çomon

KPK ka konfirmuar në detyrë zv.kryetarin e Gjykatës së Tiranës, Petrit Çomo. Vendimi u dha sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa u mor me shumicë votash.

Referuar hetimit administrativ për tre kriteret e vetting-ut, Çomo kishte mospërputhje në deklaratën e pasurisë të vitit 2003 dhe atë të vitit 2012 në lidhje me mënyrën si ishte bërë pronar i një apartamenti në Tiranë. Apartamenti ishte një pallat të ndërtuar në truallin e një godine 2-katëshe, ku familja e gjyqtarit ishte strehuar nga shteti pas vitit 1990.

Mospërputhje dhe mungesë të ardhurash të ligjshme, u pretenduan nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit edhe për automjetin në pronësi të tij, i blerë nga shitja e një tjetër mjeti. Ndërsa një pretendim i ngritur nga Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar për një kontakt të papërshtatshëm të gjyqtarit, u konsiderua si i pa provuar nga gjyqtarët e KPK.

Problemet e konstatuara nga komisioni u kundërshtuan nga Çomo, i cili është pasardhës i Liri Belishovës, ish-anëtare e Byrosë Politike gjatë regjimit monist dhe Maqo Çomos, ish-ministër i Bujqësisë. Çomo tha se çdo e ardhur e tij ishte nga burime të ligjshme. Ai përmendi faktin se babai i tij ishte dëmshpërblyer si i bùrgosur politik, por se vlerën e kishte depozituar me vonë në bankë, për shkak të rrethanave të kohës.

Po ashtu, ai tha se e ëma ka siguruar të ardhura nga shitja e pronave të trashëguara nga familja e saj. “Prindërit e mi kanë pasur të ardhura nga viti 1944, që nuk janë përfshirë në analizën tuaj për deklarimet e vitit 2003”, tha Çomo, i cili vuri në dukje edhe medaljen e mirënjohjes marrë nga ish-presidenti Alfred Moisiu.

LEXO EDHE  Hashim Thaçi: Të mos publikohen dosjet e Speciales

“Dua të vë në dukje që jam i vetmi gjyqtar nga presidenti Moisiu me medaljen e mirënjohjes për punën time. Nëna ime Liri Belishova nuk ka qenë subjekt deklarimi pasurie. Kam të ardhura, mes tyre edhe dëmshpërblimet si i bùrgosur politik. Për dosjen e babait tim iu rimbursuan 2 milionë lekë letra me vlerë në atë kohë”.

“Sa i përket pasurive të nënës sime Liri Belishova, ajo i ka administruar vetë të ardhurat. Kur u përpilua deklarata vetting 2017, nëna ime ishte e sëmurë dhe unë përpilova deklaratën me sa mbajë mend unë, mbi shitjen e pronave, kthimin e kompensim të tyre. Ajo trashëgoi gjithashtu prona nga i vëllai, paratë i ka depozituar përherë në bankë dhe nuk di të ketë patur probleme. Prindërit e mi kanë patur të ardhura që prej 1944 , ata kanë punuar dhe në analizën e vitit 2003 ju nuk i keni përfshirë. Analiza financiare juaja është e pasaktë”, tha ai më tej.