Avokati Ledio Braho shprehet se duhen ndryshime kushtetuese në mënyrë që të zgjidhet ngërçi në Gjykatën Kushtetuese, që vijon të jetë jofunksionale për shkak të mosplotësimit të kuorumit të anëtarëve.
I ftuar në studion e Euronews Albania, Braho bëri një rezyme të asaj çka ka sjellë deri më tani reforma në drejtësi, e miratuar që prej tre vitesh. Braho renditi problematikat e krijuara në sistemin e drejtësisë pas reformës, ndërsa u shpreh se situatat që janë krijuar nuk ishin parashikuar që në fillim.
“Është e vërtetë që kanë kaluar tre vite pa gjykatë të Lartë, pa Gjykatë Kushtetuese, më në fund zgjodhëm Prokurorin e Përgjithshëm, pra është i vetmi organ që është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën, të paktën formalisht dhe që sapo ka marrë detyrën. Pra u deshën tre vite nga miratimi i reformës që të kishim një prokuror të Përgjithshëm siç e përcakton Kushtetuta. Ndërkohë që gjyqësori është në ditët e tij më të këqija për shkak të mungesës së Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, por problematika po lind edhe me Gjykata e Apelit tashmë. Një nga rastet është ajo e Tiranës, që është me më pak se gjysmën e numrit të anëtarëve që duhet të kishte kjo gjykatë dhe kjo patjetër që sjell edhe zvarritje të proceseve gjyqësore. Nëse më parë duhet të prisje një vit që të shqyrtohej një çështje në Apel, tashmë ka shkuar dy vite e më tej. Dhe situata nuk është se po shkon drejt përmirësimit. Se nëqoftëse nga njëri krah vazhdon dhe shkarkohen gjyqtarë nga vetingu, ritmi i rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj është në të njëjtat nivele me kohën që nuk ka pasur veting. Dhe kjo ka sjellë që të ketë mungesë të theksuar gjyqtarësh dhe prokurorësh”, tha avokati.
“Po ashtu, duhet të theksojmë këtë periudhë tranzitore që është shumë problematike, sepse gjyqtarët dhe prokurorët janë gjatë gjithë kohës nën frikën e vetingut dhe është shumë e vështirë që të jesh i paanshëm dhe i pavarur në kushtet e një procesi vetingu që shpeshherë është cilësuar edhe si i politizuar. Dhe kjo e bën situatën tranzitore shumë të vështirë. Situatë që ndoshta nuk është parashikuar, por duhet të ishte parashikuar që në fillim. Por ndoshta ka ardhur momenti që duhet të bëhen edhe ndryshime kushtetuese që ky kaos që është krijuar sidomos me Gjykatën Kushtetuese ti vijë fundit dhe të jetë mundësia që të shkojnë çështjet në Gjykatën Kushtetuese. Për shembull, Ligjin për Mediat për sa kohë nuk ka një Gjykatë Kushtuese, sado që mund ta kthejë presidenti herën e parë, herën e dytë parlamenti e kalon dhe ai hyn në fuqi”, shtoi avokati, i cili foli edhe për krijimin e SPAK.