Ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar me një koment të gjatë në rrjetet sociale lidhur me vendimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE për hapjen e negociatave me Shqipërinë, e cila duhet të plotësojë një seri kushtesh, ndryshe nga Maqedonia e Veriut që e ka procesin të pakushtëzuar.
Berisha shkruan se “PO për Shqipërinë është “PO” në thonjëza! Realisht një SNUK! Kjo është e vërteta e vendimit të Bashkimit Europian për negociatat!”
Sipas tij, narkopropaganda e narkoqeverisë përsëri po i fsheh të vërtetën shqiptarëve lidhur me vendimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Ky vendim, e zeza mbi ta bardhë, ka një dallim si dita me natën për këto dy vende. Ai stipulon:
1- PO pa asnjë kusht për hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut!
2- 15 kushte për të plotësuar dhe asnjë afat kohor për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Pra një “PO” në thonjëza, defacto një SNUK!”, shkruan Berisha.
Komenti nga Sali Berisha
PO për Shqipërinë është “PO” në thonjëza! Realisht një SNUK! Kjo është e vërteta e vendimit të Bashkimit Europian për negociatat!
Narkopropaganda e narkoqeverisë përsëri po i fsheh të vërtetën shqiptarëve lidhur me vendimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ky vendim, e zeza mbi ta bardhë, ka një dallim si dita me natën për këto dy vende. Ai stipulon:
1- PO pa asnjë kusht për hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut!
2- 15 kushte për të plotësuar dhe asnjë afat kohor për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Pra një “PO” në thonjëza, defacto një SNUK!
Ad literam, Bashkimi Europian nuk e ka vënë në thonjëza PO-në për Shqipërinë dhe as nuk thotë Snuk. Por ka vendosur 15 kushte, për t’i plotësuar para se Snuk të bëhet Po ose kësaj të fundit t’i hiqen thonjëzat e të bëhet PO e vërtetë.
Akoma më e rëndë kësaj radhe në akt mosbesimi të plotë, duke parë qëndrimin e papërgjegjshëm të narkoshtetit shqiptar ndaj kushteve, BE nuk vendosi asnjë afat kohor për plotësimin e tyre.
E vërteta e këtij vendimi është një mesazh për çdo shqiptar që nuk kërkon të mashtrojë veten se kjo “Po” është një Po në thonjëza dhe realisht një Snuk për sa kohë të jetë Edi Rama në pushtet.
Me fjalë të tjera, mbajeni sa të doni Edvin Mafinë, sepse nga ne vetëm kushte do të keni.
Unë e di që do të ngjallë reagime kjo e vërtetë e hidhur! Po pse e them unë këtë?
Unë e them këtë sepse së pari, besoj se vetëm fuqia e së vërtetës mund të na ndihmojë.
Së dyti, nisem nga analiza e zhvillimeve të marrëdhënieve të Shqipërisë me BE dhe kushtet e vendosura nga BE për Shqipërinë. Kjo analizë fakton se që nga viti 2015, procesi i hapjes së negociatave për Shqipërinë është shndërruar në një horizont, i cili çdo vit që kalon bëhet gjithnjë e më i largët për shqiptarët.
Le t’iu referohemi të vërtetave.
Në vitin 2015 u caktuan pesë kushtet, që duhet të plotësonte Shqipëria për hapjen e negociatave në 2016, vit në të cilin Edvin Kristaq Droga, Sajmir Shullazi përfunduan me sukses shndërrimin e vendit në kanabistan.
Pavarësisht nga kjo, Komisioni Europian i deklaroi të plotësuara 5 kushtet e vendosura nga BE që në vitin 2015 për Shqipërinë.
Edi Rama fluturoi në Berlin më dt. 28 nëntor dhe njoftoi shqiptarët se do të sillte ditën e Flamurit, nga kancelarja Merkel, sihariqin e madh. Por ai u kthye duarbosh, madje kancelarja direkt para mediave, pa nisur takimi, deklaroi edhe dy – tre kushte të tjera, ndër të cilat zgjedhjet e lira që do të zhvilloheshin në vitin 2017.
Në vjeshtën e vitit 2017, për shkak të dhunimit të zgjedhjeve parlamentare ndonëse Komisioni Europian kishte premtuar se do të bëhej një vlerësim për Shqipërinë për negociatat, nuk u bë asnjë vlerësim.
Vjeshta e vitit 2018 e gjeti Shqipërinë, vendin e vetëm të planetit, defakto dhe de juro pa shtet ligjor, sepse Edvin Kristaq Droga përdori reformën në drejtësi për të asgjesuar Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese etj, shpërtheu afera Tahiri etj. etj…
Përsëri Bundestagu hodhi poshtë rekomandimin e Komisionit dhe shtoi nga nga 5 në 7, kushtet për t’u plotësuar dhe Samiti i BE i vjeshtës të viti 2018 refuzoi hapjen e negociatave me Shqipërinë. Por unanimisht vendosi qershorin e vitit 2019 si afati i vendimit për hapjen e negociatave dhe fundvjeshtën e vitit 2019 si afati për konferencën e parë ndërqeveritare të hapjes së negociatave në rast se Shqipëria do të plotësonte kushtet. Për të arritur tek ky vendim, gjermanët punuan fort dhe bindën edhe francezët të cilët ishin skeptikë.
Por koha kaloi dhe asnjë nga këto parashikime nuk ndodhën dhe kjo vetëm e vetëm se Shqipëria nuk plotësoi asnjërin nga 7 kushtet. Përkundrazi, narkoshteti kapi drejtësinë, vendi mbahej pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë vetëm e vetëm për pushtetin e Edi Ramës, Shqipëria u damkos si narkoshteti i parë në Europë, shpërthyen aferat Bild dhe Xhafa etj, etj…
Kjo bëri që Bundestagu të hedhë poshtë përsëri raportin e Komisionit Europian që rekomandonte hapje pa kushte të negociatave dhe shtoi kushtet nga 7 në 9 dhe të kërkonte të përsëritej edhe njëherë, por tashmë i spostuar për në vitin 2020, vendimi i vitit 2018.
Kurse Franca dhe 15 vende të tjera refuzuan këtë propozim pasi Shqipëria, të cilës iu dha një mundësi në vitin 2018, nuk kishte plotësuar asnjërin nga kushtet e mëparshme, përkundrazi kishte ecur mbrapa siç e dëshmonte edhe vet raporti i Bundestagut.
Franca kësaj here deklaroi se ajo nuk mund të mashtrojë veten me raporte të pavërteta, fjala për raportet e Komisionit, ndaj dhe insistoi se nuk do të ketë më zgjerim të BE sipas rregullave dhe proceduarve të deritanishme.
Qëndrimi bllokues i Francës, i mbështetur dhe nga 15 vende të tjera triumfoi. Një dokument i ri u miratua nga BE për vazhdimin duke filluar nga ky vit sipas një procedure të re të procesit të zgjerimit.
Pas miratimit të dokumentit, Franca zhbllokoi procesin e zgjerimit dhe kjo është për t’u përshëndetur. Por Edvin Kristaq Mafia dhe narkoshteti i tij vrapuan mbrapa.
Ata nuk plotësuan asnjërën nga 9 kushtet e Bundestagut përkundrazi zhvilluan zgjedhjet e para moniste në historinë e Europës pas rënies së perdes së hekurt, kapën politikisht dhe në thyerje të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit çdo institucion të drejtësisë, shndërruan vetingun në një satër të luftës së klasave dhe asaj krahinore, shkatërruan dosjet e hetimit të dhunimit të zgjedhjeve, kapën të gjitha institucionet e vendit, liruan disa vrasës të dënuar përjetë, bënë grushtin e shtetit brenda shtetit për t’i marrë kompetencat Presidentit të Republikes, miratuan ligjin antikushtetuese gijotinë të fjalës së lirë dhe lirisë së mediave.
Rezultati i këtij regresi të demokracisë nga narkoshteti:
– shtimi i kushteve nga 9 në 15 dhe
– asnjë afat kohor për vendimin për hapjen e negociatave as dhe për datën e konferencës së parë.
Për të gjitha këto, vendimi i Këshillit të Ministrave të BE është një “Po” pra në thonjëza dhe realisht një Snuk sa të jetë Edi Rama në pushtet.
Me këtë rast dua të theksoj se në analet e historisë të narkoshtetit shqiptar do të mbeten të pashlyera si tragjikomedi, festimet, fishekzjarret, pritjet zyrtare, taf tufet e tapave të shisheve të shampanjave të Edvin Mafisë dhe narkoqeveritarëve të tij të qershorit të vitit 2018 për të mashtruar shqiptarët për gjasme vendimin e marrë përfundimisht për çeljen e negociatave.
Për fat të keq në këtë parodi të neveritshme të narkoshtetit shqiptar morën pjesë edhe diplomatë, politikanë, parlamentarë të huaj, të cilët festonin të dalldisur me narkoqeveritarët, në vend që të kërkonin publikisht para shqiptarëve zbatimin e kushteve, ata në intervista dhe deklarata u paraqisnin banorëve të narkoshtetit si fait acomplie, vendimin për hapjen e negociatave.
Si përfundim, të besosh se negociatat me ndryshimin e plotë të procedurës së vlerësimit të progresit dhe shtimin nga 9 ne 15 të kushteve mund të hapen pa larguar Edvin Mafinë dhe narkoshtetin e tij, është njëlloj sikur me vetëdije të plotë të të pëlqejë të besosh gënjeshtrën tënde, është njëlloj sikur të besosh se negociatat janë hapur në vitin 2016 apo 2018 apo 2019 ndërkohë që gjëja e vetme që ka ndodhur këto 6 vite është kalimi nga 5 në 7, në 9, në 15 kushte.
E kjo vetëm e vetëm se Edvin Kristaq Mafia me narkoshtetin e tij, çdo muaj e çdo vit shkatërron standartet europiane per karrigen dhe pushtetin e tij të krimit!