“Kërkohet ndryshimi i sistemit zgjedhor”, Kume e Gjikondi letër Yuri Kim

Ish-kreu i KQZ-së Kristaq Kume dhe Brizida Gjikondi, pjesë e shoqërisë civile, i janë drejtuar me një letër ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ku kërkojnë që angazhimi i saj për reformën zgjedhore, të mos mbetet vetëm në kuadër të rekomandimeve të ODIHR.

“Lutemi, kërkoni nga Këshilli Politik që puna për reformimin e legjislacionit zgjedhor të mos ndërpritet pas miratimit në Këshillin Politik të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor”, shkruajnë ata në letër.

Sipas tyre, ndërprerja e punës së këtij këshilli do të ketë si pasojë mos trajtimin e çështjeve që lidhen me sistemin e zgjedhjeve.

Si Kume ashtu edhe Gjikondi kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor, edhe pse nga PS dhe PD kjo çështje anashkalohet.

“Demokracia përfaqësuese është funksionale kur të zgjedhurit në Kuvendin e Shqipërisë janë rezultat i vullnetit të zgjedhësve, të cilët me votën e tyre, zgjedhin vetë ata, se kë duan t`i përfaqësojë në Kuvend ose në Këshilla Bashkiakë

Demokracia përfaqësuese është funksionale kur krijon mundësi dhe hapësira të mjaftueshme për çdo alternativë të re politike.

Duke ju referuar rezultateve të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, të kryera në përputhje me kërkesat e sistemit proporcional rajonal, me 12 njësi zgjedhore dhe me lista të mbyllura, pa vështirësi arrihet në përfundimin se, për ta bërë funksionale demokracinë përfaqësuese në vendin tonë është e nevojshme që, pjesë e reformës zgjedhore të jetë edhe trajtimi i çështjeve që lidhen me sistemin zgjedhor.

Partitë politike, në veçanti tre partitë kryesore, duket se nuk janë të interesuara për të trajtuar dhe zgjidhur këtë problem të rëndësishëm, me të cilin është përballur demokracia përfaqësuese tek ne. Pavarësisht nga deklarimit e bëra, angazhimi real i tyre mungon”, thuhet në letrën drejtuar Yuri Kim .

Letra drejtuar Yuri Kim

Ne, përfaqësues të Grupit të Qytetarëve, Nismëtarë të zhvillimit të një Referendumi të Përgjithshëm për Ndryshim e Sistemit Zgjedhor, Ju shprehim falenderimin tonë për nxitjen që i keni bërë klasës tonë politike për realizimin e reformës zgjedhore,nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës e konsensual.

Ne vlerësojmë se ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për të pasqyruar në të rekomandimet e misioneve të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR, janë kusht i domosdoshëm, plotësimi i të cilit do të bëj më mirë të mundshme plotësimin e standardeve të gjithë pranuara për proceset zgjedhore demokratike. Në të njëjtën kohë ne shprehim bindjen tonë se edhe në rastin kur partitë politike do të bien dakord për të bërë ndryshime të tilla në Kodin Zgjedhor, rezultati i zgjedhjeve nuk do të jetë produkt me efekte domethënëse në funksionim efektiv të demokracisë përfaqësuese.

LEXO EDHE  Vasili: Rama si Hitleri, kujton se do shpëtojë nga Gjinot e "opozitës së re"

Demokracia përfaqësuese është funksionale kur të zgjedhurit në Kuvendin e Shqipërisë janë rezultat i vullnetit të zgjedhësve, të cilët me votën e tyre, zgjedhin vetë ata, se kë duan t`i përfaqësojë në Kuvend ose në Këshilla Bashkiakë

Demokracia përfaqësuese është funksionale kur krijon mundësi dhe hapësira të mjaftueshme për çdo alternativë të re politike.

Duke ju referuar rezultateve të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, të kryera në përputhje me kërkesat e sistemit proporcional rajonal, me 12 njësi zgjedhore dhe me lista të mbyllura, pa vështirësi arrihet në përfundimin se, për ta bërë funksionale demokracinë përfaqësuese në vendin tonë është e nevojshme që, pjesë e reformës zgjedhore të jetë edhe trajtimi i çështjeve që lidhen me sistemin zgjedhor.

Partitë politike, në veçanti tre partitë kryesore, duket se nuk janë të interesuara për të trajtuar dhe zgjidhur këtë problem të rëndësishëm, me të cilin është përballur demokracia përfaqësuese tek ne. Pavarësisht nga deklarimit e bëra, angazhimi real i tyre mungon.

Në këto kushte, ne do të vlerësonim shumë angazhimin dhe kërkesën tuaj për Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore, që të mos ta konsiderojë të përfunduar këtë Reformë vetëm me arritjen e konsensusit dhe miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Lutemi, kërkoni nga Këshilli Politik që t`i shkojnë deri në fund procesit, në përputhje me dakordësinë e deklaruar prej tij, sipas të cilës, pjesë e kësaj Reforme është edhe trajtimi i çështjeve që lidhen me sistemin zgjedhor.

Lutemi, kërkoni nga Këshilli Politik që puna për reformimin e legjislacionit zgjedhor të mos ndërpritet pas miratimit në Këshillin Politik të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Ne jemi të bindur se ndërprerja e punës në Këshillin Politik do të ketë si pasojë të saj mos trajtimin e çështjeve që lidhen me sistemin e zgjedhjeve.

Ne jemi te bindur se sa kohe që nuk do të bëhen ndryshimet në sistemin zgjedhor, të shoqëruara edhe me ndryshimet në ligjin për Partitë Politike, vendi dhe shoqëria do të jenë përherë të ekspozuara ndaj krizave, që mund të përsëriten.

Të nderuar Ambasadorë,

Ju sigurojmë se ne, nuk do rreshtim së përpjekuri për të bërë të mundur ndryshimet ne legjislacionin tone, ndryshime që do të bëjnë të mundur funksionimin sa me efektiv të demokracisë në vendin tone.

Me respekt,

Përfaqësuesit e Grupit Nismëtar.

Kristaq Kume dhe Brizida Gjikondi