Tre vjet pas zgjedhjes si anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, gjyqtari Luan Daci u pezullua nga detyra me vendim gjykate të mërkurën, nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve gjatë aplikimit të tij për postin e lartë në sistemin e ri të drejtësisë.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK deklaroi se Daci kishte paraqitur të dhëna të rreme, duke mbajtur të fshehtë masën disiplinore të “largimit nga detyra” në vitin 1997 –penalizim që do të duhej ta skualifikonte atë nga gara për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Daci ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës në vitet 1994-1997, kur sipas SPAK u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë së kohës për “shkelje të ligjës dhe paaftësi në detyrë”.
Fshehja e këtij fakti nuk e pengoi Dacin të kalonte filtrat e verifikimit në vitin 2017, fillimisht në institucionin e Avokatit të Popullit dhe më pas në Komisionin Ad Hoc të ngritur në Kuvend për zgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të vetingut, ndonëse një verifikim i tillë nuk rezulton të ketë qenë i vështirë.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se zgjedhja e Luan Dacit në kundërshtim me kriteret formale në Kolegjin e Apelimit u bë vetëm një vit pasi atij iu refuzua një kërkesë për t’u emëruar në Gjykatën e Tiranës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Arsyeja e refuzimit ishte shkarkimi nga detyra në vitin 1997, i diskutuar në një mbledhje me pjesmarrjen e gjerë të anëtarëve të KLD-së, ish-presidentit Nishani dhe përfaqësuesve të misionit Euralius dhe OSBE-së.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se në vitin 2017, Daci aplikoi për një post në secilin prej 3 institucioneve të vetingut, duke zhdukur nga CV-ja e tij periudhën e punës si gjyqtar në Tiranë. Në njërin prej formularëve, Daci mohoi gjithashtu të kishte qenë subjekt i ndonjë masë disiplinore.
Gjyqtari Luan Daci refuzoi të komentonte akuzat e ngritura nga SPAK në një bisedë telefonike me BIRN, duke thënë se shpjegimet do t’i jepte para gjykatës kompetente. “Pasi të jem njohur me materialin, do të jem shumë i hapur për gjithçka,” tha shkurtimisht ai.
Avokati i Popullit dhe Kuvendi i Shqipërisë nuk iu përgjigjën kërkesës për koment të BIRN për dështimin në verifikimin e së shkuarës profesionale të gjyqtarit Luan Daci deri në publikimin e këtij shkrimi. Edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit nuk ktheu përgjigje lidhur me hapat që do të ndjekë më tek.
Denoncuesi në SPAK i “falsifikimit” të dyshuar të Dacit, ish-prokurori Besnik Cani i tha BIRN se si prokuror prej 20 vitesh, kallëzimi ishte detyrë e tij.
“Një falsifikator nuk mund të jetë gjyqtar e aq më shumë të gjykojë gjyqtarët dhe prokurorët,” tha Cani, ndërsa shtoi se kishte besim që hetimi i SPAK do të dilte me sukses.
Refuzimi i Dacit në KLD
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se në dekadën e parë pas rënies së komunizmit në Shqipëri, Luan Daci ka punuar për 3 vjet si nëngjyqtar dhe gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Por karriera e shkurtër në drejtësi u mbyll me një vendim shkarkimi të datës 24 dhjetor 1997 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Vendimi nuk shpjegon arsyet e procedimit disiplinor ndaj Dacit, por përfundimin e tij me largim të menjëhershëm nga detyra. Motivacioni është “shkelja e ligjës dhe paaftësi në detyrë”.
Pas largimit nga detyra si gjyqtar, Daci punësoi për vite me radhë si avokat. Në vitin 2016, ai aplikoi për t’u rikthyer sërish në gjyqësor për njërin nga pesë vendet vakante të shpallura asokohe nga Gjykata e Tiranës.
Sipas një procesverbali të mbledhjes së 18 nëntorit 2016, Daci shpjegonte se kishte punuar si ndihmës gjyqtar, gjyqtar dhe nënkryetar deri më 24 dhjetor 1997, kur sipas tij e larguan për “shkaqe të qarta politike”. Daci pretendonte gjithashtu se ishte bërë pjesë e spastrimit së bashku me 80 gjyqtarë, 300 prokurorë dhe oficerë policie që ishin emëruar në këto institucione pas 22 marsit të vitit 1992.
Shpjegimet e Dacit nuk kanë qenë bindëse për KLD-në. Në procesverbal evidentohet se ish-anëtari i KLD-së, Gerd Hoxha i paraqiti presidentit Bujar Nishani, asokohe kryetar i KLD-së një raport shqyrtimi të kandidatëve për vendet vakante në Gjykatën e Tiranës. Hoxha shpjegonte se ishin skualifikuar vetëm dy kandidatë, mes të cilëve edhe Luan Daci, pasi ndaj tij kishte një vendim të mëparshëm shkarkimi nga detyra.
Procesverbali tregon se në këtë mbledhje, përveç anëtarëve të KLD-së ishin të pranishëm edhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare, përfshi nga misioni EURALIUS dhe OSBE.
Dështimi i verifikimit
Kandidatët për institucionet e vetingut kaluan përmes tre filtrave të verifikimit, përpara votimit të tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Institucioni i Avokatit të Popullit verifikoi plotësimin e kritereve formale, duke ia kaluar më pas listën Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që kishte të drejtën të jepte rekomandime negative ose pozitive për kandidatët.
Filtri i tretë ishte Kuvendi i Shqipërisë, ku u ngritën 3 komisione Ad Hoc për shqyrtimin e kandidaturave dhe përgatitjen e listës për votim. Asnjëri prej tyre nuk arriti të verifikonte largimin nga detyra të Luan Dacit në vitin 1997.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se dosja e aplikimit të kandidatit Luan Daci u dorëzua në Kuvend më 3 mars 2017 nga Avokati i Popullit. Sipas dokumentacionit të aplikimit, Daci ka shprehur interes për të gjitha pozicionet në institucionet e rivlerësimit.
Në kërkesën që Daci ka dorëzuar pranë Avokatit të Popullit, ai ka pretenduar se ndaj tij “nuk është marrë asnjë masë disiplinore e largimit nga puna ose ndonjë masë tjetër disiplinore e cila është ende në fuqi, sipas legjislacionit në momentin e aplikimit”.
Daci ka shpjeguar gjithashtu se pas diplomimit me rezultate të mira, ka ushtruar profesionin e avokatit. Ai nuk e ka përmendur periudhën kur ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës deri në vitin 1997. Puna si gjyqtar nuk ndodhej as në CV-në e dorëzuar prej tij.
Në maj dhe qershor 2017, Daci kaloi edhe filtrin e fundit të Komisionit Ad Hoc me 6 anëtarë për përzgjedhjen e kandidatëve për krijimin e institucioneve të rivlerësimit. Komisioni përbëhej nga deputetët Vasilika Hysi, Eduard Halimi, Flamur Noka, Vangjel Tavo dhe Albana Vokshi.
Gjatë intervistës, deputeti Ervin Bushati e ka pyetur gjyqtarin Luan Daci se çfarë pune kishte kryer para vitit 2000, kur kishte nisur karrierën e avokatit. Daci është përgjigjur se ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës.
Bushati dhe kryetarja e Komisionit, Vasilika Hysi kanë evidentuar faktin se kjo përvojë nuk gjendej e pasqyruar në kërkesat e dorëzuara prej Dacit. Pas këmbënguljes së deputetes Hysi, Daci jo vetëm që nuk e ka përmendur largimin nga KLD, por ka pretenduar se është larguar me dorëheqje.
“Unë kam ikur me dorëheqeje, sepse nuk na lejuan të regjistroheshim,” ka deklaruar Daci pas pyetjeve insistuese të Hysit se përse ishte larguar në vitin 1997 nga sistemi i drejtësisë.
Anëtarët e Komisionit e kanë marrë për të mirëqenë pohimin e Dacit, ndërsa deputeti demokrat, Flamur Noka i kërkoi atij që të përditësonte CV-në, nëse mundej dhe ta dorëzonte të plotë. /BIRN/