Zbardhet vendimi/ U shkarkua nga KPK, gjyqtarja Entela Shedula nuk provoi dot burimin e vilës 3 katëshe

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 4 qershor të shkarkojë nga detyra kryetaren e Gjykatës së Kavajës, Entela Shedula pasi u identifikuan mungesë burimesh financiare për ndërtimin e një vile tre katëshe dhe blerjen e një autoveture; si dhe deklarime të pasakta e të pamjaftueshme për të ardhurat dhe për pasuritë.

Në vendimin e zbardhur thuhet se Shedula nuk arriti të bindë Komisionin lidhur me të ardhurat e siguruara nga bashkëshorti në emigrim, nga aktiviteti i tij privat dhe nga tre punësime.

Entela Shedula e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996. Ajo ka punuar për një kohë të gjatë si gjyqtare në Gjykatën e Kavajës dhe prej vitit 2011, deri në shkarkimin nga detyra më 4 qershor, mbajti pozicionin e kryetares së kësaj gjykate.

Trupi gjykues që kreu rivlerësimin e Shedulas përbëhej nga Xhensila Pine kryesuese, Suela Zhegu relatore dhe Brunilda Bekteshi anëtare.

Mungesë burimesh për vilën

Për një godinë me tri kate me sipërfaqe ndërtimore 139.3 m2, në katin përdhes dhe me sipërfaqe 172.9 m2 në dy katetet e sipërme, me vlerë të deklaruar 8 milionë e 450 mijë lekë, Shedula ka pasqyruar në deklartën veting si burime krijimi një listë të gjatë të ardhurash të siguruara nga bashkëshorti si emigrant ekonomik në Itali nga viti 1991 e në vijim; nga aktiviteti privat i tij në tregtinë e veshjeve të përdorua dhe një kopshti jo publik; pesë kredi; të ardhura nga shitja e trojeve dhe e një kamionçine; si dhe të ardhura nga puna e saj si gjyqtare.

Komisioni konstaton se për ndërtimin e katit përdhes dhe të karabinasë së katit të parë gjatë periudhës 1995-1999, ka rezultuar se bashkëshorti i gjyqtares Shedula dhe familjarët e tij, kanë pasur mungesë burimesh në shumën 5 milionë e 90 mijë lekë.

Për ndërtimin e katit të parë dhe të karabinasë së katit të dytë në periudhën 2000 – 2001 ka rezultuar balancë negative në shumën 802 mijë lekë. Gjithashtu, ka rezultuar balancë negative në shumën 1.6 milionë lekë për ndërtimin e katit të dytë në vitin 2006, ku si burim janë deklaruar të ardhurat nga një kredi në vlerën 2 milionë lekë. Komisioni nuk e ka marrë në konsideratë si burim të ligjshëm kredinë, pasi Shedula e ka tërhequr të gjithë shumën 2 milionë lekë deri në gusht të 2005-ës, ndërkohë që nuk ka deklaruar gjendje cash në fund të atij viti.

Për periudhën kur ka vazhduar ndërtimi, deri në vitin 2016 ku është regjistruar banesa, janë konstatuar balanca negative edhe në vitet 2008 dhe 2012, përkatësisht në vlerat -468 mijë lekë dhe -255 mijë lekë.

Katër kredi të marra pranë fondit “Besa” në shumën totale 1.8 milionë lekë për qëllim ushtrim “aktiviteti tregtar”, nuk janë përfshirë nga Komisioni në analizën financiare për banesën 3-katëshe, edhe pse gjyqtarja Shedula i ka deklaruar si burim krijimi për këtë pasuri. Pretendimet e Shedulas se Fondi Besa nuk jepte kredi për shtëpi dhe se për këtë arsye ishin detyruar t’i merrnin për biznes, nuk e kanë qenë bindur trupin gjykues.

Komisioni konstaton se Shedula nuk ka arritur të provojë me dokumentacion të gjithë të ardhurat e bashkëshortit nga puna në emigrim, që kanë shërbyer për ndërtimin e shtëpisë në periudhën 1994-1999. Për shkak se ndërtimet në këtë periudhë janë kryer para martesës, trupi gjykues konkludon se gjyqtarja Shedula nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi për gjendjen negative dhe nuk mund t’i aplikohet masë disiplinore.

Ndërsa për vitet 2000 – 2001 dhe 2003-2016 subjekti ka qenë pjesë e familjes Shedula dhe sipas trupit gjykues ajo ka kontribuar financiarisht për vazhdimin e ndërtimit të shtëpisë që prej vitit 1999 kur është kryer celebrimi.

Komisioni nuk është bindur nga deklarimet e Shedulas se ajo ka kontribuar vetëm nga janari 2002 e në vazhdim, me pretendimin se nuk ka jetuar më parë me familjen e bashkëshortit. Sipas trupit gjykues ajo ka marrë në vitin 2000 një kredi tregëtare për të cilën ka shpjeguar në përgjigjet e pyetësorit se është marrë për ndërtimin e shtëpisë.

LEXO EDHE  I shtruar te "Shefqet Ndroqi", mjeku pneumolog humb jetën nga Covid-19/ Emri

Komisioni konkludon pamundësi financiare edhe për blerjen e një autoveture 5 mijë euro në vitin 2009, si burim krijimi i të cilës Shedula ka deklaruar kursimet familjare deri në momentin e blerjes: të ardhura të ruajtura nga viti 2008 në vlerën 600 mijë lekë dhe pjesa tjetër e fituar gjatë muajve janar dhe shkurt 2009.

Në analizën financiare për automjetin nuk janë përfshirë të gjitha të ardhurat e deklaruara nga Shedula, se janë përfituar nga punësimi i bashkëshortit në tre shoqëri, pasi nuk janë paguar detyrimet tatimore për gjithë vlerën. Në përfundim ka rezultuar balancë negative në vlerën 468 mijë lekë në vitin 2008, kur Shedula pretendon të ketë kursyer një pjesë të shumës që ka paguar për blerjen e makinës në vitin 2009.

“Komisioni arsyeton se subjekti, me prapësimet dhe provat e paraqitura, nuk provoi bindshëm të ardhurat për krijimin e pasurisë”, citohet në vendim.

Deklarime të pasakta

Trupi gjykues nuk e ka marrë në konsideratë deklarimin e gjyqtares Shedula për të ardhura të përfituara nga puna e bashkëshortit pranë tre shoqërive për periudhën 2008-2016 në vlerën totale 5 milionë e 717 mijë lekë. Komisioni konstaton se shoqëritë kanë paguar detyrimet tatimore vetëm për shumën 1.5 milion lekë.

“Nga verifikimi dhe analizimi i dokumentacionit të administruar nuk përputhen deklarimet e subjektit në lidhje me të ardhurat e përfituara nga punësimet pranë shoqërive ‘K’, ‘AKF P’ dhe ‘K’, me dokumentacionin e ardhur nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore”, citohet në vendim.

Shedula ka kërkuar që Komisioni të merrte në konsideratë të ardhurat e bashkëshortit nga pagat e kaluara në bankë dhe jo ato për të cilat janë paguar siguracione, duke pretenduar se detyrimi për mbajtjen dhe pagimin e tatimit mbi të ardhurat personale ka qenë i punëdhënësit dhe jo i punëmarrësit.

Edhe pse bashkëshorti i Shedulas ka depozituar pranë Komisionit paditë civile ndaj shoqërive punëdhënëse, trupi gjykues çmon se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë në lidhje me këto të ardhura.

Komisioni identifikon mospërputhje mes pasqyrimit të burimeve të krijimit për ndërtimin e shtëpisë në deklaratën veting dhe atyre në deklaratën periodike, pasi në të parën janë renditur si burime të ardhurat e siguruara nga bashkëshorti si emigrant dhe nga aktiviteti privat i tij; kredi; të ardhura nga shitja e pronave dhe nga puna e saj si gjyqtare – ndërsa në të dytën janë shënuar kursimet e familjes në vite, shitje e një pemishteje dhe kredi.

“Komisioni arsyeton se saktësia e deklarimeve të subjektit është e rëndësishme për të kuptuar saktësisht gjendjen reale financiare të saj dhe për të vërtetuar nëse ka pasur burime të mjaftueshme dhe të ligjshme për krijimin e pasurisë”, citohet në vendim ku shtohet se ligji jo pa qëllim ka ngarkuar subjektin me detyrimin për të kryer deklarim të saktë dhe të plotë.

KPK evidenton se Shedula ka deklaruar në vitin 2004 se shtëpia është ndërtuar në truall të përfituar me trashëgimi, ndërkohë që nga hetimi i Komisionit ka rezultuar se figuron ende në emër të shtetit.

Parashtrimet e subjektit se trualli u ishte kthyer trashëgimtarëve me vendim të Komisionit të Kompensimit të Kthimit të Pronave, KKKP të prillit 1994, nuk e kanë ndryshuar qëndrimin e Komisionit që çmon se Shedula duhej ta kishte deklaruar pasurinë sipas statusit ligjor dhe se për këtë arsye ka kryer deklarim të pasaktë.

Sipas KPK, Shedula nuk ka kryer deklarim të saktë edhe lidhur me posedimin e makinës së blerë në vitin 2009, pasi rezultonte në bashkëpronësi me një kushëri të bashkëshortit.

Në vendim thuhet se në kontratën e shitblerjes së automjetit e shkurtit 2009, si blerës rezultojnë shtetasit i dhe F. Shedula. Gjithashtu, certifikata e pronësisë dhe leja e qarkullimit janë në emër të të dy blerësve. Në dosjen e depozituar në Komision është konstatuar një kontratë dhurimi e vitit 2012, sipas së cilës, shtetasi I. Shedula i ka dhuruar bashkëshortit të gjyqtares Shedula pjesën e tij të pandarë të automjetit. /BIRN/