Rasti N.N/ Aksidenti me pasoja, “Sigal”, dy vjet gjyqe për të dhënë dëmshpërblimin

Nga Boldnews.al

Pas rreth dy vjet procesesh gjyqësore, shtetasi N.N. arriti të fitojë, me rrugë gjyqësore, të drejtën e dëmshpërblimit nga kompania e sigurimeve “Sigal”, për shkak të dëmtimeve në një aksident me pasoja të rënda, ndodhur në 3 Dhjetor 2014, në rrugën Milot-Lezhë.

Shtetasi N.N. ka qenë pasagjer në motorin që drejtohej nga shtetasi K.M., kur mjeti doli nga rruga dhe u përplas me bordurën anësore. Nga ky aksident, pasagjeri N.N. humbi aftësinë për punë në masën 100% për një periudhë gati 2-vjeçare dhe më tej u rikuperua pjesërisht, duke pasur 45% të trupit të paaftë për punë, sipas raporteve mjeko-ligjore përkatëse.

Bazuar në kqyrjen dhe aktin e ekspertimit pas ngjarjes, rezultoi, ndër të tjera se mjeti motorik kishte një policë sigurimi të vlefshme pranë kompanisë “Sigal Uniqa Group Austria”.

Për aksidentin, Prokuroria e Lezhës mori të pandehur drejtuesin e mjetit K.M., për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.

Në datë 12 maj 2015, gjykata e Lezhës e gjen fajtor shtetasin K.M dhe e dënon përfundimisht me 6 muaj burgim. Ky vendim ishte i formës së prerë, pasi nuk u ankimua.

Menjëherë pas këtij vendimi të formës së prerë, i dëmtuari N.N. i cili ishte pasagjer në motor, iu drejtuar kompanisë “Sigal” me kërkesën e datës 20 Maj 2015, për të përfituar dëmin pasuror dhe jo-pasuror të pësuar nga ky aksident.

Siç rezulton nga vendimet gjyqësore, kompania “Sigal” nuk i ka kthyer përgjigje kësaj kërkese të përfaqësuesit të të dëmtuarit N.N. Për këtë arsye, ky i fundit i është drejtuar gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë.

Shqyrtimi gjyqësor
Në objektin e padisë kundër kompanisë “Sigal”, i dëmtuari N.N. ka kërkuar dëmshpërblimin pasuror dhe jo-pasuror nga aksidenti, si edhe kamatë-vonesat prej momentit kur i ka lindur e drejta e përfitimit e deri në momentin e ekzekutimit të vendimit.

Gjykata e Tiranës, me vendimin nr. Nr.5950, date 29.06.2017, ka vendosur pranimin pjesërisht të padisë. Pasi dëgjoi edhe mendimin e ekspertit të thirrur në proces, trupa gjykuese vendosi që kompania e sigurimeve “Sigal Uniqa Group Austria“ sh.a.,të paguajë në favor të paditësit N.N, shumën prej 3.717.063 lekë, si dëm pasuror dhe jopasuror të shkaktuar atij nga aksidenti i ndodhur në datë 03.12.2014”.

LEXO EDHE  Meta takon kreun e KLP, Gent Ibrahimi: Të ngrihet pa vonesë SPAK

Me të njëjtin vendim, gjykata ka rrëzuar kërkesën e të aksidentuarit N.N. për të përfituar kamatë-vonesat, si edhe shpenzimet për ekspertin.

Ndaj këtij vendimi, kompania e sigurimeve, “Sigal”, ka bërë ankim pranë Gjykatës së Apelit të Tiranës. Në ankim, përfaqësuesi i kompanisë private ka pretenduar se “Gjykata e shkallës së parë Tiranë, ka dhënë një vendim pjesërisht të padrejtë e të pabazuar në ligj”.

Kompania ‘Sigal”, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor, ka pretenduar para Gjykatës së Apelit që gjykata e shkallës së parë, “në vendimin e saj përfundimtar ka pranuar vlera (për dëmshpërblimin e shtetasit N.N, shën.red), të cilat nuk janë përllogaritur sipas ligjit dhe rregullores”, përsa i përket dëmit pasuror dhe jo-pasuror.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e shtetasit N.N. ka kërkuara para Gjykatës së Apelit që të aksidentuarit t’i njihen edhe kamatat mbi vonesat në pagesën e dëmshpërblimit, si edhe shpenzimet proceduriale.

Gjykata e Apelit, pasi shqyrtoi rastin, vendosi të pranojë kërkesat e të dëmtuarit, duke rrëzuar argumentat e kompanisë së sigurimeve “Sigal”.

Me vendimin e datës 16.05.2019, Apeli vendosi “Lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë” (sa i përket dëmshpërblimit për dëmin pasuror dhe jo-pasuror, shën.red).

Nga ana tjetër, Gjykata e Apelit pranoi gjithashtu kërkesën e të dëmtuarit, duke vendosur “Detyrimin e palës së paditur, Shoqëria e Sigurimit “Sigal Uniqa Group Austria” të paguajë kamatë-vonesat në vlerën e dëmit të shkaktuar, duke filluar nga data 20.05.2015 deri në ekzekutimin e vendimit. Interesat sipas normes së interesit të Bankës së Shqipërisë”.

Gjithashtu, edhe shpenzimet avokatore, ekspertit dhe gjyqësore i ngarkohen palës së paditur (kompanisë “Sigal”, shën.red).

Pra, rreth 4 vjet pasi shtetasit N.N. i lindi e drejta dhe dy vjet pasi nisën proceset gjyqësore, ai arriti të sigurojë një vendim gjykate të formës së prerë për të përfituar dëmshpërblimin.

*Shënim: Vendimi nr. 30-2019-1713, dt. 16.05.2019 i Gjykatës së Apelit Tiranë, në formatin e zbardhur në faqen e internetit të atij institucioni, ka të shënuar si objekt “Thirrjen e shtetasit K.M. si person i tretë në gjykim”. Ndërsa, i gjithë vendimi, përfshirë edhe dispozitivi lidhen me objekt “ankimin mbi vendimin Nr.5950, date 29.06.2017, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.