Sistemi VAR së shpejti pjesë e Kategorisë Superiore

Sistemi VAR që nga koha që është futur në përdorim, ka pasur admiruesit e saj me argumentet që ka eliminuar gabimet njerëzore të arbitrave të cilët janë të detyruar të marrin një vendim në fraksion sekonde, por ka edhe nga ato që e fajësojnë teknologjinë për heqjen e emocioneve të lojës apo edhe të shfrytëzimit të saj.

Gjithsesi për Federatën Shqiptare të Futbollit, duket se ky sistem është i nevojshëm për kampionatin shqiptar të futbollit, për të reduktuar sado pak peshën që bie mbi arbitrat në çdo ndeshje të kampionatit.

FSHF po punon që VAR-i të futet në Kategorinë Superiore duke filluar nga sezon 2021/22 dhe ka kërkuar nga ekspertët e IFAB dhe FIFA ekspertizën e nevojshme për të rritur kapacitetet njerëzore dhe sugjeruar sistemin më të mirë që duhet implementuar.

Njoftimi i FSHF-së:

“Sistemi VAR është projekti i radhës, që Federata Shqiptare e Futbollit synon të implementojë në Kategorinë Superiore. Për realizimin e këtij projekti ambicioz, FSHF ka ngritur një grup pune dhe kanë filluar seminaret e takimet me IFAB dhe FIFA. Seminari parë është zhvilluar të martën dhe të mërkurën, me praninë e presidentit Armand Duka dhe Thibaud Nijssen, nga IFAB, si menaxher i shërbimeve të futbollit, Bhaveshan Moorghen nga Departamenti i Teknologjisë dhe Inovacionit në FIFA dhe Mike Bossler nga Sektori i Arbitrimit në FIFA, si dhe drejtues të FSHF, që janë pjesë e grupit të punës.

Presidenti Duka shprehu vullnetin e tij për ta implementuar këtë sistem në Kategorinë Superiore nga sezoni 2021-2022 dhe kërkoi nga ekspertët e IFAB dhe FIFA ekspertizën e nevojshme për të rritur kapacitetet njerëzore dhe sugjeruar sistemin më të mirë që duhet implementuar. “Jemi në këtë takim për sistemin VAR. Pavarsisht se ka mendime të ndryshme, ky është një vendim tashmë, një vendim për t’u respektuar dhe për t’u zbatuar. Si të gjitha vendet europiane dhe përtej, që e kanë implementuar, ne kemi vendosur ta fillojmë këtë proces. Me përkrahjen tuaj, uroj që të bëjmë një sistem sa më të mirë, edhe spe është diçka e ndërlikuar. 

Unë nuk mendoj se VAR-i do të drejtojë lojën, do të jenë përsëri arbitrat, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Arbitri mbetet ai që vendos. Teknologjia dhe sistemi VAR janë për ta ndihmuar arbitrin në vendimarrjen e tij, por jo për të vendosur në fushë. Në fushën e lojës vendos vetëm arbitri. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, e kam fjalën për pjesën tonë, në mënyrë që pas implementimit të sistemit të mos bëjmë gabime trashanike, që edhe ndodhin, kur ti nuk e përdor mirë atë informacion që të jep teknologjia. Përgatitja e kapaciteteve njerëzore është më e rëndësishme sesa dy-tri kamera apo dy-tri pajisje që vendosin vizat për pozicionin jashtë loje. 

Objektivi ynë është që ta fillojmë në sezonin 2021-2022. Unë mendoj se duhet ta fillojmë me një kategori, me Superioren. Brenda një kampionati, që të jemi me dy standarde, do të jetë e vështirë, nëse e implementojnë në disa ndeshje, kështu që unë mendoj se duhet të arrijmë ta fillojmë në të gjithë kampionatin e Kategorisë Superiore në edicionin 2021-2022”.

Projekti për implementimin e sistemin VAR parashikohet të shtrihet në faza, ku në fillim synohet të ngrihet një grup pune me ekspertë arbitrimi, arbitra që janë në sistem aktualisht, ekspertë teknologjie, ekspertë ligjorë dhe nga sektori i garave për të ndjekur të gjithë trajnimet dhe kualifikimet e nevojshme nga programi për asistencë, aprovim dhe implementim, që jepet nga IFAB dhe FIFA, me qëllim për t’u fokusuar te praktikat më të mira. Ndihma e IFAB dhe FIFA ofrohet për të zhvilluar në mënyrën më të mirë sistemin VAR, për të mbrojtur garën dhe kompeticionet. Në fazën e dytë parashikohet përcaktimi i sistemit, që do të implementohet.

Ekspertiza nga IFAB dhe FIFA, përveç rritjes së kapaciteteve njerëzore, do të jetë edhe në përzgjedhjen e sistemit më të mirë, duke parë që sot aplikohen tri sisteme VAR: një sistem me regji qendrore, një sistem me regji në çdo stadium dhe një tjetër me mini-van të lëvizshëm për çdo stadium ku luhen ndeshje. Ekspertët e ardhur në Tiranë u shprehën se kërkohet cilësi maksimale në momentin e implementimit dhe duhet të jemi të gjithë të kujdesshëm me afatet kohore. Ata sugjeruan që të merret e gjitha koha e nevojshme, në mënyrë që të mos nxitohet për të arritur më të mirën”.

 

LEXO EDHE  Video/ Kallaku një "snajpër" i vërtetë, shikoni çfarë bën në stërvitje!