Justifikimi i ONM për anëtarin e KPA “fut ujë”. Rastet kur vëzhguesit e Vetingut kanë “mbyllur sytë”

Nga BoldNews.al

Argumentat e Genoveva Ruiz Kalavera, drejtuese e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, për të justifikuar dështimin në verifikimin paraprak të anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, i pezulluar së fundmi nën dyshimet për “falsifikim formularësh”, nuk janë fort bindëse dhe “fusin ujë” nga shumë anë.

Anëtari i KPA-së, Daci, u pezullua nga detyra nga Gjykata e Posaçme, në vijim të një hetimi të nisur nga Prokuroria Speciale-SPAK, në bazë të kallëzimit të tashmë ish-anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani.

Zonja Kalavera, në një prononcim për median pasditen e së Mërkurës, u mundua të shmangë përgjegjësinë e strukturës që drejton.

Ajo deklaroi se ONM ka kryer verifikime paraprake vetëm mbi bazën e biografisë profesionale të dorëzuar nga gjyqtari Daci, ku nuk gjendej e shënuar fakti që ai kishte qenë gjyqtar para vitit 2000 dhe që ishte shkarkuar në vitin 1997 për “paaftësi dhe shkelje ligjore”.

Ligji për “Vetingun” i ka dhënë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit një pozitë speciale në procesin e rivlerësimit.

Vëzhguesit e huaj kanë dy detyra thelbësore përsa u përket trupave të Vetingut-verifikimin paraprak të kushteve për zgjedhjen e “gjyqtarëve të rivlerësimit” dhe “monitorimin” e punës së tyre, përfshirë edhe nismat për procedime disiplinore.

Ndërkohë që vëzhguesit kanë dështuar me verifikimin paraprak të Luan Dacit, ata nuk kanë bërë thuajse asgjë edhe për rastet e tjera kur, komisionerë të ndryshëm, gjatë kryerjes së detyrës, dyshohet se kanë shkelur ligjin.

“Boldnews.al” ka identifikuar një seri rastesh, në të cilat dallohet qartë se ONM nuk ka dëshmuar asnjë vullnet për të verifikuar rolin e anëtarëve të trupave të Vetingut. Në çdo rast, ONM ka refuzuar të nisë verifikimet për sjelljet, që dukeshin si jo-ligjore, të anëtarëve të trupës së Vetingut.

Rasti “Daci”

Në deklaratën e saj publike, zonja Kalavera nuk dha asnjë argument se përse, anëtari i trupës së ONM-së, Mia Roessingh, nuk mbajti asnjë qëndrim në seancë ose edhe më vonë, kur prokurori Cani e deklaroi para trupës gjykuese në KPA, në fillim të Janarit 2020, se anëtarët Luan Daci dhe Ardjan Hajdari, nuk plotësonin kriteret për të qenë gjyqtarë në strukturat e Vetingut.

Në foto: Vëzhguesja e ONM, Mia Roessingh

Pas heshtjes së trupës gjykuese dhe vëzhgueses së ONM-së, Besnik Cani dorëzoi një kallëzim penal pranë SPAK-ut. Kjo e fundit, në përfundim të hetimeve gati tre-mujore, vendosi të marrë nën përgjegjësi ligjore anëtarin Daci, nën akuzën për “falsifikim formularësh”.

Rasti “Hamitaj”

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, në një komunikim zyrtar me “Boldnews.al” në Gusht 2018, deklaroi se “nuk ka prova për të vërtetuar pretendimet e mediave kundër z. Lulzim Hamitaj”.

Në foto: Anëtari i KPK, Lulzim Hamitaj

Anëtari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Lulzim Hamitaj, u akuzua publikisht se kishte falsifikuar dëshminë e njohjes së gjuhës së huaj. Për këtë rast, Prokuroria e Tiranës nisi një hetim penal, i cili ka mbetur pezull për shkak të pritjes së një letër-porosie të dërguar në Mbretërinë e Bashkuar.

LEXO EDHE  ISHP: Evitoni sa më shumë përdornin e kondicionerit gjatë udhëtimeve me makinë

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, ONM vendosi të mos zhvillonte asnjë procedurë disiplinore, madje edhe një verifikim të thjeshtë, për të konstatuar nëse komisioneri Hamitaj është apo jo njohës i gjuhës angleze.

Rasti “Sanxhaktari”

Subjekti i rivlerësimit, tashmë ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese dhe nisjen e procedimit disiplinor për ta, për shkak se disa elementë të dosjes së tij, të tjetërsuara, u përdorën nga një media, për të goditur gjyqtarin për shkak të një çështjeje personale të drejtuesve të televizionit.

Në foto: Anëtarja e KPK, Valbona Sanxhaktari

Përgjegjësia për këtë “rrjedhje të qëllimshme” kërkohej, sidomos tek relatorja e seancës, Valbona Sanxhaktari.

Vëzhguesi ndërkombëtar i seancës, John Leonardo, nuk mbajti asnjë qëndrim për kërkesën e paraqitur në seancë nga gjyqtari Selimi.

ONM, në një përgjigje zyrtare për “Boldnews.al” në Gusht 2018, deklaroi se “ONM nuk sheh ndonjë arsye për të kërkuar fillimin e procedurave disiplinore kundër Komisionerëve të KPK-së në lidhje me ngjarjet në lidhje me rastin e z. Selimi”.

Rasti “Bungo”

Të njëjtën përgjigje “standarte” dha ONM edhe për rastin e trupës gjykuese që kreu rivlerësimin e tashmë ish-prokurores së Prokurorisë së Përgjithshme, Rovena Gashi.

Prokurorja akuzoi zyrtarisht dhe publikisht trupën e drejtuar nga Gent Bungo Tafaj për shkelje të konfidencialitetit dhe konflikt interesi.

Në foto: Kryetarja e KPK, komisionerja Genta Bungo (Tafa)

ONM, përfshirë edhe vëzhguesen e seancës, Mia Roessingh, refuzuan të ndërmerrnin verifikimet për të vlerësuar nëse kishte vend për nisjen e një procedimi disiplinor ndaj anëtarëve të trupës së rivlerësimit.

Rasti “Donika Prela”

Ish-drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, u konfirmua nga shkalla e parë e Vetingut, pavarësisht problematikave të shumta të zbuluara gjatë procesit të rivlerësimit.

Madje, edhe vëzhguesi ndërkombëtar i seancës, Teo Jacobs, ngriti pikëpyetje mbi ligjshmërinë e pasurisë së subjektit Prela. Por, pas konfirmimit të saj të dyshimtë, vëzhguesi ndërkombëtar zgjodhi të mos ndërmerrte asnjë veprim.

Në foto: Vëzhguesi i ONM, Teo Jacobs dhe prokurorja Donika Prela

Neglizhencën e vëzhguesit të ONM-së e plotësoi institucioni i Komisionerëve Publikë, të cilët ushtruan ankimin pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ku kërkojnë shkarkimin e Donika Prelës nga detyra.

Në një komunikim zyrtar të Shkurtit 2019, ONM iu shmang një përgjigjeje të qartë interesimit të “Boldnews.al” mbi qëndrimin pasiv të vëzhguesit Te Jacobs për rastin “Prela”.

Rasti “Sevdari”

Antoneta Sevdari, ish-anëtarë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u shkarkua nga detyra me një vendim kontravers të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Në foto: Antoneta Sevdari

Vëzhguesi ndërkombëtar në seancë, z. Ferdinando Buatier de Mongeot, ishte kundër këtij vendimi, duke kërkuar që Sevdari të vijonte detyrën.

Vëzhguesi e dha qëndrimin e tij në seancë, por e publikoi edhe në një seksion të veçantë të faqes zyrtare të internetit të Komisionit Europian.

Kjo ishte hera e parë që opiononi i një vëzhguesi të ONM-së publikohet në atë mënyrë, duke krijuar dyshime se mes trupës së huaj të monitorimit ka pasur përplasje për rastin “Sevdari”.