Ashpërsohet gara për Prokuror të Përgjithshëm, Fatjona Memçaj: Ja platforma ime

Nga Boldnews.al

Kandidatja e dytë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, Fatjona Memçaj, prezantoi një platformë konkrete për forcimin e rolit të prokurorëve, nëse ajo do të marrë miratimin për të qenë në krye të institucionit të Akuzës.

Ndryshe nga kandidatja e parë, Arta Marku, e cila u prezantua para KLP-së në pozitë “luftarake”, ku u përpoq të kundërshtonte aludimet për një-anshmërinë e saj si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, rivalja e saj e parë, Memçaj, zgjodhi të paraqitej me një tonalitet më të ulët dhe më konciz.

Fatjona Memçaj, me një biografi profesionale më të pasur se Arta Marku, ka ndërtuar platformën e saj për Prokurore të Përgjithshme në bazë të përvojës së saj në sistemin e prokurorisë.

Ajo ishte në gjendje që të identifikonte si “problematikë” kryesore atë që mund të konsiderohet si sjellje konfliktuale e drejtuesve të Prokurorisë me institucionet e tjera.

Pa e përmendur termin “përplasje”, Memçaj gjithësesi u angazhua se, në rast se do të jetë në krye të institucionit të Akuzës, do të marrë përgjegjësitë për të mbështetur kërkesat e prokurorëve para Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Kuvendit të Shqipërisë.

Prokurorja e Apelit, Memçaj, deklaroi se “nuk do të ketë aspak problem që të trokasë në dyert e Këshillit të Lartë të Prokurorisë apo edhe Kuvendit, për të kërkuar shqyrtimin dhe zgjidhjen e problematikave në strukturë apo në buxhet për prokuroritë lokale.

LEXO EDHE  Të dehur, pa patentë dhe dokumenta të falsifikuara/ Arrestohen 21 shoferë

Anëtarja e KLP-së, Nurihan Seiti, duke rimarrë shprehjen e Memçajt se “ka frikë nga ligji, prandaj nuk e shkel atë”, iu drejtua kandidates se si e vlerësonte që “Prokurori i Përgjithshëm dhe Presidenti i Republikës kanë kryer shkelje ligjore, duke e emëruar si prokurore Apeli në vitin 2013, pa plotësuar kriterin e vjetërsisë në punë”.

Seiti deklaroi në mbledhje se këtë informacion “e kishte dëgjuar nga burime të ndryshme”. Kandidatja Memçaj, pasi i la të kuptojë anëtares së KLP-së se ishte në dijeni se cilët ishin personat e interesuar për ta përmendur këtë situatë si “problematikë”, i shpjegoi se emërimi i saj në Prokurorinë e Apelit të Tiranës nuk ishte në shkelje të ligjit.

“Unë mora 5 nga 6 vota të Këshillit të Prokurorisë së kohës për të qenë prokurore në Apel. Më pas, vendimi i Këshillit u formalizua në kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm drejtuar Presidentit dhe kreu i shtetit e konfirmoi me dekret. Në vlerësimin tim, asnjë prej këtyre strukturave nuk ka shkelur ligjin, pasi nuk kishin asnjë arsye për ta bërë këtë, aq më tepër, as për mua”, u shpreh Memçaj.

Fatjona Memçaj, deri para seancës dëgjimore, ishte kandidatja më pak e kuotuar për të marrë postin e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të plotë.