1.35 miliardë euro borxh në shpëtim të ekonomisë, ja si janë siguruar

FMN dhe Ministria e Financave parashikojnë se kriza e COVID-19 do ta çojë deficitin buxhetor të këtij viti përtej 5% të PBB-së. Nevojat për financim i kalojnë 1,1 miliardë eurot. Ministrja Denaj tha se, 700 milionë euro janë financim i siguruar si kredi të buta dhe grante, nga ndërkombëtarët dhe 650 mln euro do të financohen nga eurobondi. Shefja e Misionit të FMN për Shqipërinë, Yan Sun, bëri thirrje që paketat e ndihmës të përdoren për nevojtarët dhe me transparencë. Borxhi publik kalon 70% të PBB-së në fundvit. Ekspertët nuk e këshillojnë eurobondin deri në vjeshtë

Çdo lloj krize ekonomike do të mund të menaxhohej më lehtë nëse qeveritë do të ishin më të përgjegjshme në kohë normale. Nëse reformat në tatime e taksa do të kishin mundësuar grumbullimin e të ardhurave në nivele rajonale, nëse shpenzimet publike nuk do të shfrenoheshin në koncesione dhe tenderë me kosto të pajustifikuara, qeveria e Shqipërisë do të ishte më e përgatitur sot për të ofruar një paketë ndihme dinjitoze për bizneset dhe qytetarët e saj, për të shmangur sadopak katastrofën që rrezikon të rikthejë varfërinë ekstreme.

Me nivelin e borxhit nga më të lartët në rajon (65,8% e PBB-së) me taksat më të larta gjithashtu, e goditur rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, qeveria jonë ka pak mjete në dispozicion për të përballuar krizën që ka krijuar pandemia COVID-19-19.

Shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun, tha se fatkeqësisht, barra e rënies ekonomike është më e rëndë për ata që preken më shumë. Për të mbrojtur këto grupe, qeveria duhet të luajë një rol kryesor nëpërmjet stimujve fiskalë, për të mbështetur punësimin dhe për të ofruar mbështetje financiare për ata që kanë nevojë. Ajo tha se deficiti buxhetor gjatë këtij viti do të jetë më shumë se 5% e PBB-së, duke kujtuar se Ligji Organik e i buxhetit e lejon tejkalimin për situata të tilla.

Ministrja e Financave, Anila Denaj, tha se në skenarin e qeverisë, deficiti buxhetor parashikohet të zgjerohet në 5.4% të PBB-së këtë vit. Për të financuar këtë deficit, do të duhen të paktën 1,1 miliardë euro. Me këtë rritje, borxhi publik pritet të shkojë në 70.8% të PBB-së në fund të vitit 2020. https://www.monitor.al/financimi-i-borxhit-eshte-i-sigurt-edhe-nese-nuk-arrin-te-emetohet-eurobondi-sa-rritet-deficiti/

Burimet për financimin e deficitit, sipas ministres Denaj, janë huatë dhe grantet nga institucionet dhe emetimi i Eurobondit para periudhës së verës që do të arrijë në 650 milionë euro, nga 600 milionë që ishte parashikimi fillestar.

Blodin Çuçi, administrator në Caesar Investment Advisory Services, pasi analizoi strukturën e likuiditetit të institucioneve financiare dhe sistemit në përgjithësi dhe mungesën e alternativave financiare të investimit, sugjeroi se emetimet e brendshme të borxhit të qeverisë janë të favorizuara. Ai tha se interesat e borxhit në tregun ndërkombëtar nuk janë të favorshme për momentin, duke i sugjeruar qeverisë të shtyjë emetimin e eurobondit për në vjeshtë apo vitin tjetër. https://www.monitor.al/eurobondi-te-shtyhet-ne-vjeshte-interesat-jane-rritur-2/

Deficiti buxhetor do të kalojë 5% të PBB-së, duhen 1,1 miliardë euro

Hendeku në të ardhura dhe nevoja për shpenzime më të larta për shkak të paketave të ndihmave që ka aktivizuar qeveria pritet të rrisë deficitin buxhetor në mbi 5% të PBB sipas sugjerimeve të FMN-së. E përllogaritur në vlerë, me PBB e pritshme të këtij viti, para krizës së COVID-19, kjo përqindje sugjeron për një hendek ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve përtej nivelit 142 miliardë lekë, (1,1 miliardë euro).

Pak ditë më parë, qeveria rishikoi buxhetin. Deficiti buxhetor u dyfishua, duke arritur vlerën e -68 miliardë lekëve nga -39,6 miliardë lekë që ishte planifikuar në fillim të vitit, në 3.9% të PBB-së. Por projeksionet e Fondit sugjerojnë se nevojat për financimin e deficitit do të jenë përtej 5% ose më shumë se 1 miliard euro. Burimet e financimit, sipas ekspertëve, duhet të përqendrohen në tregun e brendshëm, marrëveshje me institucionet financiare ndërkombëtare dhe rishikim të shpenzimeve buxhetore.

LEXO EDHE  Rrahu kushëririn në lokal, arrestohet 39-vjeçari/ Çfarë ndodhi në Durrës

700 mln euro grante dhe hua të buta nga institucionet ndërkombëtare

Në tërësinë e tyre, financimet nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare mund të arrijnë mbi 700 milionë euro, fonde të cilat sipas nevojës së qeverisë shqiptare mund të disbursohen në kohë të ndryshme, tha ministrja e Financave, Anila Denaj. Nga kjo shumë, 150 milionë do të jenë financim nga Bashkimin Europian, si mobilizim i Asistencës Makro-Financiare, një instrument i parashikuar mbi të gjitha për vendet anëtare në BE dhe i vënë në dispozicion edhe të Shqipërisë në situatën e COVID-19. Kjo asistencë është një fond kredie mjaft e butë, me norma shumë të ulëta interesi dhe maturitet afatgjatë, sqaroi Denaj.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka akorduar për Shqipërinë 174 milionë euro, në përgjigje të krizave përmes instrumentit të Përgjigjes së Shpejtë. Ky financim synon të vijë në ndihmë të problematikave të mundshme në Bilancin e Pagesave dhe mbart meritën e aksesimit në një periudhë shumë të shkurtër, duke ofruar hapësirë frymëmarrjeje për financat publike.

“Kemi nisur gjithashtu diskutimet edhe me ekipet teknike për detajimin dhe krijimin e instrumenteve në përfitim të sipërmarrjes për mbështetjen financiare të vendosur në dispozicion për Rimëkëmbjen Ekonomike, prej 35 milionë euro” – tha Denaj. Banka Botërore ka ofruar lehtësinë e madhe për të orientuar financimet për projektet e përbashkëta në vend, drejt nevojës urgjente, përtej mbështetjes së re financiare që pritet të materializohet së shpejti.

Banka Islamike për Zhvillim po përgatit një instrument huaje të mirëpritur nga të gjitha vendet anëtare, me kushte financimi tepër të buta. Partnerë të tjerë të rëndësishëm si Banka Gjermane për Zhvillim, Agjencia Franceze e Zhvillimit, Banka e Këshillit të Europës do të mobilizojnë mbështetjen e tyre gjithashtu, në kuadër të COVID-19 ose jo.

Burimet e tjera, Eurobondi dhe tregu i brendshëm

Qeveria shqiptare po planifikon të emetojë para verës një Eurobond me vlerë 650 milionë euro, nga 500 mln që ishin planifikuar në fillim të vitit. Ministrja Denaj tha se, në dallim nga fillimi i vitit, do të faktorizohet një shtesë prej 150 milionë eurosh për Eurobondin, duke arritur kështu shumën e 650 milionë euro, tha Denaj. Edhe në këtë vlerë, Eurobondi ka gjasa të sigurta të materializohet brenda vitit 2020, mundësisht brenda verës së këtij viti, sipas planit fillestar të daljes në tregjet ndërkombëtare, shtoi ajo.

Nga ana tjetër, tregu i brendshëm është likuid për kërkesën e shtuar të huamarrjes së brendshme të qeverisë shqiptare. Ministria e Financave planifikon që kjo rritje të mbetet një masë e përkohshme për vitin 2020, duke vijuar ndoshta në një masë të lehtë në 2021 dhe për t’iu kthyer niveleve optimale të huamarrjes së brendshme prej 23 miliardë lekësh në vitin 2022. “Në pothuajse të gjithë skenarët tanë, edhe në rastin se tregjet ndërkombëtare do të pësojnë një mbyllje gjatë këtij viti, skenar me probabilitet të ulët, dhe Eurobondi të mos arrijë të emetohet, Buxheti i vitit 2020 rezulton tërësisht i financuar pa nevojë për masa ‘ad hoc’”, tha Denaj.

Ministrja e Financave, Anila Denaj, pohoi se nevojat e shpenzimeve buxhetore, që nuk mbulohen nga të ardhurat, do të rishikohen duke ulur disa shpenzime. Rreth 4 miliardë lekë janë shkurtuar nga pagesat e koncesioneve të këtij viti, nëpërmjet akteve normative./MONITOR