A ndikojnë donacionet në rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe si ndikon fakti që një pjesë të parave i kemi marrë në formë borxhi? Zef Preçi flet për “Shekulli-n” në lidhje me konferencën e djeshme.
Konferenca e donatorëve u mbajt ditën e djeshme, në datë 17 shkurt, ku morën pjesë mbi 100 shtete. Këto shtete ishin aty për të dhënë ndihma në lidhje me fatkeqësinë e ndodhur në datë 26 nëntor të vitit që shkoi ku u shkaktuan 51 viktima, mijëra të pastrehë dhe shumë dëme materiale në Shqipëri. Një shumë prej 1.15 miliardë euro, që i tejkaloi edhe parashikimet, u dhurua dje për Shqipërinë gjatë Konferencës së Donatorëve në Bruksel. Por, mesa duket entuziazmi është zbehur, pasi nga e gjithë shuma e lartë mësohet se vetëm 330 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër e 850 milionë eurove është kredi.
Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, ka folur për “Shekulli-n” dhe është shprehur se rritja e borxhit publik është një kërcënim serioz për stabilitetin makro-ekonomik të vendit. Gjithashtu, eksperti i ekonomisë tha se është koha të kuptojmë se përtej humanizmit të shprehur dhe për të cilin të gjithë duhet të jemi mirënjohës, jetojmë në kapitalizëm që funksionon sipas postulatit “nuk ekziston dreka falas”, pra huatë duhen rikthyer. Sipas tij, rritja e pakontrolluar e borxhit publik përbën një kërcënim që nuk mund të anashkalohet.
A ndikojnë donacionet e rindërtimit në rritjen ekonomike të Shqipërisë?
Kur flasim për donacione në procesin e rindërtimit, fjala është për atë pjesë të fondeve të cilat jepen pa kusht kthimi. Pra, janë dhurime apo mbështetje financiare falas me një qëllim të caktuar, për rikuperimin e pasojave ekonomike, sociale dhe në jetën e biznesit të rajoneve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Edhe pse jepen shifra të ndryshme rreth kësaj pjese të ofruar nga konferenca: “Së bashku për Shqipërinë”, mbajtur në Bruksel në 17 shkurt 2020, edhe pse një pjesë e tyre janë rishpërndarje e projekteve e programeve ekzistuese që operojnë aktualisht në Shqipëri, edhe pse një pjesë e tyre do të menaxhohen drejtpërdrejtë nga vendet apo organizatat donatore, në vlerësimin tim, pritet një ndikim pozitiv në rritjen ekonomike të vendit. Kuptohet se ndikimi është më i madh, sa më shpejt që të shpenzohen këto fonde, si dhe sa më shumë të shpenzohen për të blerë mallra dhe shërbime të çfarëdollojshme brenda vendit. Ndikimi në çdo rast është dy llojesh: ndikim i drejtpërdrejtë (për shkak të një oferte financiare të shtuar për investime kapitale, siç është ndërtimi i banesave të reja apo blerja e disa mallrave dhe të shërbimeve në tregun vendas), dhe ndikim i tërthortë (për shembull për shkak të çlirimit të fondeve buxhetore që qeveria kishte parashikuar të investonte nga buxheti i shtetit që detyrimisht mendoj se duhet të rishikohet për këtë shkak, por edhe për shkak të përmirësimit të infrastrukturës në turizëm, deri edhe te imazhit të vendit që ndikon në rikthimin e ritmeve normale të rritjes ekonomike të vendit. Pjesa tjetër e fondeve të premtuara në konferencën e Brukselit janë kreditë në forma të ndryshme, me norma interesi dhe periudha ripagimi të ndryshme. Kjo pjesë, siç rezulton edhe nga burimet e ndryshme të informacionit që referojnë konferencën e djeshme, lidhet jo vetëm me rindërtimin pas tërmetit të vitit të kaluar, por edhe me përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit.
A ndikon fakti që një pjesë të parave e kemi marrë në formë borxhi?
Rritja e mëtejshme e borxhit publik, qoftë edhe për një periudhë të shkurtër kohe, është zhvillimi makro-ekonomik më i padëshiruar për ekonominë tonë kombëtare. Në këtë kontekst, si dhe duke marrë parasysh faktin se së shpejti qeveria shqiptare do te dalë në tregjet ndërkombëtare me Eurobond-et, domethënë po marrim borxh të ri për të shlyer borxhin e vjetër. Një ngutje qeveritare për të nënshkruar marrëveshjet përkatëse për pjesën e huave bankare apo nga shtete të veçanta, rrezikon të rëndojë situatën e vendit. Është koha të kuptojmë se përtej humanizmit të shprehur dhe për të cilin të gjithë duhet të jemi mirënjohës, jetojmë në kapitalizëm që funksionon sipas postulatit “nuk ekziston dreka falas”. Pra, huatë duhen rikthyer dhe për hir të së vërtetës, huatë me norma të ulëta interesi dhe afate të gjata shlyerjeje, janë të preferueshme kur ndihmojnë për të zhvilluar degë apo sektore të ndryshme të ekonomisë, por jo në rastet kur akaparohen nga oligarikët dhe lobistët që qëndrojnë përreth qeverisë dhe kryeministrit, apo kur copëtohen në favor të interesave të ngushta dhe pse jo, edhe private të drejtuesve vendore duke iu larguar ndikimit pozitiv për një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë sonë kombëtare, duke u shndërruar në konferenca, seminare, trajnime, shumë herë të panevojshme dhe që konsumojnë fondet pa efektivitet, duke u shpenzuar kryesisht me kompani të huaja.
Në çfarë forme ndikon rritja e borxhit publik?
Rritja e pakontrolluar e borxhit publik përbën një kërcënim që nuk mund të anashkalohet në një situatë të tillë. Për më tepër që në rastin konkret, kreditë po merren për investime në sferën joprodhuese (si ndërtim banesash) dhe që kalon në pronësi private. Domthënë, ky solidaritet ndaj familjeve që humbën banesat përbën një kosto për gjithë shoqërinë shqiptare, një borxh që duhet paguar së bashku me interesat përkatëse dhe kjo është pjesë e borxhit publik në tërësi. Mirëpo, çdo rritje e mëtejshme e borxhit publik nuk mund të mos rrisë ndjeshmërinë e investitorëve të huaj dhe këshu vendi rrezikon të jetë më pak tërheqës ndaj tyre. Në të vërtetë investitorët e huaj mbeten rezerva më e madhe e sigurtë për të kompensuar mungesën apo pamundësinë e rritjes së investimeve publike, për hapjen e vendeve të reja të punës, për fuqizimin në tërësi të ekonomisë sonë kombëtare. Për shkak të rrethanave të reja të krijuara pas përfshirjes së buxhetit, fondeve të dhuruara dhe kredive në ndërtimin e banesave, pritet të shfaqen edhe probleme të tjera, siç është deformimi i metejshëm në tregun e ndërtimit, në tregun e sigurimeve si dhe rritja e stokut të banesave të ndërtuara dhe të pashitura. Gjithsesi këto mund të jenë objekt i një analize tjetër.
A cënohet siguria kombëtare dhe interesat?
Është pozitive që ndaj vendit tonë, ka një ofertë financiare apo premtim për hua, por që mendoj se duhet menaxhuar me kujdes. Kjo për shkak se në kushtet e krizës ekonomike globale, mundësitë e marrjes së huave ekzistojnë, por rritja e borxhit publik është një kërcënim serioz për stabilitetin makro-ekonomik të vendit, pra ka vend për optimizëm të matur dhe për përgjegjshmëri të lartë nga ana e autoriteteve shqiptare. Pjesa e kredive tregtare, pas të cilave qëndrojnë kushtëzime të natyrës fetare apo gjeo-strategjike, mendoj se duhen vlerësuar me kujdes për të mos lejuar që emergjenca e rindërtimit të mos cënojë sigurinë kombëtare dhe interesat afatgjatë të vendit si pjesë integrale e BE-së. /Shekulli/