Touré: Djalin e hoqa prej futbollit për shkak të racizmit

“Djali im nuk është futbollist për shkak të racizmit”. Kështu nis dhe tregon Yayá Touré, teksa flet për një nga pengesat dhe problemet që ka sot futbolli. Ish-lojtari i Barçës ka zbuluar për “L’Equipe” se mban lidershipin kundër ksenofobisë, me djalin e tij si protagonist: “Jam i ndjeshëm për këtë, sepse është diçka që dhemb gjithë kohën. Djali im dëshiron të luajë futboll, të bëhet futbollist, por unë i thashë: Jo, nuk mundesh! E kam provuar vetë kurriz racizmin, ndaj nuk lejova që djali të merret me futboll. Pse? Për këto gjëra”. 

Ish-futbollisti i Manchester City ra pre e ofendimeve për shkak të ngjyrës, ndaj ka frikë se edhe djali i tij mund të vuajë nga racizmi. Ai është shumë i shqetësuar për kësi sjelljesh të turpshme, diçka që po godet fort Italinë dhe Anglinë dhe për të cilën duket se nuk ka zgjidhje: “Do ta vazhdoj luftën kundër racizmit. Tre muaj më parë isha në një konferencë dhe kishte disa njerëz nga Federata Italiane e Futbollit, që folën për këtë. 

Bisedova me ta dhe u interesova çfarë ndodh ndonjëherë me Lukakun, ose disa prej lojtarëve me ngjyrë, që italianëve nuk iu pëlqejnë. Iu thashë se mund të bënin më shumë në këtë drejtim. Futbollistët duhet të jenë të lire, të shprehen si mendojnë. Patjetër që dua të punoj me ta, me organizatat e ndryshme që luftojnë kundër racizmit”.

LEXO EDHE  Bundesliga, java e 28-të mbyllet me këto pesë sfida