Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Artur Kalaja u përball me dyshime për ‘trajtim preferencial” të bashkëshortes dhe babait të tij gjatë seancës dëgjimore të së mërkurës, ndërkohë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi edhe pasaktësi apo mungesë dokumentimi në kriterin e pasurisë.
Procesi i vetingut për gjyqtarin Kalaja po kryhet nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Alma Faskaj dhe anëtare Firdes Shuli. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.
Gjatë seancës dëgjimore, Komisioni identifikoi probleme vetëm për kriterin e pasurisë, ndërsa për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin Kalaja u vlerësua pozitivisht.
Relatorja e çështjes, Alma Faskaj shpjegoi se gjatë hetimit administrativ, gjyqtari i Apelit të Tiranës kishte kërkuar hapjen e hetimit për figurën dhe profesionalizmin, kërkesë e cila i është pranuar nga trupa gjykuese. Ndërsa një kërkesë e Kalasë për përjashtimin e relatores për anshmëri ishte rrëzuar nga një tjetër trupë gjykuese.
Artur Kalaja e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000. Ai ka punuar si gjyqtar i Gjykatës së Elbasanit, ndërsa në vitin 2006 është emëruar anëtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë edhe pas 13 vitesh.
Dyshime për trajtim preferencial
Pasuritë kryesore të paluajtshme të familjes Kalaja –një apartament 152 m2, një njësi 20 m2 dhe një garazh prej 31 m2 kanë si burim një sipërfaqe toke të fituar nga bashkëshortja e gjyqtarit nga trashëgimia.
Por relatorja Faskaj ngriti dyshime se bashkëshortja e gjyqtarit ka përfituar më shumë sipërfaqe ndërtimi se sa ishte parashikuar në kontratë. Sipas Faskajt, 1/3 e truallit rezulton që t’i jetë dhuruar bashkëshotes së gjyqtarit Kalaja nga nëna e saj. Në truallin ku është ndërtuar pallati, në momentin e kontratës së shkëmbimit përcaktohej se bashkëpronarët e truallit do të përfitonin 30% të sipërfaqes së ndërtimit.
“Nga ky dhurim, bashkëshortja e subjektit duhet të përfitonte 1/12 e sipërfaqes ndërtuese”, pohoi relatorja Faskaj.
Ajo shpjegoi më tej se në vitin 2003 ishte përcaktuar se bashkëshortes së gjyqtarit Kalaja do t’i kalonte në pronësi një apartament 87 m2, një dyqan dhe një garazh 37 m2. Por në vitin 2005, rezulton të kenë përfituar një apartament 152 m2, një zyrë 20 m2 dhe një garazh 31 m2. Komisioni konstaton se është rritur sipërfaqja ndërtuese e përfituar nga bashkëshortja e gjyqtarit Kalaja, krahasuar me atë të përcaktuar në kontratën e vitit 2003.
“Duket se nuk është deklaruar trajtimi preferencial nga firma ndërtuese,” shtoi relatorja.
KPK ngriti dyshime edhe për “trajtim preferencial” të babait të gjyqtarit Kalaja gjatë një procesi gjyqësor për përfitimin e vlerës 24 milionë lekë nga Agjencia e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave në vitin 2015.
Në këtë rast, gjyqtari ka deklaruar në ILDKPKI se kishte përfaqësuar babanë e tij me prokurë, por nuk zotëronte asnjë pjesë nga paratë e përfituara.
Po ashtu, u ngritën dyshime se babai i gjyqtarit Kalaja kishte pasur trajtim preferencial edhe në përfitimin e një apartamenti.
“Duket se babai i subjektit nuk ka pasur burime financiare të mjaftueshme për kryerjen e një pagese cash në vlerën 20 mijë euro për blerjen e një shtëpie në Golem,” shtoi relatorja.
Ndërkohë, Komisioni nuk ka gjetur problematika në deklarimin e një apartamenti 1+1 në Tiranë, ku bashkëshortja e gjyqtarit Kalaja rezulton të jetë bashkëpronare me pjesë takuese 1/5.
Pasaktësi dhe mosdeklarime
Komisioni konstatoi gjithashtu mospërputhje deklaratash dhe pasaktësi me pasuritë e gjyqtarit Kalaja gjatë seancës dëgjimore. Për një autoveturë “Benz” të blerë në vitin 2010 në shumën 14 mijë euro, KPK konstaton mospërputhje mes deklarimit periodik dhe atij veting lidhur me burimet e krijimit. Tjetër gjetje lidhur me këtë pasuri u relatua edhe mosdeklarimi i vlerës së doganës 600 mijë lekë.
“Duket se subjekti ka bërë deklarim të pasaktë për burimin dhe vlerën”, pohoi relatorja Faskaj.
Mangësi në deklarim, KPK ka identifikuar edhe për shitjen e një apartamnti 80 m2 në Tiranë në vitin 2010, në bashkëpronësi. Sipas Faskajt, Kalaja ka deklaruar shitjen në vlerën 6.2 milionë lekë të këtij apartamenti të përfituar nga privatizimi, por ajo shtoi se nuk kishte dokumentacion provues për pagesën e detyrimeve tatimore lidhur me vlerën e përfituar nga shitja. Edhe deklarimi i dhënë para Komisionit se në këtë apartament është kryer një shtesë në vitin 2003, nuk është arritur të provohet nga gjyqtari Kalaja.
Për deklariminin e një qiraje mujore në shumën 200 euro për ambjentet e një zyre, të deklaruar nga Kalaja në vitin 2010, Komisioni konstaton se në deklaratën veting, vlera e kësaj qiraje është e ndryshme në shumën 116 mijë lekë. KPK ka gjetur se detyrimi i tatimit për qiranë e përfituar nga viti 2010 e në vazhdim është hedhur në sistemin e Tatimeve në maj të vitit 2019.
Tjetër pasaktësi e konstatuar nga Komisioni ishte edhe mosdeklarimi i gjendjes cash në vitin 2016. Por pavarësisht kësaj, Komisioni konkludon se Kalaja ka pasur burime të ligjshme për kryerjen e shpenzimeve për këtë periudhë.
Kalaja përlotet në seancë
Në fillim të fjalës së tij, gjyqtari Artur Kalaja u ndal në dhurimin e 1/3 së truallit dhe banesës bashkëshortes së tij nga nëna e saj, prej nga u përfituan apartamenti 152 m2, një zyrë 20 m2 dhe një garazh 31 m2. Ai tha se në momentin e nënshkrimit të kontratës së sipërmarrjes me firmën ndërtuese, as kjo e fundit nuk ishte e qartë se sa kate do të ndërtohej pallati, pasi nuk kishte ende një leje ndërtimi.
Kalaja tha se edhe pse KPK i referohet zyrës si dyqan, ky objekt gjendet në katin e dytë e për pasojë vlera është sa gjysma e atyre në katin e parë.
Për konstatimin e mospagimit të detyrimeve tatimore të të ardhurave të përfituara nga qiraja, Kalaja tha se edhe më parë kishte deklaruar se në vitin 2010 ndërtuesi e kishte dhënë me qira gjithë katin e dytë, përfshi edhe 20 m2 që janë në pronësi të bashkëshortes së tij. Ai shtoi se për këtë pasuri kishte paguar rregullisht taksat vendore për pronën.
Lidhur me sipërfaqen e apartamentit 152 m2 që rezulton me e madhe se ajo e pasqyruar në kontratën e sipërmarrjes së vitit 2003, Kalaja tha se ndërtuesi ka shtuar edhe katin e 11-të e për pasojë sipërfaqja e ndërtimit që do të përfitonte bashkëshortja u rrit.
Ai kundërshtoi dyshimet për trajtim preferencial, duke shtuar se nuk duhej të lidhej me bashkëshorten e tij dhe ndërtuesin, por nëse ky trajtim ka pasur të bëjë me profesionin e tij si gjyqtar. Kalaja pretendoi se nuk kishte asnjë lloj lidhjeje dhe se nuk ekzistonte trajtimi preferencial në këtë rast. Kalaja theksoi se nëse do të ishte respektuar kontrata, bashkëshortes i takonte më tepër nga sa kishte marrë.
Po ashtu, ai këmbënguli se edhe i ati nuk kishte pasur trajtim preferencial në blerjen e apartamentit.
Kalaja u ndal edhe tek përllgaritja e shpenzimeve në vitin 2006.
“Mendoj se i mbuloj të gjitha shpenzimet dhe rezulton që çdo vit kam pasur tepricë,” tha ai duke kundërshtuar përllogaritjen e shpenzimeve gjatë një udhëtimi të kryer me familjen në Turqi në vitin 2006. “S’kam paguar 500 mijë lekë për 10 ditë në Turqi atëherë, pasi ishte edhe më lirë se në Shqipëri,” shtoi ai.
Për pasaktësinë e gjendjes cash, Kalaja tha se në datën 31 dhjetor ato para kishin qenë cash, ndërsa në fillim të janarit ishin vendosur në depozitë bankare.
Ai shtoi se nuk dinte gjë lidhur me doganën e makinës së blerë në vitin 2010 pasi personi që ia kishte sjellë nga Gjermania i kishte servirur edhe dokumentacionin përkatës me të cilin kishte përfituar pronësinë dhe lejen e qarkullimit. Ai shtoi se në 10 vite nuk kishte patur probleme me këtë mjet.
Në fund të fjalës së tij Kalaja tha se i plotësonte të gjithë kriteret për të vazhduar detyrën. “S’kam pasuri të paluajtshme, kam vetëm dy mjete. Kam dy fëmijë në shkollë publike,” shpjegoi mes lotësh gjyqtari Kalaja, duke i kërkuar ndjesë Komisionit për emocionet.
“Ju faleminderit për figurën dhe profesionalizimin”, përfundoi ai.
Vendimi i Komisionit për karrierën e gjyqtarit Kalaja do të shpallet më 8 nëntor, në orën 9.00./ BIRN/