Zgjidhe lëmshin xhaxhi Edi, po zihen deputetët e tu opozitarë

Nga Boldnews.al

Po ndodh një hata e madhe në Parlamentin pluralist, ku thuhet mendimi i lirë dhe mendohet për të mirën e qytetarëve të këtij vendi. Deputetët e vëtëshpallur opozitarë, po grinden me njëri-tjetrin se kush do jetë kryetari i “grupit Parlamentar të PD-së”. Deputetja Rudina Hajdari është shkarkuar pas një vendimi të marrë nga tetë deputetë të dalë nga listat fundore të PD-së.

Ajo ka reaguar ashpër duke theksuar se është kryetare dhe do të vijojë të mbrojë intersat e vendit, nga ana tjetër Korab Lita, një emër i madh edhe ai në politikën tonë, doli sot në konferencë shtypi dhe si “lider global”, sqaroi se Hajdari për gjashtë muaj si kryetare grupi shpërdoroi besimin e dhënë.

“Pasi janë paraqitur të gjitha problematikat, i është kërkuar zonjës Hajdari të tërhiqet nga drejtimi i grupit, dhe të vazhdojë më detyrat e tjera që ka në mbështetjen të grupit. Pas bërjes prezent të shpërdorimit të besimit tonë prej 6 muajsh si në aspektin organizativ, politik dhe deri tek ai ligjor, zonja Hajdari në mënyrë verbale deklaroi dorëheqjen e saj para grupit”, tha Lita, me një tjetër pamje shtetari dhe i vendosur se tashmë e tutje, me detyrën e re, mjaft të rëndësishme si kryetar i një grupi prej tetë deputetshë të listave fundore, do të jetë një zë i fuqishëm kundër qeverisë.

Një zë institucional dhe i mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë e përtej ndërkombëtarëve… Posti i “kryetarit të grupit” në Parlamentin Shqiptar është i rëndësishëm. Ai ka të drejtën e fjalës më shumë se të tjerët, mban qëndrime të forta politike të brendshme dhe të jashtme në emër të grupit, harton politika madhore që i japin zgjidhje edhe çështjeve të ndërlikuara që edhe OKB apo vendet e “G 8” e kanë të pamundur ti zgjidhin.

Mbi të gjitha, kryetari i “Grupit Parlamentar të PD-së” në Parlament, bëhet menjëherë “homolog” me Taulant Ballën dhe kjo nuk është pak, ndaj deputetët e opozitës së vetëshpallur e lakmojnë fort kreun e grupit.

Deputetja Rudina Hajdari vijon në qëndrimin e saj se është e zgjedhur që në fillim dhe se do e mbrojë postin e fituar me mund. Do qëndrojnë edhe pak në këtë pasiguri dhe lakmi për postin, por nëse kjo situatë nuk zgjidhet, atëherë do të ndërhyje vetë kryeministri Edi Rama, për ti dhënë drejtim situatës së krijuar. Për më tepër tani, në një kohë kur vendi po ecën përpara me ritme të shpejta, ku na ka integruar në Serbi, pas nënshkrimit të marrëveshjes së “Shengenit Ballkanik” dhe takimit të jashtëzakonshëm, historik dhe me të ardhme për dy shekujt në vijim, që pati me Vuçiçin në Novi Sad.

LEXO EDHE  Aksident fatal, humb jetën gruaja në Durrës

E nëse edhe Rama do e ketë të vështirë ndërjetësimin e tetë mendjeve brilante në Parlament, atëherë nuk përjashtohet mundësia që të ndërhyjë edhe Kujtim Gjuzi dhe Myslym Murrizi.

Deri tani ata po presin çdo zhvillim të mundshëm brenda kampit opozitar, nuk kanë pranuar të japin deklarata dhe burime pranë stafit të afërt të tyre shprehen se ende po mendojnë për të dalë në një konkluzion, pasi ngjarje të tilla kërkojnë qetësi, mirëkuptim dhe mbi të gjitha zgjidhje prej shtetarësh të mëdhenj, që ata e përfaqësojnë më së miri.
Ndërmjetësimi do të jetë i vështirë, planifikohen disa seanca të gjata diskutimesh, por nëse Rama, Gjuzi dhe Murrizi nuk do jenë në gjendje që të zgjidhin përfundimisht këtë zhvillim të fundit në kampin opozitar në Parlament, do kërkohet ndihma e kreut të OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt, por kjo do jetë karta e fundit që do të luhet, pasi ai ka një problem, sepse nëse nuk bie dakord, të nxjerr gishtin e mesit.

Vëmendja sot ishte përqëndruar në Bruksel ku pritet të merret vendimi për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë si vend kandidat për në Bashkimin Europian, por ai vendim është fare pa rëndësi para situatës që po ndodh në Parlamentin pluralist shqiptar. Tetë deputetë po kërkojnë një post i cili peshon shumë, aty varen “fatet e kombit”, Hajdari apo Lita? Mbetet për tu parë se cili do të tiumfojë, pasi që të dy janë kokë më kokë për postin me shumë peshë.