Reagimi i Dvoranit ndaj kallëzimit të Metës. A po paralajmëron mos-veprimin e Prokurorisë?

Nga Boldnews.al

Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, ka reaguar menjëherë pas kallëzimit që Presidenti Ilir Meta dorëzoi kundër tij në Prokurori për “Shpërdorim detyre” dhe “përvetësim i titullit a detyrës shtetërore”.

Në tërësinë e reagimit të gjatë, Dvorani është munduar të ruajë pa sukses frymën e një reagimi të ftohtë prej gjyqtari. Kryetari i KED-së, megjithëse me një gjuhë të moderuar, nuk është treguar më pak luftarak se kallëzuesi i tij, presidenti Meta.

Megjithatë, reagimi i Ardian Dvoranit, duket se fsheh një paralajmërim për mos-veprim të prokurorisë ndaj kallëzimit të sapo-dorëzuar nga ana e Presidentit të Republikës.

“Sikurse jam shprehur publikisht edhe më parë, unë si çdo shtetas, por edhe si çdo funksionar tjetër shtetëror, i nënshtrohem Kushtetutës dhe ligjeve penale të vendit tim. Prandaj, …. unë do ti bindem urdhërimeve dhe kërkesave të organit të prokurorisë për të dhënë shpjegimet përkatëse mbi faktet e të vërtetën…” shprehet Dvorani në reagimin e tij.

Në vlerësimin e Dvoranit, “…për aq sa për momentin më rezulton nga media, mund të shprehem vetëm se ky kallzim penal, ndër të tjera, bazohet në pretendime për ekzistencën e disa fakteve, sjelljeve dhe veprimeve të cilat janë të pavërtet…”.

Ndërkohë, duke marrë pozën e një gjyqtari dhe jo të një të të kallëzuari, si në rastin konkret, Dvorani arrin në konkluzione mbi kallëzimin, para se dokumenti i presidentit të mbërrijë në duart e prokurorit të çështjes.

“…Për momentin, parashtroj publikisht se, edhe vetë sjelljet dhe veprimet e mia, qoftë edhe ato të pavërteta por të dëshiruara si të tilla nga kallëzuesi, janë të tilla në natyrë që jo vetëm nuk përbëjnë ndonjë vepër penale, por as edhe ndonjë shkelje tjetër të ligjit”, jep verdiktin e tij Dvorani.

Në vijim, kreu i KED-së duket se “orienton” hetimin e pritshëm ndaj tij, kur shprehet se “…Ky kallëzim penal, sikurse edhe të gjitha deklarimet e zhurmshme të Presidentit, bazohen në një vlerësim dhe interpretim tërësisht të gabuar dhe aspak profesional të Kushtetutës dhe të ligjit..”,

Në përfundim të reagimit të tij, kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi shprehet se “përsa i përket këtij kallëzimi, të deklaruar në mënyrë aspak institucionale dhe shantazhuese prej kaq ditësh, të gjitha çështjet e interpretimit të ligjit dhe ato të verifikimit të fakteve janë elementë që i vlerëson sipas ligjit vetëm organi i prokurorisë dhe gjykata. Detyrimi im është të respektoj ligjin dhe autoritetin e tyre”.

Formalisht, Ardian Dvorani është munduar të tregohet sa më i ftohtë në reagimin e tij përballë kallëzimit të Presidentit, duke deklaruar se do të përballet me hetimin penal si çdo qytetar tjetër i Shqipërisë.

LEXO EDHE  Me tre fëmijë të vegjël në çadër, e reja në lot: Ndihmat i morën ata me vila trekatëshe

Por, në fakt, përballja e Dvoranit me drejtësinë nuk duket se do të jetë ajo e një qytetari të thjeshtë.

“Boldnews.al” ka raportuar më parë për një skenar që mund të ndiqet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për të shmangur përballjen e Ardian Dvoranit me hetimin penal. Tashmë, kallëzimi ndaj kreut të KED-së është në duart e drejtueses së Krimeve të Rënda, Donika Prela, e cila mund ta konsiderojë këtë rast si “shansin e artë” për të mbyllur llogaritë e saj me Vetingun.

Nga ana tjetër, përplasja e Metës me Dvoranin nisën për shkak të mënyrës se si u hartuan dhe dërguan listat për kandidatë për në Gjykatë Kushtetuese, përfshirë edhe emrin e Marsida Xhaferllarit.

Pikërisht për këtë emër, si Dvorani, ashtu edhe Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, kanë dhënë vlerësimin më të ulët, ndërsa anëtarët e tjerë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi kanë dhënë vlerësimin maksimal.

Krijohet dyshimi i fortë se vlerësimi negativ që kanë dhënë Dvorani dhe Arta Marku për këtë kandidate, nuk lidhet aspak me dosjen e saj profesionale, por me emrin e përveçëm.

Kjo “aleancë fluide” Dvorani – Marku mund të vijojë edhe në trajtimin e kallëzimit të Metës ndaj kryetarit të KED-së. Shumëkush deklaron se Kryeprokurorja (e Përkohshme) nuk ka kompetenca mbi hetimin e rasteve konkrete.

Formalisht, nuk ka. Por Arta Marku ka të gjithë ndikimin mbi Donika Prelën, e cila është e para që do të vlerësojë se çfarë duhet bërë me kallëzimin ndaj Ardian Dvoranit.

Masa e parë dhe më e shpejtë, sidomos para krijimit të SPAK-ut, mund të jetë vendimi për mos-fillimin e procedimit penal, një vendim i cili nuk duhet konfirmuar në gjykatë.

Me një vendim mos-fillimi “në xhep”, Ardian Dvorani dhe mbështetësit e tij politikë e kanë shumë të thjeshtë që të ndezin motorët propagandistikë për të ngritur zërin e për të thënë se “Presidenti doli blof”, pavarësisht se kallëzuesi ka të drejtën e ankimit në gjykatë mbi vendimet e mos-fillimit.

Këto llogari, të cilat gjithësesi janë hipotetike në këtë moment, duket se i ka bërë paraprakisht edhe Ardian Dvorani, i cili, mes rreshtave, paralajmëron mos-veprimin e institucionit të Prokurorisë për rastin e tij.