Vetingu/ Bashkëshortja e Denar Bibës dha dorëheqjen pasi i kaloi barra e provës

Nga Boldnews.al

Ish-ndihmësja ligjore e Gjykatës së Lartë, Elona Kana, njëkohësisht bashkëshortja e nënkryetarit socialist të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba, dha dorëheqjen nga funksioni, duke iu ndërprerë procesi i Vetingut, pak ditë pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) i kaloi barrën e provës për gjetjet gjatë procedurës së hetimit administrativ.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur së fundmi vendimin, në bazë të të cilit vendosi të ndërpresë procesin e Vetingut për Kanën, pas një procesi të karakterizuar nga kërkesat e njëpasnjëshme të subjektit për shtyrje procesi.

Gjithashtu, KPK deklaroi humbjen e së drejtës së saj për të ushtruar funksione në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

KPK nuk jep detaje se për cilët kritere i ka kaluar barrën e provës subjektit të rivlerësimit Elona Kana.

Megjithatë, “Boldnews.al” ka raportuar më herët për dyshimet mbi pasurinë e bashkëshortëve Elona Kana-Denar Biba.

Vendimi i KPK-së për Elona Kanën sqaron në mënyrë kronologjike veprimet e kryera prej trupës së Vetingut, nga nisja e procesit e deri në vendimin përfundimtar.

Procesi
Elona Kana u përfshi në procesin e Vetingut, në 15 Maj 2018, për shkak të pozicionit të saj si këshilltare ligjore në Gjykatën e Lartë. Trupa gjykuese që kreu procesin administrativ përbëhej nga Suela Zhegu kryesuese, Xhensila Pine relatore dhe anëtar Olsi Komici.

Në Tetor 2018, Elona Kana fiton konkursin për të ndjekur kursin 2-vjeçar në Shkollën e Magjistraturës, një mundësi që ligji i Vetingut ua njeh këshilltarëve ligjorë në institucionet e larta të drejtësisë për të fituar titullin “magjistrat”.

Pasi u regjistrua në Shkollën e Magjistraturës, Kana kërkon nga kryetari i Gjykatës së Lartë në detyrë në atë kohë, Xhezair Zaganjori, që të dispononte mbi kontratën e punësimit të saj me institucionin.

Kreu i Gjykatës së Lartë konkludoi se Elona Kana do të qëndronte në detyrë deri në përfundim të mandatit të gjyqtarit, tek i cili ajo ishte atashuar si këshilltare ligjore, e konkretisht Artan Zenelit (i identifikuar vetëm me inicialet A.Z në vendimin e KPK-së).

Ky i fundit u largua nga detyra në 18 Korrik 2019, pas vendimit të Komisionit të Vetingut, ndërkohë që Elona Kanës iu shkëputën marrëdhëniet financiare me Gjykatën e Lartë në Tetor 2019.

Pra, Elona Kana, përgjatë gjithë kohës që i është zhvilluar procesi i Vetingut, ka qenë në funksionin e Këshilltares Ligjore të Gjykatës së Lartë, pavarësisht se po ndiqte kursin 2-vjeçar në Shkollën e Magjistraturës.

Barra e provës
Në 10 Korrik 2019, Komisioni i Vetingut vendosi përfundimin e hetimit administrativ dhe i kaloi barrën e provës subjektit Elona Kana për të dhënë vlerësimin e saj mbi rezultatet, brenda dy javësh.

Në 17 Korrik 2019, Elona Kana kërkoi nga KPK që të shtynte afatin e dorëzimit të provave të saj për 20 ditë, për shkaqe objektive. Trupa e KPK i pranon kërkesën dhe e shtyn afatin deri në 29 Gusht 2019, duke qenë se periudha përkonte me pushimet vjetore.

Pas administrimit të shpjegimeve dhe provave, KPK caktoi seancën dëgjimore me Elona Kanën për në datën 2 Tetor 2019.

Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, në sallën e KPK, duke ndjekur seancën dëgjimore për bashkëshorten e tij, Elona Kana

Subjekti Kana kërkoi të kishte në dispozicion para seancës raportin paraprak të rivlerësimit, të kryer nga trupa e Vetingut. Kjo kërkesë nuk u mor në konsideratë, për faktin se seanca dëgjimore është përcaktuar pikërisht për t’u njohur me gjetjet e hetimit administrativ, si edhe me provat dhe shpjegimet e subjektit.

LEXO EDHE  "Rama bëri propogandë edhe me dërgimin e mjekëve në Itali"/ Lubonja apel Parlamentit dhe Presidentit

Në fillim të seancës dëgjimore, paraditen e datës 2 Tetor 2019, Elona Kana kërkoi përjashtimin e relatores së trupës, Xhensila Pine, me argumentin se ajo kishte vepruar me keq-dashje, pasi, sipas Kanës, relatorja e përzgjedhur nga Partisë Demokratike, kishte pasur si qëllim dëmtimin e imazhit të bashkëshortit të saj, anëtar i KQZ-së, i zgjedhur nga Partia Socialiste.

Seanca u ndërpre dhe një tjetër trupë gjykuese, pas dy ditësh, në 4 Tetor 2019, vendosi të rrëzonte kërkesën e Elona Kanës për përjashtimin e relatores Pine, duke argumentuar se nuk ekzistonin argumenta ligjore për ndryshimin e komisioneres.

Seanca e radhës u caktua në 10 Tetor 2019. Por, një ditë para seancës, Elona Kana njoftoi KPK-në se, në datë 4 Tetor 2019, kishte dhënë dorëheqjen nga vijimi i procesit akademik në Shkollën e Magjistraturës.

Trupi gjykues, pas marrjes dijeni të kërkesës për dorëheqje të subjektit, vendosi shtyrjen e seancës dëgjimore të planifikuar për datën 10.10.2019, për të kërkuar informacion dhe dokumentacion nga institucionet përkatëse.

Verifikimet 3-mujore për dorëheqjen
Komisioni i Vetingut kërkoi informacion nga Gjykata e Lartë, Shkolla e Magjistraturës dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Qëllimi ishte për të përcaktuar nëse dorëheqja e Elona Kanës ishte efektive dhe, nëse ajo gëzonte ende statusin e Këshilltares Ligjore, për të vendosur në fund nëse duhej ndërprerë procesi i Vetingut dhe duhej apo jo të caktohej ndalimi 15-vjeçar për ushtrimin e funksioneve në sistemin e drejtësisë.

Gjykata e Lartë informoi KPK-në se Elona Kana kishte ndërprerë marrëdhëniet financiare me këtë institucion për shkak se .

Këshilli i Lartë Gjyqësor, në përgjigje për KPK-në, deklaroi se ky institucion “nuk ka detyrimin dhe as mund të shprehet për këtë çështje”, pasi organi i emërtesës, Shkolla e Magjistraturës, kishte disponuar me pranimin e dorëheqjes.

Shkolla e Magjistraturës, nga ana e saj, njofton KPK-në se, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës kishte pranuar dorëheqjen e Elona Kanës.

Por, nuk ishte vendosur për ndërprerjen e marrëdhënieve financiare, për shkak se duhej një vendim i Këshillit Drejtues të Shkollës së Shkollës së Magjistraturës, i cili mblidhet një herë në tre muaj dhe mbledhja e radhës ishte caktuar në 20 Janar 2020.

Në këtë mbledhje, Këshilli Drejtues i Shkollës vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve financiare të Elona Kanës, për shkak të dorëheqjes.

Në përfundim të këtij procesi verifikimi, KPK konstatoi dy aspekte: së pari, që dorëheqja ishte bërë efektive dhe, së dyti, që Elona Kana gëzonte statusin e Këshilltarit Ligjor, për faktin se ajo ishte regjistruar në Shkollën e Magjistraturës si rrjedhojë e pozicionit në Gjykatën e Lartë.

Pasi kreu të gjithë këto verifikime, të cilat kërkuan një periudhë kohore rreth 3 muaj, KPK caktoi seancën për Elona Kanën në datë 30 Janar 2020. Subjekti Elona Kana kërkoi shtyrje për shkaqe objektive dhe seanca u përcaktua në datë 2 Shkurt 2020.

Në këtë seancë, subjekti Elona Kana nuk u paraqit në seancë. Në përfundim, trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit vendosi që të ndërpresë procesin e rivlerësimit për shkak të dorëheqjes së Elona Kanës, si edhe ndalimin e saj për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë për 15 vjet.