Rama mesazh ambasadorëve: Jemi vend sovran, ju jemi mirënjohës, por vendimet i marrim ne

Kryeministri Edi Rama duke folur në seancën plenare tha se edhe Mit´hat Frashëri po të ishte sot, do të mbështeste hapjen e listave dhe ndryshimet Kushtetuese.

“Sot nuk kemi një Ball Kombëtar, kemi disa balla, se sot doli një ballist tjetër këtu, dhe turpëron Mit´hat Frashërin. Ai ballisti tipik nuk i duhet as dreqit, ndaj dhe platforma e Mit´hat Frashërit nuk triumfoi”, tha Rama.

Kryeministri, referuar disa deklarimeve të deputetëve të asaj që njihet si opozita parlamentare, tha se nuk arrinte të kuptonte se si ata që marrin rrogën si parlamentarë e konsiderojnë Kuvendin të paligjshëm.

“Dëgjova këtu disa deputetë dhe deputete që thonin se Parlamenti nuk është legjitim, atëherë këta që marrin rrogën këtu si deputetë si qenkan të ligjshëm?

Ne sot po përmbyllim një fazë jo të lehtë të kësaj reforme të rëndësishme, e cila deri në 5 qershor ishte formalinë, por falë këtij Parlamenti u bë reformë”, tha Rama.

Duke iu drejtuar miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë, Kryeministri tha se po i përcillte një mesazh nga foltorja e një Parlamenti sovran, një qeverie sovrane, një Kryeministri sovran dhe një vendi sovran.

“Miqtë dhe partnerët tanë duhet t´a dëgjojnë mirë se i takon shtetit shqiptar, i takon Parlamentit shqiptar, të përcaktojë sistemin zgjedhor shqiptar. I respektojmë dhe i vlerësojmë, por janë Zot në vendin e tyre. Këtë ua them edhe ambasadores amerikane, edhe ambasadorit të BE, edhe çdo ambasadori tjetër.

LEXO EDHE  Rekord rastesh të reja me Covid-19 në Greqi, dhjetë humbje jete

Ne prej 30 vjetësh kërkojmë në anglisht të zgjidhim problemet tona, por kur dëgjoj ambasadoren e SHBA që thotë se ne do t´i ndjekim me vëmendje liderët politikë nëse do e mbajnë ose jo fjalën, kjo duhet të bëjë që asnjë të mos ndjehet mirë.

Vota e sotme është një votë me dinjitet”, tha Rama.

Duke cituar Komisionin e Venecias, Kryeministri theksoi se koalicionet sikundër veprojnë në Shqipëri, nuk i gjen askund, janë një hile shqiptare.

“Ta dëgjojnë mirë këta që 5 qershorin po na e trajtojnë si të jetë 28 nëntori, se 5 qershori është një datë 4 ditë pas 1 qershorit, festës së fëmijëve.

Ta dëgjojnë mirë këta ndërkombëtarët dhe ata të tjerët që e përmendin 5 qershorin si një datë të veçantë.

I kam pyetur se ku e kanë gjetur këtë sistem zgjedhor dhe më treguan një libër. Ne na duhen bashkë Mona dhe Luli, bashkë me baba Xhiken dhe atë të Lalzit dhe i kemi bashkë të katërt, që tua tregojmë mirë shqiptarëve.

I duam bashkë, por të zgjedhim një sistem sikundër është në çdo vend europian. Jo të kemi një sistem me një varg vagonësh, ku njëri shkon tregon programin dhe tjetri shkon ha pula”, tha Rama. Sipas tij, sot ne po prekim mekanizmat e sistemit, që sqarohet mirë nga Komisioni i Venecias.