KLP “shfajësohet” me Arta Markun, i zgjat edhe 3 muaj mandatin në Apelin e Tiranës

Nga Boldnews.al

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) i ka zgjatur Arta Markut edhe me 3 muaj komandimin në prokurorinë e Apelit të Tiranë, në një veprim që duket si shfajësim për vendimin për t’i ndërprerë ëndrrën që të ishte Prokurore e Përgjithshme për një mandat 7-vjeçar.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse KLP i ka marrë paraprakisht mendimin Markut, duke qenë se ky vendim ka kosto financiare për ish-Prokuroren e Përgjithshme e Përkohshme, pasi tashmë duhet të paguajë vetë qiranë e apartamentit në kryeqytet, i cili i paguhej me një vendim të kryeministrit Edi Rama për sa kohë ishte në krye të institucionit të Akuzës.

Të mërkurën e 25 Marsit 2020, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në një vendim qarkullues, ka vendosur që Arta Marku të caktohet përkohësisht të ushtrojë funksionin e prokurorit (të thjeshtë) në Prokurorinë e Apelit Tiranë, për një periudhë kohore nga data 1 Prill – 30 Qershir 2020.

Për shkak të situatës me korona-virusin, anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë e kanë nënshkruar vendimin në mënyrë të veçuar nga njëri-tjetri.

Ky është komandimi i dytë në radhë i Arta Markut si prokurore në Apelin e Tiranës. Marku, u caktua përkohësisht si prokurore në Apelin e Tiranës, pasi u largua nga posti jo-kushtetues i Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, në Dhjetor 2019.

Arta Marku, zyrtarisht, është e emëruar prokurore e thjeshtë në Shkodër. Në Dhjetor 2017 ajo u caktua si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, një pozicion që nuk ekziston në Kushtetutë.

Marku kreu detyrat e kreut të organit të Akuzës deri në 18 Dhjetor 2019, kur humbi në garë përballë Olsian Çelës.

Përgjatë dy viteve si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku kreu një seri veprimesh për të siguruar mbështetjen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, struktura përgjegjëse për zgjedhjen e kreut të institucionit të Akuzës.

LEXO EDHE  COVID-19/ Dalin detajet nga tre raste e reja nga Durrësi

Por, megjithë përpjekjet e saj, shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë vendosën që të rendisnin të parin në listën e kandidatëve, rivalin e saj, Olsian Çela.

Me shumë mundësi, vendimi për largimin e Arta Markut nga mundësia për të drejtuar më tej organin e Akuzës ka ardhur pas qëndrimeve të saj, tërësisht në favor të maxhorancës socialiste në pushtet.

Gjatë mandatit të saj 2-vjeçar në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, u sfumuan apo u pushuan një seri hetimesh ndaj funksionarëve të lartë socialistë, sidomos për blerje votash dhe bashkëpunim me grupe kriminale.

Arta Marku, në asnjë rast, nuk u shkëput nga afërsia me Partinë Socialiste, e cila e emëroi vetëm me 69 vota. Në postin e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku zgjodhi që të përfshihej në një kurs përplasjesh me opozitën parlamentare.

Sjelljet e saj, shumë larg paanësisë që kërkon Kushtetuta, duket se kushtëzuan edhe largimin e saj nga zyra e Kryeprokurorit.

Përtej afërsisë së madhe që kishte me disa eksponentë të rëndësishëm në Partinë Socialiste, niveli mediokër në drejtimin e institucionit, me shumë mundësi, nxiti maxhorancën që të zgjidhte një emër tjetër në postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Por, gjithësesi, duket se ish-bashkëpunëtorët e saj nuk e kanë harruar plotësisht. Nëpërmjet Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Arta Markut po i sigurohet një qëndrim thuajse i sigurt në Tiranë.

Pas përfundimit të periudhës së komandimit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të hapë një vakancë në Prokurorinë e Apelit të Tiranës, për t’i siguruar Arta Markut vijimin e aktivitetit të saj profesional në kryeqytet.