Shtatë rastet e reja me COVID në vend janë shënuar në Krujë, Tiranë dhe Shkodër. Teksa informoi lidhur me bilancin e ri në 24 orët e fundit, Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik, deklaroi se në dy spitalet COVID janë 36 të shtruar (dje ishin 33) , prej të cilëve 7 në terapi intensive. Përveç kësaj shifre, treguesit e tjerë janë shpresëdhënës: ulje e rasteve të reja, ulje e të infektuarve aktivë, rritje e numrit të të shëruarve.
Një ditë më parë, Eugena Tomini, Shefe e Inteligjencës Epidemike në ISHP, tha një emision televiziv se faza e dytë e lehtësimit të masave nuk do të realizohet nëse në spitale do të jenë të shtruar 90 pacientë me COVID-19 dhe 10-15 prej tyre të jenë në terapi intensive.
Bilanci i ri
“Nga rezultatet e testimeve në 24 orët e fundit janë konfirmuar 7 raste pozitive me COVID 19, nga të cilat 3 raste janë në Krujë, 2 raste në Tiranë dhe 2 raste në Shkodër. Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 225 persona të dyshuar me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 8253 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 773 raste. Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 470. Aktualisht në vendin tonë janë 272 pacientët aktivë me COVID19 dhe siç shihet numri i të shëruarve vazhdon të jetë më i lartë prej më shumë se dy javësh. Deri tani 31 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 31 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 ‘Shefqet Ndroqi’, janë 5 pacientë të shtruar. 1 pacientë është në terapi intensive në gjendje më të rënduar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 36 pacientë”, tha Dervishi nga ISHP.
Harta e të prekurve dhe të shëruarve
| Bashkia | Të prekur | Të shëruar | 
| Tiranë | 320 | 207 | 
| Shkodër | 110 | 74 | 
| Krujë | 105 | 11 | 
| Durrës | 42 | 38 | 
| Fier | 37 | 32 | 
| Kurbin | 31 | 3 | 
| Korçë | 19 | 19 | 
| Elbasan | 18 | 15 | 
| Kukës | 18 | 10 | 
| Lezhë | 14 | 14 | 
| Has | 14 | 12 | 
| Kavajë | 9 | 9 | 
| Lushnje | 7 | 4 | 
| Vlorë | 5 | 4 | 
| Pukë | 5 | 4 | 
| Mirditë | 5 | 3 | 
| Rrogozhinë | 4 | 4 | 
| Tropojë | 4 | 4 | 
| Berat | 4 | 2 | 
| Mallakastër | 1 | 1 | 
| Mat | 1 | 
Apeli
“Pavarësisht luhatjeve të të dhënave ditore situata vazhdon të jetë e kontrolluar. 
Tregues për këtë janë numri i qëndrueshëm i shtrimeve në spitale dhe numri i ulët i pacientëve që kanë pasur nevojë për frymarrje të drejtuar. Në kushtet e lehtësimit të disa masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e vendosura, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale. Këto masa duhet të respektohen makimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40″, apeloi Dervishi.
 
	    	















