A e ka vrarë COVID-19 globalizmin?

Qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave do të ngadalësohet

Edhe para pandemisë, globalizimi ishte në telashe. Sistemi i hapur i tregtisë që ka mbizotëruar ekonominë botërore për dekada me radhë, ishte dëmtuar nga përplasja financiare dhe lufta tregtare kineze-amerikane. Tani po lëkundet sërish nga goditja e tretë në një duzinë vitesh, pasi karantinat kanë mbyllur kufijtë dhe kanë përçarë tregtinë, shkruan The Economist.

Numri i pasagjerëve në Aeroportin Heathrow ka rënë me 97% krahasuar me vjet; eksportet e makinave meksikane ranë me 90% në prill; 21% e transporteve me anije janë anuluar në maj. Teksa ekonomitë rihapen, edhe aktiviteti do të rimëkëmbet, por mos prisni një rikthim të shpejtë në një botë të shkujdesur të lëvizjes dhe tregtisë së lirë. Pandemia do të politizojë udhëtimin dhe emigracionin dhe do të krijojë nevojën e varësisë në vetvete. Ky pozicion i ri do të dobësojë rimëkëmbjen, do të cenojë ekonominë dhe do të përhapë paqëndrueshmërinë gjeopolitike.

Bota ka pasur disa epoka integrimi, por sistemi i tregtisë që u shfaq në vitet 1990 shkoi më larg se kurrë. Kina u bë fabrika e botës dhe u hapën kufijtë për njerëzit, mallrat, kapitalin dhe informacionin. Pas rënies së Lehman Brothers në vitin 2008, shumica e bankave dhe disa kompani u tërhoqën. Tregtia dhe investimet e huaja ngecën në raport me PBB-në, një proces që gazeta The Economist më vonë e quajti “slowbalization”.

Më pas, filluan luftërat tregtare të presidentit Donald Trump, të cilat ngritën shqetësime për të ardhmen e punëtorëve që bëjnë punë me dorë dhe kapitalizmin autokratik të Kinës, por edhe axhendën më të gjerë të shovinizmit dhe përçmimin për aleancat. Kur virusi filloi të përhapet në Wuhan vitin e kaluar, tarifat e importit në Amerikë, kishin arritur nivelin më të lartë që nga viti 1993, dhe Amerika ashtu si edhe Kina kishin filluar të veçonin industritë e tyre të teknologjisë.

Që nga janari, një valë e re përçarëse është përhapur në perëndim nga Azia. Mbyllja e fabrikave, dyqaneve dhe zyrave ka shkaktuar rënien e kërkesës dhe nuk ka lejuar furnizuesit të arrijnë te klientët. Dëmi nuk është universal. Furnizimet me ushqim vazhdojnë, Apple këmbëngul se mund të vazhdojë të prodhojë iPhone dhe eksportet e Kinës deri tani kanë qenë të qëndrueshme, kryesisht falë shitjes së pajisjeve mjekësore.

Por efekti i përgjithshëm është i jashtëzakonshëm. Në nivel global, tregtia e mallrave mund të tkurret me 10-30% këtë vit. Në dhjetë ditët e para të majit, eksportet nga Koreja e Jugut, një fuqi tregtare, ranë me 46%, ndoshta rënia më e madhe që kur filluan të regjistrohen shifrat në vitin 1967.

Anarkia e qeverisjes globale po del në shesh. Franca dhe Britania janë grindur mbi rregullat e karantinës, Kina po kërcënon Australinë me tarifa ndëshkuese ngaqë kjo e fundit kërkoi nisjen e një hetimi mbi origjinën e virusit dhe Shtëpia e Bardhë vazhdon të këmbëngulë në luftën tregtare. Pavarësisht se ka pasur disa raste bashkëpunimi gjatë pandemisë, siç janë huatë e Rezervës Federale për bankat qendrore, Amerika ka ngurruar të marrë rolin e liderit në botë. Kaosi dhe përçarja brenda vendit kanë dëmtuar prestigjin e saj.

Ndërkohë, fshehtësia dhe bullizmi i Kinës kanë konfirmuar idenë se ajo nuk është e gatshme dhe e përshtatshme për të marrë përsipër këtë rol. Në të gjithë botën, opinioni publik po e hedh poshtë idenë e globalizimit. Njerëzit janë shqetësuar kur kanë zbuluar papritur se shëndeti i tyre varet nga një zënkë mbi importimin e pajisjeve mbrojtëse dhe nga punëtorët emigrantë që punojnë nëpër azile dhe nxjerrin të korrurat.

Dhe ky është vetëm fillimi. Megjithëse rrjedha e informacionit kryesisht është e lirë jashtë Kinës, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe kapitalit. Marrim së pari lëvizjen e njerëzve. Administrata Trump po propozon të kufizojë edhe më tej emigracionin, duke argumentuar se vendet e punës duhet të jenë për amerikanët. Vende të tjera ka të ngjarë të ndjekin të njëjtin drejtim.

LEXO EDHE  Trump akuzon Kinën: Ka sjellë mallkimin e Covid-19

Udhëtimi është kufizuar, duke kufizuar kështu edhe mundësinë për të gjetur punë, për të inspektuar fabrika dhe për të kryer porosi. Rreth 90% e njerëzve jetojnë në vende me kufij kryesisht të mbyllur. Shumë qeveri do të hapen vetëm për vende me protokolle të ngjashme shëndetësore: një “flluskë e tillë udhëtimi” mund të përfshijë Australinë dhe Zelandën e Re dhe ndoshta Tajvanin dhe Singaporin. Industria po sinjalizon se kufizimet në udhëtime do të vazhdojnë për më gjatë. Airbus ka ulur prodhimin me një të tretën dhe Emirates, një simbol i globalizmit, nuk pret asnjë rimëkëmbje deri në vitin 2022.

Tregtia do të vuajë teksa vendet e braktisin idenë se kompanitë dhe mallrat duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, pavarësisht se nga vijnë. Qeveritë dhe bankat qendrore po u kërkojnë taksapaguesve të mbështesin firmat kombëtare përmes paketave stimuluese, duke krijuar një nxitje të madhe në favor të tyre. Dhe shtytja për të sjellë zinxhirët e furnizimit brenda vendit në emër të rezistencës, është duke u përshpejtuar.

Më 12 maj, kryeministri i Indisë, Narendra Modi, deklaroi para kombit se ka nisur një epokë e re e mbështetjes ekonomike. Stimuli COVID-19 i Japonisë përfshin subvencione për kompanitë që riatdhesojnë fabrikat; zyrtarët e Bashkimit Europian po diskutojnë mbi një “autonomi strategjike” dhe po krijojnë një fond për të blerë aksione nga kompanitë. Amerika po nxit Intel-in që të ndërtojë fabrika në vend. Tregtia dixhitale po lulëzon, por shkalla e saj është ende modeste. Shitjet jashtë vendit të Amazon, Apple, Facebook dhe Microsoft janë ekuivalente me vetëm 1.3% të eksporteve botërore.

Edhe fluksi i kapitalit po vuan, me uljen e investimeve afatgjata. Investimet e kapitalit të sipërmarrjeve kineze në Amerikë ranë në 400 milionë dollarë në tremujorin e parë të këtij viti, nën 60% të nivelit dy vjet më parë. Kompanitë shumëkombëshe këtë vit mund të shkurtojnë investimet e tyre ndërkufitare me një të tretën. Amerika ka udhëzuar fondin e pensioneve federale për të ndaluar blerjen e aksioneve kineze, dhe deri tani vendet që përfaqësojnë 59% të PBB-së botërore kanë përforcuar rregullat për investimet e huaja. Ndërsa qeveritë përpiqen të paguajnë borxhet e reja, duke taksuar firmat dhe investitorët, disa vende mund të tundohen për të kufizuar edhe më tej rrjedhën e kapitalit përtej kufijve.

Të vetëm në botë

Mos u mashtroni nga ideja se një sistem tregtie me një rrjet të paqëndrueshëm kontrollesh kombëtare do të jetë më njerëzor ose më i sigurt. Vendet më të varfra do ta kenë më të vështirë të rimëkëmben dhe në vendet e pasura, jeta do të jetë më e kushtueshme dhe më pak e lirë.

Zinxhirët e furnizimit nuk bëhen më të qëndrueshëm, duke i përqendruar brenda vendit, gjë që vetëm sa do të përqendronte rrezikun dhe do të konfiskonte ekonomitë e shkallës, por duke i diversifikuar ato. Për më tepër, një botë e ndarë do ta bëjë më të vështirë zgjidhjen e problemeve globale, përfshirë gjetjen e një vaksine dhe sigurimin e një rimëkëmbjeje ekonomike.

Fatkeqësisht, kjo logjikë nuk është më në modë. Tre goditjet e kanë plagosur aq shumë sistemin e hapur të tregtisë, saqë argumentet e fuqishme në favor të tij po lihen pas dore. Thoni lamtumirë epokës më madhështore të globalizmit dhe shqetësohuni për atë që do të zërë vendin e saj. /Monitor/