KLGJ: Seancat gjyqësore nuk nisin para 23 qershorit, ruajmë sigurinë e qytetarëve

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka deklaruar për Abc News se para përfundimit të Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore nuk do të rifillojnë seancat gjyqësore kjo për shkak të ruajtjes së sigurisë së qytetarëve.

KLGJ thekson se për të ruajtur një ekuilibër mes sigurisë dhe aksesit në drejtësi, është ngritur një komision i posaçëm i cili po punon intensivisht për hartimin, propozimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të një plani masash për ushtrimin e veprimtarisë e shërbimeve gjyqësore gjatë Covid-19.

Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore është caktuar deri në datë 23 qershor, ndërkohë që nuk dihet nëse qeveria do të miratojë shtyrje të kësaj date, ndonëse situata epidemike në vend, është paraqitur në nota pozitive përgjatë ditëve të fundit.

“Duke shprehur konsideratën për veprimtarinë e redaksisë suaj, në përgjigje të kërkesës tuaj për informacion të përcjellë nëpërmjet programit kompjuterik “Whatsapp”, datë 26.05.2020, referuar nenit 14§2§b të Ligjit nr. 119/2014, “Për të drejtën e informimit”, ju bëjmë me dije si më poshtë:

Në lidhje me zhvillimin e proceseve gjyqësore në gjykatat shqiptare, ju sqarojmë se referuar nenit 101 të Kushtetutës, në rast nevoje dhe urgjence, Këshilli i Ministrave nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative për marrjen e masave të përkohshme. Këto akte normative, të cilat kanë forcën e ligjit, duhet të miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve, përndryshe e humbasin forcën e ligjit. Për shkak të përhapjes se epidemisë Covid-19 edhe në Shqipëri, Këshilli i Ministrave shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore me anë të Vendimit Nr. 243, datë 24.3.2020 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, me ligjin Nr. 30/2020, datë 16.4.2020, miratoi Aktin Normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 9, datë 25.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga Covid-19””.

Akti Normativ Nr. 9/2020, tashmë ligj i miratuar nga Kuvendi nr.30/2020, përmban disa masa emergjente, ku përfshihet shtyrja e seancave gjyqësore të çështjeve civile, penale dhe administrative, deri në përfundim të epidemisë Covid-19. Sa kohë që ky ligj është në fuqi dhe gjendja e epidemisë vazhdon, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk mund të vendosë rifillimin e veprimtarisë së plotë gjyqësore në kundërshtim me ligjin.

LEXO EDHE  ‘Pandemia kërkon Edin’/ Ironia e Vasilit: Ku je zhdukur o strategu që i tregove vendin OBSH-së?

Sa i përket vijimit të veprimtarisë gjyqësore, në kushtet aktuale të pandemisë, me vendimin nr.143, datë 22.4.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi rifillimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat e Republikës së Shqipërisë, më datë 27.4.2020, duke ngarkuar këshillat dhe kryetarët në detyrë të gjykatave për marrjen e masave për rifillimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore, në përputhje dhe respektim të masave për kufizimin e përhapjes së Covid-19, në rëspektim të dispozitave të Akti Normativ Nr. 9/2020, neni 4 i të cilit parashikon mundësinë e pjesëmarrjes në distancë në seancat gjyqësore penale me anë të mjeteve audio-vizive, të personave të cilëve u është hequr liria, që janë dënuar, apo i nënshtrohen masës së arrestit në burg dhe të përfaqësuesve të tyre ligjorë. Për këtë qëllim, Këshilli ka miratuar Vendimin Nr. 145, datë 27.04.2020, “Për miratimin e përdorimit të programit kompjuterik “Microsoft Teams”, që mundëson ndërlidhjen audiovizive në distancë për zhvillimin e seancave gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së epidemisë”.

Këshilli ju siguron që shëndeti dhe siguria e qytetarëve, gjyqtarëve dhe punonjësve tanë janë po aq të rëndësishme sa aksesi në drejtësi. Në përpjekje për të gjetur ekuilibrin e duhur midis të dyjave, Këshilli i Lartë Gjyqësor, në mënyrë që të mos cenohet aksesi në drejtësi i qytetarëve, ka ngritur një komision të posaçëm, i cili po punon intensivisht për hartimin, propozimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të një plani masash për ushtrimin e veprimtarisë e shërbimeve gjyqësore në mënyrën më të sigurt të mundshme gjatë kohëzgjatjes së epidemisë së shkaktuar nga Covid-19″, thuhet në përgjigjen e KLGJ për Abc News./abcnews.al