Parlamenti diskutoi sot mbi raportin e Qeverisë mbi procesin e integrimit në BE. Ish-ministrit të Jashtë, Ditmir Bushati, nuk iu dha fjala në seancë, dhe duket se ai ka zgjedhur rrjetet sociale të japë mesazhin e tij.
Duke komentuar raportin e qeverisë mbi ecurinë e procesit të integrimit, ish-ministri i Jashtëm thotë se Shqipëria duhet të adresojë një orë e më parë detyrat e vëna nga Bashkimi Evropian, duke përmendur këtu krijimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, përveç reformës zgjedhore.
Bushati thekson se në tri dekada, reformat nuk janë bërë për të zgjidhur shqetësimet e shqiptarëve dhe në të shumtën e rasteve këto reforma thjesht janë përkthyer dhe kopjuar pa marrë parasysh nevojat e Shqipërisë.
Mesazhi nga Ditmir Bushati
Çdo vit në Kuvend paraqitet për shqyrtim raporti i qeverisë për ecurinë e procesit të integrimit evropian ku analizohen arritjet dhe sfidat me të cilat përballet vendi.
Përgjithësisht jemi mësuar që të debatojmë mbi mënyrën sesi të tjerët na shohin. Por, ky raport është i rëndësishëm për faktin sesi e shohim ne veten, përballe kritereve që imponon ky proces dhe rrugën që duhet të ndjekim.
Sa herë që ky raport vjen në Kuvend, pavarësisht detyrave dhe funksioneve që kam ushtruar, jam përpjekur të them fjalën time duke e konsideruar analizën vjetore të ecurisë së Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, si momentin më të rëndësishëm politik të vitit.
Shqipëria është Atdheu ynë i përbashkët dhe gjithmonë kam besuar se nuk ka moment më përbashkues politik e shoqëror sesa diskutimi i njëmendtë e jo formal i sfidave reale me të cilat përballet vendi në procesin gjithnjë e më sfidues të integrimit evropian.
Për shkak të rëndësisë së këtij procesi dhe investimit tim profesional e politik, duke qenë se nuk mu dha fjala në seancë, po ndaj me ju pikëpamjet e mia, i bindur se asnjë forum apo platformë sociale nuk e zëvendëson rëndësinë dhe peshën e foltores së Kuvendit.
I.
Së pari, vendimi i Bashkimit Evropian i 24 marsit të vitit 2020 për hapjen e negociatave me Shqipërinë konfirmon në thelb vendimin e 26 Qershorit të vitit 2018. Në kulmin e krizës së paprecedentë që po kalon njerëzimi, vendimi i BE-së ka një vlerë politike të pamohueshme, pasi mban “gjallë” procesin e zgjerimit.
II.
Së dyti, Vendet Anëtare të BE-së kanë përcaktuar edhe disa kushte që duhen përmbushur para mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Për përmbushjen e kushteve, Komisioni Europian do të raportojë sërish para Vendeve Anëtare. Në të vërtetë, një pjesë e këtyre kushteve që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe funksionimin e strukturave të specializuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk janë të panjohura. Ato, ne i kemi kthyer në “detyra shtëpie” në Rezolutën që miratuam në Kuvend, më 3 Tetor 2019. Duhet t’i rikthehemi pikërisht angazhimeve që kemi ndërmarrë vitin e shkuar, e të adresojmë një orë e më parë të gjitha “detyrat e shtëpisë” që na kanë lënë Vendet Anëtare të BE-së, përmes bashkëpunimit politik dhe mirëkuptimit institucional, duke përfituar nga ekspertiza e çmuar e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
III.
Së treti, fillimit të negociatave i paraprin përgatitja nga ana e Komisionit Europian dhe miratimi nga Vendet Anëtare të BE-së të “Kuadrit Negociues”. Ky dokument përcakton parimet, thelbin dhe procedurat mbi të cilat do të zhvillohet procesi. Edhe këtu Vendet Anëtare kanë përcaktuar një katalog me disa detyra, mënyra e adresimit të të cilave nga ana e Shqipërisë duhet të reflektohet në dokumentin e “Kuadrit Negociues”. Këto detyra kërkojnë bashkëpunim politik dhe mirëkuptim institucional, ku përgjegjësia e çdo aktori është e qartë.
IV.
Së katërti, zyrtarizimi i negociatave me BE-në varet nga vetëdija dhe vullneti ynë për të përmbushur detyrat e përcaktuara nga Vendet Anëtare. Po kështu edhe cilësia dhe shpejtësia e përmbylljes së këtij procesi. Precedenti i vendosur nga BE-ja që shoqëron miratimin e “Kuadrit Negociues” dhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me përmbushjen e një liste me detyra apo kushte nuk është fundi i botës. Pranaj, le mos të bëjmë garë për numrin e detyrave dhe kushteve, sepse kushtëzimi demokratik përben thelbin e këtij procesi. Katalogun e detyrave le ta konsiderojmë si motivim për më shumë reforma të qëndrueshme. Pasi “Kuadri Negociues” do të ofrojë jo vetëm një analizë të të gjitha arritjeve tona. Por edhe një pasqyrë për rrugën përpara, ku ne të gjithë duhet të shihemi për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës.
V.
Së fundmi, nuk është në interesin tonë të analizojmë shqetësimet, paragjykimet apo precedentët e rinj që vendosën në këtë proces, në disa raste padrejtësisht e në kurriz të pritshmërive dhe ëndrrave tona për ta bërë një orë e më parë Shqipërinë vend anëtar të BE-së.
Por, analizën duhet ta nisim nga vetja. Për gjatë tre dekadave tranzicion fillimisht eksperimentuam me “terapinë shock” dhe “çekun e bardhë”, me iluzionin se reformat vetzbatoheshin duke ushqyer përtacinë. Më pas, eksperimentuam “reformat standarde”, ku shkundja nga përtacia nënkuptonte thjesht përkthim dhe kopjim pa marrë parasysh nevojat tona. Sot themi se disa reforma të rëndësishme i bëjmë në bashkautorësi me partnerët ndërkombëtar, por pa pronësi. Hendeku ynë zhvillimor me BE-në, më shumë sesa ekonomik, i ka rrënjët pikërisht tek mungesa e pronësisë së reformave që janë jetike për një shoqëri demokratike. Qytetarët e zakonshëm të këtij vendi nuk është se po presin negociatat me Bashkimin Europian në kuptimin klasik të fjalës. Pasi ata e dinë mirë që jeta e tyre nuk do të ndryshojë si me magji të nesërmen e fillimit të negociatave. Ata e dinë gjithashtu po aq mirë që nuk do të negociojmë standardin evropian. Por, ky proces do të duhet të na ndihmojë për arritjen e këtyre standardeve. Për rritjen e mirëqenies, për ndalimin e hemorragjisë demografike dhe për t’i bërë të gjitha fashat e shoqërisë protagoniste të transformimit të Shqipërisë. Ky është testi i modernitetit për shoqërinë shqiptare që shkon përtej politikës së ditës. Ndaj na duhet para së gjithash të përcaktojmë një emërues të përbashkët, sesi do të punojmë për të përmirësuar cilësinë dhe shpejtësinë e këtij procesi.
Le ta mësojmë një herë e mirë se në këtë proces qeveritë kanë barrën kryesore, por përgjegjësia është e përbashkët. Ndërsa merita është vetëm e shqiptarëve. Që nuk kanë asnjë mëdyshje sa i përket kursit të Shqipërisë.
Ndaj, le të dëshmojmë PËRGJEGJSHMËRI, LARGPAMËSI DHE PRONËSI MBI REFORMAT!