Shteti, pushteti dhe liria

Nga Ilir Kalemaj

Qeveritë i marrin të drejtën për të qeverisur si dhe detyrat dhe detyrimet e tyre pikërisht nga shumatorja e individëve që i kanë vet-besuar. Parë në këtë prizëm, qeveritë para dhe mbi të gjitha duhet të mbrojnë të drejtat e këtyre individëve që i kanë votë-besuar. Natyrisht qeveritë nuk mund të mbrojnë vetëm të drejtat e shumicës, pasi kështu kthehet në një tirani në duart e kësaj të fundit nëse perifrazojmë Xhon Stjuart Millin. Nga ana tjetër, qeveritë nuk duhet të tejkalojnë funksionet e tyre kushtetuese dhe të veprojnë në mënyra që janë në kundërshtim me mbrojtjen e të drejtave bazë të individëve. Ndoshta Margret Theçër shkoi larg kur tha që “nuk ekziston dicka e quajtur shoqëri, ekzistojnë vetëm individë”, por shoqëria nuk mund të jetë gjë tjetër, përveçsë shumatorja e individëve që e përbëjnë atë.

Një ish-President amerikan Ronald Regan ka thënë dikur që dy fjalitë më të tmerrshme në anglisht janë: “jam i qeverisë” dhe “kam ardhur këtu për të ndihmuar”. Me fjalë të tjera, që shtimi i burokracisë nuk mund të jetë kurrsesi lajm i mirë për ekonominë dhe sipërmarrjen e lirë. Më tepër rregulla, taksa dhe tatime, gjoba dhe penalitete të tjera, barriera tarifore dhe jo-tarifore, jo vetëm shtojnë barrën mbi biznesin, frenojnë sipërmarrjen dhe dekurajojnë startup-et, por edhe ligështojnë ekonominë në tërësi, depresionojnë konsumin dhe ngrysin perspektivën për të ardhmen të qytetarëve. Kur kjo plekset me paqartësitë mbi pronën private, e cila është shpesh e mbivendosur, e vjedhur nga palë të treta ose e tjetërsuar me rrugë gjyqësore sic ndodh rëndom në Shqipëri, atëherë kjo kthehet në bumerang dhe në vend që të kemi shtet-ndërtim kemi vet-shkatërrim.

Duhet theksuar se ne vijmë nga një traditë fillimisht feudale, e pasuar nga një periudhë anarkike dhe që karakterizohej nga ajo që sot njihet në literaturë ‘shtet i dështuar’ (failed state), ku qeverisja nuk shtrihej dot në gjithë territorin që shpesh qeverisej në mënyrë autonome, e pasuar më pas me një regjim totalitar të pangjashëm edhe mes sivëllezërve të tij evropiano-lindorë për nga represioni dhe shkalla e penetrimit në atë që njihet si sfera private. Pastaj vjen një periudhë rrumpallo-anarkike, ku ekonomia informale, evazioni çmendurisht i lartë, si dhe paaftësia dhe nepotizmi i administratës si pasojë e partitizmit, na lënë pak vend qoftë për elementët më të mirë që mund të huazonim nga tradita, qoftë për shembujt analogë që mund të replikonim nga vende që suksesshëm e kanë kaluar këtë fazë tranzicioni.

LEXO EDHE  Rikthehen protestat e studentëve, ja reagimi i deputetes...

Në këto kushte, me të drejtë lind dilema se cili model qeverisjeje do të na përshtatej, duke u bazuar si në shembujt e vjetër ashtu edhe të rinj të demokracisë liberale. Një model intervencionist (ndërhyrës) i llojit korporatist apo neokorporatist të ngjashëm me Japoninë, Gjermanisë apo Slloveninë? Një model laissez faire si Britania e Madhe, Singapori apo Estonia? Një model kapitalizmi burokratik dhe etatist si Franca? Apo një model welfare si vendet nordike që synon rishpërndarjen? Kjo duke pasur parasysh që kemi qenë vendi ku jo vetëm u bë kolektivizimi i dhunshëm dhe i rrufeshëm i pronës bujqësore, por u realizua dhe ideja e çmendur e tufëzimit të bagëtive të imta dhe kafshëve shtëpiake. Ku shteti ishte monopoli i vetëm i punësimit, i gjenerimit të të ardhurave, investuesi i vetëm në një ekonomi që bazohej në ecjen në ‘shtigje të pashkelura’ dhe ‘ngrënien e barit’ dhe që përfundoi katastrofalisht duke na lënë në bisht jo vetëm të Evropës por edhe të fqinjëve ballkanikë. Shqiptarët priren të jenë të suksesshëm kudo që kanë emigruar. Kanë arritur të vendosin kapitale, të disponojnë asete dhe të ndihmojnë me remitancat e tyre aq të nevojshme vendin amë në një kohë relativisht të shkurtër, kanë ndërtuar komunitete të forta aty ku janë vendosur dhe kanë qenë shembuj suksesi, kjo në saj të pasjes së rregullave të qarta në sisteme që mirë-funksionojnë dhe respektojnë të drejtat, liritë dhe talentet individuale.

Natyrisht sistemi përbëhet nga njerëz por dhe njerëzit kanë nevojë për sistem që nuk diskriminon, sistem që vlerëson në bazë të meritës, që nuk funksionon në bazë të thënies “një herë ma hipe, një herë ta hipa, n`ato maja rripa-rripa”. Personalisht prirem të besoj dhe përqafoj vlerat humaniste që përcjell libertarianizmi. Libertarianizmi është empatik, altruist dhe që bazohet mbi të gjitha te liria e individit. Liria nga shtypja, padrejtësia, liria nga abuzimi i pushtetit, nga persekutimi apo e drejta e të jetuarit e lumturisë vetjake siç është shprehur me kohë dhe në deklaratën e pavarësisë së SHBA-së. Të drejtat individuale si liria e fjalës, pronës, fesë, aktivizmit politik, ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, duhen mbrojtur nga çdo ndërhyrje që prek, godet dhe deformon konkurrencën, barazinë e startit dhe mundësive por kur talentet dhe përpjekjet janë të ndryshme nga njëri te tjetri. Një shoqëri e lirë përbëhet vetëm nga individë të lirë, dhe liria e gjithkujt mbaron aty ku fillon liria e tjetrit.

*

Shkruar enkas për Boldnews.al