ONM: “Opinionet e Teos kundër SPAK, personale”. Njëlloj si Erion Braçe në Gjykatën e Durrësit

Nga Boldnews.al

Vëzhguesi ndërkombëtar, Teo Jacobs, ishte i mandatuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të marrë pjesë në seancën dëgjimore të Vetingut për gjyqtarin e Shkodrës, Selim Kryeziu, në fund të Korrikut 2020.

Ai u paraqit në seancë me atributet që i njeh Kushtetuta e Shqipërisë vëzhguesve të procesit të rivlerësimit.

E, megjithatë, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i konsideron “personale” sulmet e tij, të kryera në atë seancë publike, ndaj hetimeve dhe dy prokurorëve të Prokurorisë Speciale-SPAK.

Në atë seancë, Jacobs deklaroi se “…hetimi i SPAK për një rast të dyshuar abuzimi nga Selim Kryeziun është i dobët…” dhe se “në SPAK ka prokurorë që nuk duhet të ishin aty…”.

“Boldnews.al” pyeti ONM-në mbi komentet e papërshtatshme të vëzhguesit Teo Jacobs.

Zyra e Genoveva Ruiz Calavera, në një prononcim për “Boldnews.al” deklaron se:

“…Është në kompetencën e vëzhguesve ndërkombëtarë të pyesin lidhur me çështje që lidhen me seancat dëgjimore, me pëlqimin e subjekteve të rivlerësimit”, thuhet në qëndrimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Në vijim, zyra e drejtuar nga Genoveva Ruiz Calavera thekson se: “.Pyetjet dhe mendimet e formuluara nga Vëzhguesit Ndërkombëtarë gjatë seancave dëgjimore publike janë të kufizuara në çështjen në fjalë dhe mund të mos i atribuohen ONM-së dhe as nuk duhet të vlerësohen si qëndrime zyrtaretë ONM-së”, citohet deklarata e strukturës ndërkombëtare që monitoron procesin e Vetingut në Shqipëri.

Në foto: Përgjigja e ONM për “Boldnews.al”
Në foto: Përgjigja e ONM për “Boldnews.al”

Në mënyrë diplomatike, ONM duket se u distancua nga deklaratat aspak të përshtatshme të funksionarit të saj në Tiranë, Teo Jacobs.

Por, nuk është plotësisht kështu- Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit iu shmang përgjigjeve për një seri pyetjesh, që i drejtoi “Boldnews.al”, të cilat nuk përbëjnë aspak sekret dhe janë çështje “rutinore” administrative.

“Heshtja” e ONM

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) u përfshi, si një lloj “artifice” në Kushtetutën e Shqipërisë.

Nëpërmjet këtij veprimi, ligjvënësit shqiptarë shprehën vullnetin për realizimin me sukses të Reformës në Drejtësi dhe, sidomos, të procesit të Vetingut.

Nga ana e saj, ONM-ja do të kontribuonte në forcimin e shtetit ligjor dhe, sidomos në rritjen e llogaridhënien dhe transparencën e institucioneve të reja të drejtësisë.

Por, në përballjen e parë me kërkesën për transparencës, zyra në Bruksel e drejtuar nga znj. Cavalera, dështoi të tregohej e hapur me publikun dhe median në Shqipëri.

Zyra e Calaverës preferoi t’i shmangej përgjigjeve mbi disa pyetje, që lidhen drejtëpërdrejtë me organizimin dhe mënyrën e funksionimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Në foto: Pyetjet (pa përgjigje) të redaksisë “Boldnews.al”, drejtuar Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit

“Boldnews.al” e pyeti ONM-në mbi cilën bazë ligjore legjitimohet vëzhguesi ndërkombëtar të japë konsiderata për hetimet penale të organit të Prokurorisë dhe vendimmarrjes së gjykatës, referuar deklaratave kundër prokurorisë speciale-SPAK, të përmendura nga z. Jacobs në seancën me gjyqtarin Kryeziu.

LEXO EDHE  Berisha: Rama nuk e merr më pushtetin, kërkon mandatin e deputetit nga frika e burgut

Po ashtu, redaksia pyeti Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit nëse ekziston ndonjë bazë ligjore apo rregullore, në të cilat një vëzhgues i saj mund të komentojë, edhe indirekt, punën e kolegëve të tjerë në ONM.

Në vijim, “Boldnews.al” pyeti zyrën e drejtuar nga Calavera në Bruksel nëse ekziston rregullore që të normojë sjelljen e vëzhguesve ndërkombëtarë, përfshirë edhe penalitete disiplinore, në rastet kur ata shkelin etikën ose dalin jashtë detyrës së tyre.

Për secilën nga këto pyetje, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit zgjodhi të qëndrojë i heshtur, duke përmendur, në mënyrë diplomatiket, vetëm faktin që janë qëndrime personale të vëzhguesit.

Ndërhyrje në pavarësinë e drejtësisë

Legjislacioni shqiptar ka parashikime specifike që ndalojnë ndërhyrjen në çështjet e drejtësisë, si edhe në komentet mbi hetime konkrete.

Gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë ngarkohen me përgjegjësi disiplinore, por edhe penale, në rastet se ata komentojnë jo vetëm çështjet e tyre, por edhe të kolegëve, ose japin opinione mbi aktivitetin e institucioneve të tjera.

Kuadri ligjor i Reformës në Drejtësi parashikon përgjegjësi ligjore për këdo që komenton hetimet në zhvillim të Prokurorisë, përfshirë zyrtarët e niveleve të larta e të tjerë funksionarë, deri tek media.

Por, vëzhguesit e ONM-së duket se qëndrojnë mbi këto parashikime ligjore shqiptare, të cilat, në fakt, janë standarte rutinore për çdo vend të zhvilluar perëndimor.

Ashtu siç qëndrojnë edhe disa zyrtarë shqiptarë, përfshirë zv.kryeministrin Erion Braçe

Teo, si Erion Braçe

Në Shtator 2019, zv.kryeministri Erion Braçe, në një akt të paprecedent në historinë shqiptare të 30 viteve të fundit, u shfaq në seancës për masë sigurie që po zhvillonte Gjykata e Durrësit ndaj Drejtuesit të Kadastrës së asaj kohe, Liridon Pula.

Prokuroria e Durrësit kishte ngritur dyshime se Pula kishte konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe gjykata caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.

Pasi Pula u ndalua nga Policia, gjykata zhvilloi seancën për komunikimin e arrestit në burg. Në seancë u shfaq zv.kryeministri Braçe, i cili lëshoi një seri akuzash ndaj gjykatës dhe prokurorisë.

Qëndrimi i tij, aspak ligjor dhe në tejkalim të çdo lloj kompetence, u kritikua ashpër nga faktorët publikë. Por, kolegët e tij qeveritarë dhe partiakë e konsideruan qëndrimin e Braçes si “personal”.

Sulmet politike të Erion Braçes dhanë efektet e tyre. Gjykata e Apelit e Durrësit vendosi lirimin e Liridon Pulës.

Ndërkohë, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, në Nëntor 2019, i sugjeroi Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që të përfshinte në listën prioritare të Vetingut, ndër të tjerë, edhe gjyqtaren e Durrësit, që vendosi masën e sigurisë për “të mbrojturin” e Erion Braçes, Liridon Pula.