Pse Gjermania vazhdon t’u mëshojë rregullave të rrepta të buxhetit ndërkohë që po përballet me ngadalësim?
Shumë rrallë mund të ketë ndodhur që gjermanët të kenë festuar rritjet në nivele kaq të ulëta. Por duke qenë se kohët e fundit, ky shtet ka qenë shumë i shqetësuar nga frika e një recesioni, edhe rritja prej vetëm 0.1% e shënuar në tremujorin e tretë, u konsiderua si një sukses i madh, shkruan The Economist. Pas tkurrjes së ekonomisë me 0.2% në tremujorin e dytë, kërkesa e fortë e brendshme dhe ecuria befasuese e eksportit ishin të mjaftueshme për të shmangur recesionin e parë teknik të Gjermanisë që prej vitit 2013. Megjithatë, bumi i këtij shteti, gjatë të cilit janë hapur mbi 4 milionë vende pune në dhjetë vjet, duket qartë se ka përfunduar.
Frika nga recesioni ka rindezur një debat shumë të njohur në Gjermani: A duhet që qeveria të shpenzojë më shumë në këtë moment, që të shmangë këtë rrezik të mundshëm? Sipas së ashtuquajturës politikë të Schwarze Null (zeroja e zezë) buxheti i Gjermanisë ka qenë në suficit që prej vitit 2014. Por duke qenë se nevojat e infrastrukturës gjermane janë rritur, pasi kostot e saj të huamarrjes kanë rënë (interesi i obligacioneve deri në dhjetë vjet është negativ) dhe teksa ekonomia është ngadalësuar, mbrojtja e politikës për një buxhet të balancuar po bëhet më e vështirë.
“Arkat plot, shteti trokë!”, ishte titulli kryesor mbi kopertinën e revistës gjermane “Stern”, e cila si foto kryesore kishte një rrugë të mbushur me gropa. Në shtetet e pasura, shkollat me probleme janë mbyllur nga frika e shembjes. Banka e Shtetit për Zhvillim e vlerëson prapambetjen e investimeve vendore të Gjermanisë në 138 miliardë euro (152 miliardë dollarë amerikanë). Përfaqësues të disa institucioneve ndërkombëtare kanë shkuar në Berlin, duke u kërkuar ministrave që të rrisin shpenzimet.
Që nga marsi i 2018, Ministria e Financave ka qenë në duart e Olaf Scholz, një socialdemokrati qendror. Megjithatë, shpresat për një politikë fiskale shumë më të gjerë janë të pakta. Politika Schwarze Null (Zeroja e zezë) u nënshkrua në marrëveshjen e koalicionit midis Demokratëve të Krishterë (CDU) të Anxhela Merkelit dhe SPD-së të z. Scholz. Programet e mëdha qeveritare, si paketa e fundit për të reduktuar emetimet e karbonit në Gjermani, janë krijuar për të përmbushur rregullat fiskale sesa anasjelltas.
Z. Scholz, i cili po kandidon për udhëheqjen e SPD-së dhe dëshiron të ndjekë znj. Merkel në postin e Kancelarit, argumenton se administrimi i qëndrueshëm fiskal ka qenë faktori kryesor që ky shtet ka reaguar në mënyrën më të mirë ndaj një rënie të mundshme. Sipas zyrtarëve, taktikat që do të ndiqeshin do të ishin po ato të përdorura në krizën e viteve 2008-‘09. Stabilizuesit automatikë, siç janë përfitimet e papunësisë, do të viheshin në zbatim. Subvencionet e sigurimeve sociale do t’ua lehtësonin punën firmave në drejtim të reduktimit të orëve të punonjësve, ndërsa përmirësimi i rregullave tatimore mbi zhvlerësimin do të synonte nxitjen e investimeve private. Zyrtarët e Ministrisë së Financave thonë se nëse është e nevojshme, ata do të vënë në zbatim politikën e “zeros së zezë”.
Edhe deklaratat e znj. Merkel se Gjermania do t’ia dalë mbanë me mundësitë që ka, duket se do të rrëzohen shpejt. Z. Scholz bën krahasimet me periudhën 2008-‘09, kur Gjermania grumbulloi 50 miliardë euro. “Nëse ne do të përballemi me një krizë të vërtetë, atëherë një gjë është e sigurt, se ne do të shpenzojmë shumë para”, shprehet një zyrtar tjetër.
Një prej shqetësimeve më të mëdha në këtë drejtim është se rënia nuk do të jetë aq e keqe sa të shoqërohet me masa të menjëhershme. Sipas Jens Südekum, profesor ekonomie në Universitetin Heinrich-Heine në Düsseldorf, një stimul i zbatuar me vonesë, mund të ndikojë negativisht në drejtim të investimeve afatgjata dhe nevojave të ristrukturimit të Gjermanisë. Për shembull, subvencionet ose ulja e taksave mund të nxisin kompanitë e makinave të vazhdonin të mbështeteshin në teknologjitë e vjetra. Z. Südekum bën pjesë në grupin në rritje të atyre ekonomistëve që duan që Gjermania të shfrytëzojë kostot e ulëta të huamarrjes për të financuar një plan shumëvjeçar transformues të investimeve publike.
Megjithatë, edhe në rast se qeveria vendos të zbatojë politikën e “zeros së zezë”, ajo do të duhet të përdorë edhe “frenat e borxhit”, një ndalim kushtetues për deficitet strukturore mbi 0.35% të PBB-së, i hartuar kryesisht “për të lidhur duart e politikanëve”, të cilët i tejkalojnë shpenzimet. Ministria e Financave vlerëson se kjo hapësirë mund t’i lejojë vetëm 6.5 miliardë euro shpenzime gjatë vitit të ardhshëm, pothuajse rreth 0.2% e PBB-së.
Propozimet e dhëna për këtë situatë kanë qenë disa, por qasja më ambicioze është propozuar nga Partia e Gjelbër, e cila do të eliminonte “zeron e zezë” dhe do të plotësonte “frenat e borxhit” me një rregull investimesh që do të shfrytëzonte rregulloret më pak të rrepta të BE-së. Të Gjelbërit mendojnë se kjo mund të nxisë fillimin e investimeve publike me vlerë 35 miliardë euro në vit, por padyshim do të kërkonte edhe një ndryshim të ndërlikuar kushtetues.
Pjesa më e madhe e gjermanëve janë të lodhur nga kritikat e huaja. Investimet publike u rritën me 3.8% vitin e kaluar, theksojnë ata (megjithëse kjo vlerë është ende nën mesataren e zonës së euros, dhe gjithashtu shumë e ulët edhe për të ruajtur stokun e kapitalit).
Eckhardt Rehberg, i cili po udhëheq CDU në diskutimet mbi buxhetin e vitit të ardhshëm, shprehet se kufizimet e kapaciteteve e vështirësojnë rritjen e shpenzimeve pa përshpejtuar kostot në ndërtim.
Qeveritë lokale shpeshherë dështojnë të shpërndajnë në mënyrën e duhur fondet. Në tregun e punës në Gjermani, kompanitë nuk mund të përmbushin kërkesat, dhe një forcë punëtore e pakualifikuar e sektorit publik, në mënyrë kronike, lufton për t’i menaxhuar ato. Sipas kritikëve, skema e investimeve afatgjata do të ishte përgjigjja e duhur ndaj situatës, në vend të programeve të ndryshme të përdorura kohëve të fundit, dhe pikërisht kjo skemë afatgjatë do t’u ofronte firmave garancitë e nevojshme për të zgjeruar kapacitetin e tyre.
Dihet gjithashtu se kjo situatë nuk pritet që të përfundojë brenda një kohe të shkurtër. Ndërkohë, edhe parashikimi i situatës në të ardhmen e afërt është shumë i vështirë për t’u bërë. Ekonomia e rëndë e eksportit në Gjermani mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve si dalja e Britanisë nga BE-ja pa nënshkruar asnjë marrëveshje dhe pasiguritë në lidhje me mosmarrëveshjet e tregtisë midis Amerikës dhe Kinës. Sipas firmës kërkimore, IHS Markit, pritshmëritë e biznesit gjerman kanë rënë ndjeshëm. Komisioni Europian mendon se rritja gjermane do të tejkalojë vetëm shtetin e Italisë në vitin 2020. Përballë situatës dhe parashikimeve tejet të zymta, kritikët do të vazhdojnë punën e tyre duke kritikuar më ashpër mënyrën se si po vepron qeveria gjermane.