Policia e Tiranës ka arrestuar pronarin e një servisi automjetesh në zonën e Astirit, i dyshuar për mashtrim ndaj klientëve.
Sipas Policisë, në pranga ka rënë Mirjan Hasa, 37 vjeç, ndaj të cilit janë dokumentuar deri tani 6 raste mashtrimi. Hetimet nisën pas kallëzimeve të disa qytetarëve, të cilët deklaruan se, megjithëse kishin paguar për riparimin e automjeteve të tyre, mjetet nuk ishin rregulluar.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se, përveçse nuk kryente riparimet për të cilat paguhej, 37-vjeçari dyshohet se në disa raste kishte tentuar edhe të shiste automjetet që klientët i kishin lënë në servis.
Gjatë operacionit, efektivët sekuestruan 5 automjete në ambientet e subjektit, të cilat iu lanë në ruajtje pronarëve të tyre.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar raste të tjera të mundshme mashtrimi nga ana e 37-vjeçarit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.














