Pikëpyetje në të trija kriteret e vlerësimit/ Gjyqtari Astrit Kalaja përballet në KPK

Gjyqtari i Apelit Shkodër Astrit Kalaja, pas seancës dëgjimore në KPK. Foto:BIRN

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Shkodrës Astrit Kalaja u përball të mërkurën gjatë seancës dëgjimore me një relatim i cili vuri në dukje probleme në të tri kriteret. Sipas relatimit Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte gjetur gjatë hetimit pamjaftueshmëri të të ardhurave të ligjshme me rreth 2.8 milion lekë. KPK kishte marrë një raport negativ për Kalanë nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, i cili siç u tha ishte vetëm pjesërisht i deklasifikuar. Ndërkohë që edhe Këshilli i Lartë Gjyqësorë, KLGJ, kishte bërë një sërë vërejtjesh në lidhje me profesionalizmin e gjyqtarit.

Kalaja i cili gjatë procesit falenderoi KPK për hetim objektiv dhe të thelluar, kundërshtoi gjetjet në kriterin e pasurisë, cilësoi si të pavërtetë raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe shpjegoi pse sipas tij shkeljet e pretenduara nga KLGJ nuk qëndronin.

Kalaja, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, u hetua nga trupa e komisionarëve e kryesuar nga Olsi Komici, anëtare Brunilda Bekteshi dhe me relator Lulzim Hamitaj.

I lindur në Shkodër, Kalaja është diplomuar në fakultetin e drejtësisë me titullin ‘jurist’. Pas mbarimit të studimeve ai është emëruar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe që nga viti 2004 ushtron detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Shkodër. Në vitin 2011 ai ka përfunduar një master në Universitetin e Tiranës dhe ka shërbyer gjithashtu si anëtar i Kolegjit Zgjedhor.

Problemet e pasurisë

Relatori Lulzim Hamitaj vuri në dukje se gjyqtarit i ishin gjetur mangësi të të ardhurave në disa vite kryesisht pas disa blerjeve të pasurive të paluajtshme.

Nga relatimi u kuptua se Kalaja ishte gjetur me mungesë të ardhurash nga burime të ligjshme në shumën 2.8 milion lekë, që kryesisht lidheshin me blerjen e një apartamenti në vitin 2009 dhe një trualli në Velipojë në vitin 2013 dhe kursimet e deklaruara.

Nga relatimi doli se gjyqtari ishte përfshirë në transaksione që sipas KPK-së ishin të paqarta, ndërsa po ashtu Komisioni tha se disa prej veprimeve nuk ishin deklaruar në deklaratat vjetore. Hamitaj tha se Kalaja kishte pasur të ardhura për të blerë apartamentin e parë në vitin 2009, por koha e pagesave dhe shumat e deklaruara si të kursyera dhe lëvizjet bankare e nxirrnin atë me bilanc negativ.

Hamitaj vuri në dukje ndër të tjera se Kalaja kishte marrë nga një person një shumë prej rreth 3 milion lekësh e cila ishte ngrirë në bankë si kolateral për banesën, por nuk e kishte deklaruar këtë si hua dhe as kishte deklaruar pagesat ndaj këtij personi në vijim.

Po ashtu gjashmërisht u gjet mungesë burimesh edhe për blerjen e një trualli me një ndërtesë në Velipojë. KPK vuri në dukje si problem edhe faktin se ish-pronari i truallit dhe ndërtesës së blerë nga gjyqtari kishte aplikuar për legalizimin e ndërtesës një vit pasi ia kishte shitur atë gjyqtarit.

Avokati mbrojtës i Kalasë që bëri mbrojtjen sa i përket pjesës ekonomike i kundërshtoi gjetjet e KPK-së. Ai theksoi se nëse merreshin në konsideratë të ardhurat në tërësi nuk kishte mungesë në asnjë prej viteve.

Ai kërkoi KPK-së të merrte parasysh si pasakëtësi dhe lapsuse mos deklarimin e gjendjeve cash apo të kursimeve, ndërsa tha se ekspertiza kontabël bazuar në të njëjtat kritere si të KPK-së nuk dilte negative. Ai tha se pamjaftueshmëria rezultonte pasi vitet ishin trajtuara të ndara, ndërsa pretendoi se mosdeklarimi i gjendjeve cash nuk tregonte mungesë të të ardhurave të ligjshme. Megjithatë ai nuk iu përgjigj dot pyetjeve të Hamitaj se përse paratë e mbajtura cash nuk ishin deklaruar siç kërkohej nga ligji.

Avokati po ashtu shpjegoi marrëdhënien me personin që kishte ngrirë shumën si kolateral në bankë, duke shpjeguar se nuk bëhej fjalë për hua. Ai dhe edhe një version të kthimit pas të një pjese të shumës së ngrirë në bankë që u cilësuar kontradiktorë nga KPK, por që më pas korrigjoi qëndrimin.

I pyetur për të shpjeguar faktin që edhe pse ishin marrë kredi ato ishin tërhequr shumë për para se të nënshkruheshin kontratat për shit-blerje, Kalaja pretendoi se tërheqja nga banka e shumave të marra kredi dhe mbajtja e tyre cash deri kur ishin kryer transaksionet bëhej për shkak të mentalitetit.

LEXO EDHE  Flasin mjekët italianë që vizituan spitale Covid 1 dhe 2: Të çorganizuar në trajtimin e pacientëve

Kalaja po ashtu tha se nuk kishte marrë hua, por se kishte përdorur paratë e ngrira në bankë vetëm për të siguruar kredinë pasi ishte vonuar hipotekimi i shtëpisë. Ndërkohë mbrojtësi i tij shpjegoi se arsye pse shitësi i tokës në Velipojë kishte aplikuar për legalizim një vit pasi ia kishte shitur pronën gjyqtarit. Ai tha se kjo ishte bërë pasi gjyqtari nuk quhej zotërues i kësaj prone deri sa ajo të legalizohej dhe se ish-pronari e kishte këtë detyrim që rridhte prej kontratës së shit-blerjes.

DSIK dhe profesionalizmi

Hamitaj vuri në dukje gjatë relatimit se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kishte shpallur gjyqtarin të papërshtatshëm. Nga sa lexoi relatori Kalaja akuzohej për kontakte të papërshtatshme dhe probleme që preknin figurën. Megjithatë Hamitaj tha se raporti ishte deklasifikuar vetëm pjesërisht. Ai shpjegoi se kjo nuk e pengonte trupin gjykues, i cili kishte raportin e plotë të gjykonte këtë rast.

Mbrojtësi i Kalasë vuri në dukje se mospasja akses te i gjithë informacioni cënonte të drejtën e gjyqtarit. Ai tha se raporti në fjalë sa kohë nuk njihej prej palëve nuk kishte vlerë të mirëfilltë prove.

Kalaja vetë e cilësoi të pavërtetë raportin. “Unë nuk do të vija fare këtu nëse do të mendoja se kisha probleme me figurën”, tha Kalaja. Ai tha se nuk shoqërohej fare me persona me probleme dhe se të gjithë i njihnin personat me të cilët ai qëndronte. Gjyqari përmendi, çka dukej se kishte të bënte me këtë raport, akuzat për tjetërsim prone dhe për vendime të dhëna mbi dokumente të falsifikuara.

Ai tha se nuk kishte bërë asnjë tjetërsim prone, ndërsa shtoi se e vetmja gjë që bënin gjyqtarët ishte njohja e faktit. Ai po ashtu tha se gjykata nuk kishte përgjegjësi për dokumente të falsifikuara pasi sipas tij këto duhej të hetoheshin në një proces tjetër. Kalaja tha se kur dokumentet rezultonin falso vendimi i gjykatës i marrë mbi to rishikohej.

Debat në seancë pati edhe për raportin e Këshillit të Lartë Gjyqësorë, i cili siç u relatua kishte gjetur një sërë problemesh proceduriale në vendimet e gjyqtarit. Po ashtu atij iu vu në dukje probleme me administrimin e dosjeve dhe mos respektim të të drejtës së rekursit.

Gjyqtari i kundërshtoi gjetjet e KLGJ duke thënë se një pjesë e tyre nuk i referoheshin praktikës së ndjekur në gjykatën e apelit. Ai vuri në dukje se kishte një procedurë të ndryshme të administrimit të dosjeve dhe se po ashtu një praktikë e cila nuk e bënte të detyrueshme vendosjen në vendim të të drejtës së ankimimit.

Ai po ashtu pretendoi se kishte pasur ngarkesë në punë gjë që shpjegonte edhe vonesat në zbardhjen e vendimeve. Kalaja tha se gjykata nuk kishte qenë asnjëherë me organikë të plotë.

Ndërkohë një kohë të gjatë seanca u fokusua te një denoncim i bërë në emisionin Fiks-Fare nga një avokat i cili pretendon se ishte përjashtuar padrejtësisht nga mbrojtja e dy të akuzuarve. Sipas denoncimeit Kalaja dhe dy gjyqtaret që hetonin çështjen kishin shkelur të drejtën e dy të akuzuarve për tu mbrojtur duke u mohuar avokatin e zgjedhur prej tyre.

Kalaja dhe versionin e tij të çështjes. Ai tha se avokati në fjalë kishte fyer trupin gjykues dhe se nuk kishte mbrojtur interesat e të akuzuarve, por kishte synuar të zvarriste procesin duke kërkuar disa herë me rradhë përjashtim të trupit gjykues. Ai tha se të gjitha kërkesat ishin rrëzuar, por se avokati kishte vijuar t’i bënte ato me të njëjtin argument dhe shtoi se gjykata nuk mund të toleronte këtë situatë. Kalaja tha se trupa gjykuese nuk kishte cënuar të drejtën e të pandehurve.

I pyetur nga Hamitaj mbi vendimin e ndërmjetëm dhe qëndrimin e tij Kalaja dha një sërë shpjegimesh. Ai po ashtu referoi faktin që në çështjen në fjalë vijohej të kërkohej përjashtimi i trupës gjykuese dhe se e njëjta situatë po përsëritej edhe pas ndryshimit të anëtarëve të trupës. Seanca e vendimit u la të premten në orën 9.30. /BIRN/