Bilanci afatshkurtër i Koronavirusit

Ilir Kalemaj

Këto ditë karantine në një vshtrim të shpejtë na kanë lënë të kuptojmë cilët kanë qenë disa nga humbësit dhe përfituesit e mëdhenj të koronavirusit. Pa u rrekur të bëjmë një analizë shterruese që i takon specialistëve të fushës, më poshtë po rendis disa nga kategoritë më të prekura si dhe ato më përfituese të situatës që deri tani duket se do të zgjasë me afat të papërcaktuar.

Humbësit:

  1. Mjekët në vijën e parë të frontit, një pjesë e mirë e të cilëve po përballet dhe me rrezikun kryesor që është infektimi potencial, hospitalizimi i mundshëm, por edhe orët e gjata dhe stresuese të punës etj. I vetmi ngushëllim është mirënjohja morale nga njerëzit e zakonshëm, si dhe premtimi për një kompesim financiar përsa kohë zgjat situata e emergjencës.

  2. Punonjës shtetërorë dhe ata privatë që janë në vijën e parë të ballafaqimit me rrezikun por njëkohësisht duhet të bëjnë dhe kujdes maksimal për mos t’u infektuar dhe përhapur rrezikun te njerëzit e tyre të afërt.

  3. Bizneset e retail (kryesisht veshjeve, aksesorëve, syzeve etj). Në kushtet e një paralize të fortë të jetës dhe aktivitetit ekonomik e cila është shoqëruar me kombinim karantininimi vullnetar dhe të detyrueshëm, janë natyrisht të parat që preken nga mungesa e konsumatorit. Gjithashtu kontrolli i shpenzimeve, rritja e shpenzimeve për konsum ushqimor në buxhetet e brishta familjare të shqiptarëve, këtë kategori e prek të parën.

  4. Shërbimet specifike mjekësore, të tilla si stomatologjia dhe okulistika të cilat janë ndaluar me vendim qeverie deri të paktën në fillim të prillit.

  5. Ndërtuesit dhe në përgjithësi sektori i imobiliarëve i cili ka ngrirë krejt për një afat të papërcaktuar. Pra në një situatë diametralisht të kundërt me atë të nxitur nga katastrofa e tërmetit të para disa muajve.

  6. Gazetat print për shkak të frikës së përhapjes së virusit, por edhe mbylljes së kafeneve që ishin ndër të tjera dhe vende leximi masiv të shtypit të përditshëm.

Përfituesit:

  1. Tezgat e fruta-perimeve të cilat kanë parë një fluks konsumatorësh vençarisht të interesuar për kategorinë e agrumeve për të rritur nivelin e vitmaniës C por edhe që me cmimet e rritura edhe për shkak të importit, dhe në ndonjë rast edhe të abuzimeve të pashmangshme, kanë parë të rriten progresivisht fitimet e tyre.

  2. Supermarketet dhe marketet e lagjeve të cilat shpesh përfshijnë dhe kategerinë e fruta-perimeve të freskëta. Për shkak se shumica e popullsisë po mundohet të stazhionojë ushqime, detergjentë, letra higjenike e të tjera mallra konsumi të përditshëm për t’u përgatitur për një karantinim të gjatë, shitjet kanë qenë si kurrë më parë duke ndikuar dhe në kërkesën agregate.

  3. Furnitorët, të cilët furnizojnë dy kategoritë e mësipërme.

  4. Farmacitë të cilat kanë parë një boom të vërtetë dhe rritje të ndjeshme çmimesh jo vetëm për maska, desinfektantë dhe dorashka si mjete prevenuese të Covid 19-ës por edhe vitaminave e suplementeve, por edhe anti-viralëve dhe antibiotikëve të ndryshëm si rezultat edhe i gripit stinor, ftohjeve të zakonshme etj.

  5. Kompanitë e internetit për shkak të rritjes së numrit të atyre që e kanë kaluar punën e zakonshme në punë nga shtëpia por edhe për qëllime rekreacionale.

  6. Shumica dërrmuese e të punësuarëve në administratën publike për faktin që rroga do të vijojë të paguhet e plotë ndërkohë që puna është pezulluar plotësisht duke i’u dhënë kohën dhe mundësinë për të ndenjur më pranë të afërmëve të tyre pa pasur ndonjë kosto shtesë.

  7. Psikologët dhe mjekët psikiatër të cilët përveç kontributit vullnetar, një pjesë mund edhe ta monetizojnë situatën duke ofruar shërbime private online.

  8. Bankingu online i cili mund të shohë rritje eksponenciale dhe për rrjedhojë të shkurtojë kostot bankare në periudhë afatgjatë.

  9. Media online ku pwrfshihen portalet, bloget por edhe ato televizive pwr shkak tw kohws mw tw madhe të shpenzuar në shtëpi dhe në kushtet ku nevoja për informim është më e fortë se kurrë. Natyrisht kjo fsheh edhe tundimin për ‘fake news’ për të kompesuar mungesën apo tkurrjen e raportimeve direkt, mungesën e të ftuarëve në studio etj.

Neutralët:

  1. Fermerët dhe të vet-punësuarit në fshat të cilët për shkak të vetë-mjaftueshmërisë të imponuar prej dekadash tranzicion dhe prodhimeve të bahçes por edhe të ndihmuar nga fakti që përgjithësisht një pjestar familjeje është në emigracion dhe dërgon remitanca herë pas herë, janë më të adaptueshëm se një banor qyteti në kushte të një izolimi akut.

  2. Pedagogët, mësuesit dhe studjuesit, si dhe studentët dhe nxënësit të cilët në një masë të konsiderueshme do të duhen të adaptohen me mësim-dhënien online, e cila ka vështirësi teknike dhe logjistike shtesë në periudhë afat-shkurtër por nëse bëhet siç duhet, jo vetëm që garanton një kthim sa më të shpejtë në normalitet në periudhë afat-mesme por edhe nuk cënon mbarëvajtjen e procesit mësimor në një vit ku jemi goditur të faktën 2 herë nga shkaqe natyrore. Si dhe mundëson kapërcimin e stresit, rrit aftësitë konjitive dhe përballimin psikologjik të situatës së paprecentë ku ndodhemi.

Natyrisht kjo ishte një paraqitje skematike dhe secili mund të mendojë për shumë më tepër kategori që preken direkt apo indirekt nga kjo kjo situatë e paprecedentë e cila ka për të pasur pasoja të forta ekonomike, financiare, sociale dhe kulturore për një një kohë jo të shkurtër.

LEXO EDHE  Edi Rama, regjisori që ktheu pompistin në mjek. Di Maio duartroket!