Rama në grahmat e fundit, bëri avokatin e të gjithë kriminelëve/ Vasili apel qytetarëve: Asnjë hap pas

Petrit Vasili, nënkryetar i LSI-së, ka reaguar ndaj deklaratës së bërë nga kryeministri Edi Rama, duke u shprehur se ai është në grahmat e fundit të pushtetit.

Vasili shprehet se Edi Rama zgjedh të dalë dhe t’i tregojë shqiptarëve që pushteti do t’i jepet sovjetëve dhe bolshevikëve.

“Në emër të varfërisë, kryeministri u ofron vetëm burgun. Memoria e shqiptarëve është shumë e fortë, e ftohtë dhe objektive që di ta dallojnë mashtrimin nga e vërteta. Çfarë tha Rama tjetër për shqiptarët?

Tha se nuk ka asnjë problem kriza ekonomike. Edi Rama qau për kushtetutën u shpreh se kushtetuta është e paprekshme për ta. Shqipëria kishte kushtetutë në atë kohë, por kur Edi Rama tmerrohet kushtetuta shkelet.

Ky që nuk e shkelka dot kushtetutën e shkel për ligjin e Hipotekës. Edi Rama zgjedh të dalë dhe t’i tregojë shqiptarëve që pushteti do t’i jepet sovjetëve dhe bolshevikëve. Shqipëria nuk i ka të hapur negociatat dera e europës është mbyllur vetëm për një shkak, shkelja e ligjit.

Ju do përdhunoheni pa shkak dhe akuza siç u përdhunua Sahit Dollapi. Asnjë hap pas të nderuar qytetarë, Edi Rama ka rënë është në grahmat e fundit.’-u shpreh Vasili.

Deklarata e Nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili

Të nderuar qytetarë, të cilët dje keni shënuar faqen e kthesës, e keni ringritur sërish dinjitetin shqiptarëve aty ku ata e meritojnë. U drejtohem sot juve, në këtë moment shumë të vështirë për vendin, ku Shqipëria është pa qeverisje pasi qeverisja është pushtuar nga një kryeministër ilegjitim të dalë nga zgjedhje ilegjitime. Kryeministri shqiptar e ka zanafillën e riardhjes së tij në pushtet as më shumë e as më pak, nga zjarri. Dhe hekuri i cili prodhoi në 21 janar dhe ky është zjarri dhe hekuri i 21 janarit për të cilin ky mashtrues pak ditë më parë tha që kjo godinë, pra kryeministria të cilën e sulmoi edhe me automjete siç i keni këtu dëshmi e qartë.

Ky tha që nuk u hodh asnjë guriçkë, megjithatë ju drejtohem sërish juve qytetarë në këtë moment shumë kyç për vendin, në një moment shumë të rrezikshëm për vendin ku vendi ka mbetur pa qeverisje.

Kryeministri i vendit, hall më mirë me thënë pushtuesi i kryeministrisë, u tregoi shqiptarëve dhe u ofroi vetëm një alternativë, atë që ju ka ofruar për 6 vjet me radhë, burgun. Qytetarë të cilët me mijëra e mijëra, në emër të varfërisë, në emër të poshtërimit, në emër të shkeljes së ligjit, në emër të sundimit të krimit, në emër të sundimit të kriminelëve. Kryeministri u tregon dhe u jep alternativë vetëm burgun, njëherazi ky kryeministër ofron alternativë burgun për shqiptarët dhe ka afruar të bëjë prokurorin, gjykatësin për të tërë të akuzuarit e tij, të tërë të korruptuarit dhe të kriminalizuari e tij.

Bëri avokatin e Dakos, Vangjush Dakos. Bëri avokatin e Saimir Tahirit. Bëri avokatin e të gjithë kriminelëve dhe i vuri kapakun përfundimisht autorëve të zjarrit dhe të hekurit që ishte po vetë, ti bënte dhe avokatin e 21 janarit ku ai prodhoi zjarr dhe flakë nëpër Shqipëri. Memoria e shqiptarëve është shumë e fortë. Shqiptarët janë njerëz të mrekullueshëm dhe të shkëlqyer.

Të ftohtë dhe objektiv që dinë të dallojnë mashtrimin nga e vërteta. Gatuesit e 21 janarit që i shërbyen atij me 21 janar, paskan alibi sot. Agron Malaj, që ai kandidon për bashkinë e Matit, drejtor i OSHE-së që në vitin 2015, është i pafajshëm. Megjithëse ishte shefi i grupit të zjarrit në vitin 2011. Por, i shërbente Edi Ramës, është e qartë në rolin që paska pasur dhe këtij personazhi, Edi Rama i jep alibinë. i jep amnistinë, i jep titullin, i jep gjithçka.

Pra, shqiptarët janë me mijëra me mijëra sepse nuk duan që prokurori, gjykatësi, ai që ndan të mirin nga i keqi, të jetë Edi Rama. Duan që këtë ta ndaj drejtësia. Kjo është drejtësia e Edi Ramës. Pra drejtësi alibi për kriminelët. Pra kriminelët dolën të gjithë të pafajshëm, të korruptuarit dolën të gjithë të pafajshëm. Përgjimet e autorizuara të prokurorisë që nxjerrin qartazi me zë e me figurë e me gjithçka të korruptuarit e tij të cilët do të shkojnë të kandidojnë për alternativën e ngritjes sërish të këshillave popullore, komiteteve ekzekutive të rretheve dhe fitores në 61 bashki. Po flasim për 61 bashki, ai mund të fitojë dhe 69 dhe 70 dhe 240 bashkinë. Dhe motoja bolshevike i gjithë pushteti i sovjetëve

Edi Rama u tha sot shqiptarëve që në një bashki me 800 mijë vetë më mjaftojnë dhe 10 vetë po të më votojnë. Refuzimi masiv i qytetarëve për të nuk ka asnjë problem. Rëndësi ka që pushteti të jetë vetëm ai. Çfarë tha Edi Rama tjetër për shqiptarët. Tha që nuk ka asnjë problem kriza ekonomike, varfëria juaj, qindra mijëra familje që jetojnë vetëm me 3 dollarë në ditë. “Por ka rëndësi që vetëm qeverisja ime të rrijë atje.” Edi Rama qau për Kushtetutën, u shpreh se Kushtetuta është e paprekshme për të. Se datat e zgjedhjeve nuk mund të lëvizin.

LEXO EDHE  “Kapja e vetingut u paralajmërua që në 2015-n”, Vasili publikon raportin: Venecia e parashikoi si rrezik madhor

Po pse shqiptarët e kanë humbur memorien? Kanë harruar shqiptarët që ka qenë Edi Rama që shtyu dy muaj zgjedhjet për një copë certifikatë në vitin 2007 kur kandidonte për kryetar bashkie. Shqipëria kishte Kushtetutë në atë kohë sikurse ka dhe sot që përcaktonte qartë zgjedhjet si atëherë. Por kur Edi Rama trembet tmerrohet, Kushtetuta shkelet, nuk ka asnjë problem. Edi Rama Kryeministër e shkel Kushtetutën, u ndan fitimet oligarkëve për ligjin e dividendëve. E shkel Kushtetutën për ti dhënë fuqi prapavepruese . ky që nuk e shkelka dot Kushtetutën, e shkeli për ligjin e hipotekave. Zgjedh një Kryeprokurore me 69 vota kur Kushtetuta thotë me 84, që ta mbrojë Edi Ramën dhe të gjithë të hetuarit e tij dhe të mos hapë dosjen 339 dhe 184, ku dalin qartë kriminelët dhe gangsterët e qeverisë të cilët kanë rrëmbyer dhe kanë vjedhur zgjedhjet gjithandej.

Edi Rama zgjedh të dalë e tu tregojë shqiptarëve që gjithë pushteti do tu jepet sovjetëve, bolshevikëve, do ringremë komitetet ekzekutive, këshillat popullore të rretheve , do ringremë partinë e punës ndërkohë që Shqipëria përmbytet. Torovica atje është e përmbytur. Edi Rama i krekosur me kollare, me xhepat e mbushur plot me ato që i ka dhënë pushteti, është i qetë, flet për të gjithë pushtetin e sovjetëve. Ndërkohë që qytetarët përmbyten, qytetarët prisnin që të kishin një Kryeministër me çizme, që ti kërkonin hesape një më një përse për vite të tëra ata përmbyten. Por nuk kanë. Kanë një Kryeministër që thotë që të gjithë pushtetin e sovjetëve dhe që u ofron atyre në të gjitha rastet, vetëm e vetëm burgun.

Sot gjithashtu, Edi Rama u bëri dhuratë shqiptarëve edhe mashtrime të tjera të mëdha dhe shqiptarët kanë parë se si Edi Rama ka dekoruar ambasadorë për suksesin e madh të hapjes së negociatave. Shqipëria nuk i ka të hapura negociatat. Dyert e Europës janë mbyllur vetëm për një shkak Shkaku është Edi Rama. Shkaku themelor që Europa na mbyll derën është krimi i organizuar, është korrupsioni, grabitja e zgjedhjeve. Grabitja e zgjedhjeve ka prodhuar një kryeministër të paligjshëm, të dalë nga nj Parlament i paligjshëm, i mbushur me kriminelë, nga ata kriminelë që edhe në Parlamentin që lamë pas, ky u doli për zot, duke filluar nga kryetari i bashkisë së Kavajës e të tjerë, të cilët drejtësia më pas i provoi siç ishin. Dhe nga ish deputetë të tij të cilët janë burgjeve sot dhe të cilët ishin të tërë të ngarkuar me krimin. Të gjithë këta kanë përfituar përkrahjen, mbështetjen e Edi Ramës.

Pra keni qytetarë dy alternativa. Kriminelë të mbrojtur nga Edi Rama, e patë sot bëri sërish gjykatësin, nuk kanë faj tha, kanë dalë në përgjime dhe nuk ka asnjë problem. Ju qytetarë që dilni për bukën e gojës, të rinj, të reja, pasivisht, burra të moshuar, edhe invalidë, edhe njerëz me karroca invalidësh kanë dalë në protestat e opozitës, ju do të shkoni në burg, me faj apo pa faj. Ju do të dhunoheni pa shkak e pa akuzë, siç u dhunua Sait Dollapi. Sepse për pak sekonda policia e çmendur e Edi Ramës na u marros. Për pak sekonda policia e Edi Ramës edhe mund të vrasë njerëz. Por ishin pak sekonda, ishin të irrituar e të mërzitur, sepse kemi brenda vetes atë shqetësimin e tmerrshëm të kryeministrit, i cili ka rrëmbyer karrigen fort. Dhe thotë Shqipëria le të digjet, vetëm unë të rri këtu te kjo qeveri me të gjithë këta delenxhitë e mi. Ju vuani s’ka problem, vuani varfërinë, s’ka zgjidhje, le të vejë korrupsioni thelle e më thellë, siç thonë ndërkombëtarët, jo siç thotë opozita. Le të shkojë varfëria thellë e më thellë, po un të rri të rrëmbej pushtetin.

Ka vetëm një zgjidhje, zgjidhja është ajo që qytetarët dje, të jashtëzakonshëm, me një ndërgjegje shoqërore të nivelit europian më të lartë, i treguan përfundimisht Edi Ramës që nuk bëjmë asnjë kompromis me kriminelët e tu dhe me kriminalizimin tënd. Sot sahati i Edi Ramës ka rënë. Sot Edi Rama është larguar. Sot Edi Rama nuk e çliron dot ankthin e duarve të lyera me gjak. Përpiqet t’i lajë duke qëndruar nëpër konferenca shtypi. Përpiqet që t’i pastrojë, por ato mbeten duar të gjakosura me votat e kriminalizuara të qytetarëve, që janë gjaku, djersa, vullneti dhe e ardhmja e tyre.

Asnjë hap pas! Të nderuar qytetarë, ora e tij ka rënë. Edi Rama është në grahmat e fundit. Faleminderit!