Dvorani i kapur në “flagrancë” nga Venecia, të gjithë “lojërat” për ta mbajtur në detyrë

Nga Boldnews.al

Opinioni paraprak i Komisionit të Venecias për mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e “kapi në flagrancë” kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, në shkelje të Ligjit Themeltar të Shtetit.

E, megjithatë, konstatimet e Komisionit të Venecias duket se nuk do të ndikojnë në pozicionin e Dvoranit si kryetar në detyrë i Gjykatës së Lartë dhe njëkohësisht kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Ai do të qëndrojë në këto detyra, të paktën edhe një vit, si pasojë e procedurave të ndërlikuara ligjore.

Duket se ekziston “një dorë”, e cila ka bërë gjithçka për t’i mundësuar Dvoranit që të qëndrojë sa më gjatë në institucionet e larta të drejtësisë, pavarësisht se ai duhet të ishte larguar që në vitin 2014, kur i mbaroi mandati si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Në këtë “lojë” për zgjatjen në pafundësi të mandatit të Dvoranit janë përfshirë Gjykata Kushtetuese e vitit 2016, hartuesit e ndryshime Kushtetuese që i dhanë jetë Reformës në Drejtësi, strukturat e Vetingut dhe, në fund, edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.

E gjitha duket një manovër e menduar deri në detaj, ku Kushtetuta, ligjet dhe institucionet e reja të Drejtësisë kanë funksionuar vetëm për të mbajtur në detyrë Ardian Dvoranin.

Gjithçka nisi në vitin 2016 dhe vijon ende edhe sot.

Mandati, manovrat në Kushtetuese
Ardian Dvorani është dekretuar si anëtar i Gjykatës së Lartë në Shkurt 2005 dhe mandati i tij 9-vjeçar përfundoi në vitin 2014.

Ligji për Gjykatën e Lartë parashikonte që gjyqtari, të cilit i ka përfunduar mandati, qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit. Ardian Dvorani qëndroi në detyrë, për shkak se Presidenti Bujar Nishani, i zgjedhur nga Partia Demokratike dhe Parlamenti me maxhorancë socialiste i Edi Ramës, nuk gjenin dakordësinë për të zgjedhur anëtarin zëvendësues.

Partia Demokratike në opozitë dorëzoi një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, në të cilën kërkonte shfuqizimin e nenit përkatës në ligjin për Gjykatën e Lartë, e cila, nëse pranohej, do t’i ndërpriste automatikisht Ardian Dvoranit mandatin që po e ushtronte përtej afatit 9-vjeçar.

Në Qershor 2016, Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e Partisë Demokratike dhe shfuqizoi si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit që u mundësonte anëtarëve të Gjykatës së Lartë që të vijonin detyrën përtej mandatit.

Por, vendimi i Gjykatës Kushtetuese merr fuqi ligjore me zbardhjen e tij. Gjykata Kushtetuese e vonoi për rreth 3 muaj zbardhjen e vendimit të saj, që sanksiononte, ndër të tjera, përfundimin e mandatit të Dvoranit.

Vendimi u zbardh në Shtator 2016, por ai nuk u zbatua, për shkak të një ndryshimi kushtetues, të realizuar vetëm pak javë më parë, në Gusht 2016.

Në amendimet e Kushtetutës, si pjesë e Reformës në Drejtësi, ligjvënësit parashikuan, ndër të tjera, edhe një nen, të ngjashëm me atë që kishte shfuqizuar vetëm pak më parë Gjykata Kushtetuese për vijimin e detyrës të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, me mandate të përfunduar.

Neni 136, pika 5 e Kushtetutës, e miratuar në Gusht 2016, duket se ishte hartuar vetëm për një emër-Ardian Dvoranin. “Gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin”, thotë ky nen i Kushtetutës.

Nga ana tjetër, Ligji Themeltar parashikonte ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Tashmë, anëtarët e Gjykatës së Lartë do të zgjidheshin nga një strukturë e re, Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili kërkonte kohën e tij për t’u krijuar e, në këtë mënyrë, i zgjatej mandati edhe Ardian Dvoranit, derisa KLGJ të zgjidhet pasardhësin.

“Lojërat” me Vetingun
Procesi i Vetingut, si pjesë e Reformës në Drejtësi, eleminoi tërësisht Gjykatën e Lartë. Një pjesë e gjyqtarëve, të cilëve u kishte përfunduar mandati, dhanë dorëheqjen pa pritur pasardhësit, një lëvizje që u duk se ishte një shmangie nga procesi i rivlerësimit.

Pjesa tjetër, u shkarkuan në seri gjatë procesit të Vetingut, përfshirë edhe ish-kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.

Vetëm dy anëtarë në detyrë ia dolën me sukses procesit kapilar të Vetingut-Medi Bici, i cili la mandatin në Gjykatën e Lartë, pasi u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor. I dyti ishte Ardian Dvorani.

LEXO EDHE  Vokshi: Mjekët të pambrojtur, testet të pamjaftueshme, Qeveria bën show

Ai u konfirmua në detyrë, në një proces shumë të dyshimtë Vetingu. Në bazë të të dhënave publike dhe të evidentuara edhe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Dvorani rezultoi se nuk kishte deklaruar një shumë prej rreth 10 milionë lekë të reja (rreth 100 mijë dollarë).

Por, KPK, e cila është treguar shumë strikte, duke shkarkuar gjyqtarë e prokurorë edhe për gjëra më të vogla, e konsideroi “lapsus” dhe “harresë jo të qëllimshme” mosdeklarimin e 100 mijë dollarëve nga ana e Dvoranit, duke e konfirmuar në detyrë. Vendimi për Dvoranin mori formë të prerë, pasi Komisionerët Publikë nuk e ankimuan konstatimin e shkallës së parë të Vetingut.

Dvorani tashmë është anëtari i vetëm i Gjykatës së Lartë dhe, për këtë shkak, edhe kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, strukturë përgjegjëse për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Lojërat” në KLGJ
Ndryshimet kushtetuese të Gushtit 2016 parashikonin se Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të krijohej brenda 8 muajve nga miratimi i tyre, rreth Prillit 2017. Por, vonesat në procesin e Vetingut dhe procedurat e ndërlikuara e shtyn afatet përtej çdo limiti.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, përgjegjës për përzgjedhjen e kandidaturave të Gjykatës së Lartë, u krijua në fund të vitit 2018. Megjithëse kishte detyrë primare plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, e cila në atë kohë ishte thuajse jashtë funksionit, pasi kishte në detyrë vetëm 3 anëtarë, përfshirë Dvoranin, KLGJ mori shumë kohë me hartimin e rregulloreve burokratike.

Në Korrik 2019, kur Gjykata e Lartë ishte jashtë funksionimit total, pasi në detyrë ishte vetëm Ardian Dvorani, Presidenti Ilir Meta i kërkon zyrtarisht Këshillit të Lartë Gjyqësor se si është ecuria e plotësimit të vakancave në gjykatën më të lartë të vendit.

Vetëm në atë moment, Këshilli i Lartë Gjyqësor u angazhua për të nisur procedurat për të pranuar aplikimet për vendet vakante.

Por, me një manovër jo shumë ortodokse, KLGJ shpalli garën vetëm për 3 vende vakante, të cilat do të plotësoheshin nga kandidatë jo-gjyqtarë, ndërkohë që Gjykata e Lartë ka nevojë për t’u plotësuar në të gjithë pozicionet-në total 19 anëtarë.

Pas një procesi gati 8-mujor, në Mars 2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor përfundoi procedurat për verifikimin e aplikantëve për tre vende vakante, duke i përcjell Presidentit emrat e 3 kandidatëve zyrtarë.

Këta 3 emra pritet që të marrin detyrën, në fund të muajit Mars ose maksimumi në fillim të muajit Prill.

Këto tre emra, së bashku me Dvoranin që është ende në detyrë, do të çojnë në total në 4 numrin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, shifër e pamjaftueshme për të plotësuar kolegjin prej 5 anëtarësh që kërkohet për shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore.

Pra, KLGJ, megjithëse u vu në lëvizje në Korrik 2019, veprimet e saj ishin pjesore dhe nuk ndihmojnë plotësimin e numrit minimal të gjyqtarëve për të ndërtuar një Kolegj prej 5 anëtarësh.

Aktualisht, KLGJ është në fazën përfundimtare të shqyrtimit të kandidaturave për vakancën e katërt nga anëtarët jo-gjyqtarë. Me zgjedhjen e këtij të fundit, proces i cili mund të mbyllet diku rreth periudhës Prill-Maj, numri i anëtarëve të Gjykatës së Lartë, së bashku me Dvoranin, pritet të shkojë në 5.

Pra, Dvorani sërish do të qëndrojë në detyrë, nën parimin e mbajtjes në funksionim të Gjykatës së Lartë.

KLGJ sapo ka shpallur thirrjen për aplikimet për plotësimin e 6 vakancave të tjera me kandidatë nga gjyqësori. Por, ky proces i sapo-hapur, në rastin më të mirë, mund të mbyllet diku rreth fundit të vitit 2020.

Deri në atë kohë, Ardian Dvorani do të vijojë të qëndrojë në detyrë. Ai pritet të largohet në momentin kur do të krijohet një Kolegj prej 5 anëtarësh, nga kandidaturat e reja. Procesi është në dorë të strukturave të Vetingut dhe procedurave të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Të njëjtat struktura, të cilat, në një lloj forme, kanë vonuar ndjeshëm procesin e plotësimit të vakancave në Gjykatën e Lartë, duke ndikuar, në mënyrë thuajse direkte, në zgjatjen e pafund të mandatit të Ardian Dvoranit.