Nga Boldnews.al
Julian Haxhiu, Gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duket se ka marrë përsipër të bëjë disa shërbime për familjen Kryeministrore dhe në këmbim të përfitojë nga ai i flamosur Veting. Gjithë turravrapi, shkeljet proceduriale, dhe servilizmi i tij ndaj familjes kryeministrore të kujtojnë një barcaletë që qarkullon rëndom kafeneve të Tiranës.
Një kandidat për deputet, në një zonë të thellë të Shqipërisë, po priste e përcillte elektoratin e tij potencial, duke bërë edhe premtimet e rastit. Hyn qytetari i parë dhe politikani e pyet se ç’nevojë ka? Qytetari i kërkon një shtëpi që të fuste kokën, pasi nuk kishte. “Ik i qetë- i thotë politikani- shtëpi do të jap sapo të bëhem unë deputet”.
Hyn qytetari i dytë. “Edhe ti shtëpi do maresh”, i thotë politikani. “Jo, unë nuk dua shtëpi- i thotë qytetari,- e kam. Unë dua flokë se, siç e sheh zotëri, më kanë rënë dhe jam tullac”. “Ik – i thotë politikani -se edhe ti shtëpi do të marrësh”! “Zotëri, nuk dua shtëpi. Dua flokë”, këmbëngul qytetari. “Epo ik o i uruar – i thotë politikani – se leshtë do të marri ai që donte shtëpi, leshtë do të marrësh edhe ti”.
Kjo është pak a shumë panorama e Vettingut të gjyqtarit Julian Haxhiu, i cili, pasi ka blerë në seri disa shtëpi nëpërmjet disa kredive bankare, ka vendosur të blejë një të tillë edhe nëpërmjet një kredie të butë. Duke qënë i ndërgjegjshëm për fatin që e pret, sikundër i ndodhi edhe ish – Kryetares së Gjykatës së Tiranës, Enkelejdi Hajro, Juli mendoi të bëhet “gardian” i nderit të familjes kryeministrore.
Në një errësirë të plotë gjyqësore, pa respektuar asnjë ligj dhe procedurë, gjyqtari Haxhiu vendosi të gjykojë në mungesë disa ëeb-e lajmesh dhe gazetarë, me mëkatin e vetëm se kanë ri-publikuar një shkrim që hidhte dyshime për një lidhje të mundshme mes thjeshtrës së Kryeministrit Rama, Rea Xhillari dhe Ministrit të jashtëm në detyrë Gent Cakaj.
Që thjeshtra e kryeministrit të ketë një lidhje, është plotësisht në të drejtën e saj, sikundër janë në të drejtën e tyre edhe gazetarët të ngrenë pyetje nëse promovimi i një individi anonim, totalisht anonim si Gent Cakaj në pozicionin e ministrit, është bërë thjesht për shkak të lidhjeve që nuk kanë të bëjnë me profesionalizmin dhe aftësitë, gjithësesi të cunguara të atij djaloshi.
Për një sqarim më të plotë të situatës, duhet përmendur fakti që, edhe pse familja kryeministrore dhe avokati i tyre famoz nuk ka kërkuar asnjë përgënjeshtrim, asnjë sqarim, ëeb-sitet e paditura kanë ri-postuar çdo deklaratë të paditëses, të publikuara në mediat e tredhura të oborrit.
Askush nga mediat e paditura nuk e ka akuzuar thjeshtrën e Kryeministrit si të përdalë, sepse askush nuk ka të drejtë ta bëjë dhe, për më tepër, që morali i saj nuk ka aspak fare rëndësi për interesin publik.
Por, e thënë këtë, atëherë, si është e mundur që gjykimi kryhet në mungesë dhe gjyqtari Julian Haxhiu ka vendosur ta zbus dhimbjen e familjes kryeministrore nëpërmjet dëmshpërblimit financiar?
A vendoset nderi në vend me ca miliona më pak ose më shumë?! I ndershëm, o je, o nuk je.
Kjo që po luhet me duart e gjyqtarit Haxhiu është një lojë e familjes kryeministrore për të mbyllur hapësirat publike që e kritikojnë për abuzimin me paratë publike të shqiptarëve, të cilat ua jep shokëve, miqve dhe tarafit të tij oligarkik. Do të mbylli ato dritare të fjalës që e kanë akuzuar dhe shpesh herë, edhe faktuar se ai qëndron si një “Don” të krimit në krye të qeverisjes së vendit.
Për këtë gjë, për të heshtuar mediat kritike ndaj tij, kryeministri ka gjetur eunukun e radhës në Gjykatën e Tiranës. Nëpërmjet mekanizmit më efikas, pushtetit, Kryeministri mendon se e ka të thjeshtë që vetëm të shprehë dëshirën dhe sistemi i drejtësisë t’i bindet. Dhe, nuk e ka aspak gabim, kur ka gjetur sheshin për të bërë përshesh.
Por, është e pashpjegueshme sesi vetë gjyqtari nuk e ka vënë re se si kolegët e tij në Gjykatë e Prokurori, të (keq) përdorur nga Fatmir Xhafaj për të mbrojtur vëllain e tij trafikant, po flaken jashtë nga sistemi, si limona të shtrydhur.
Dhe kthehemi sërish te barcaleta pavarsisht përpjekjeve titanike për të mbrojtur nderin e thjeshtrës së Edi Ramës. Në fund, leshtë do marin të gjithë edhe gjyqtari Julian Haxhiu. Njëlloj siç morën “shtëpi” prokurori Gentjan Osmani, kryetarja e gjykatës së Tiranës, Enkelejdi Hajro, gjyqtari i Apelit të Krimeve të Rënda, Gjovalin Përnoca.
Ashtu siç pritet të marrin “të njëjtën shtëpi”, si qerosi, edhe prokurorët Përparim Kulluri, Kolë Hysenaj, gjyqtaret Flutura Skënderi, Liljana Baku, Artan Gjermeni dhe të tjerë të ngjashëm, të cilët u (vetë) përdorën për të mbrojtur nderin e pushtetit, me shpresën e kalimit të Vetingut.