Raiffeisen Bank përfshihet në skandalin e pastrimit të parave ruse “Lavatriçja Troika”

Biznesmenë rusë, disa prej të cilëve me lidhje të ngushta me Kremlinin kanë përdorur kompani offshore dhe firma personash, pa dijeninë e tyre, për të pastruar para në Evropë dhe SHBA. Ata kanë transferuar 5 miliardë euro në bankat perëndimore përmes një rrjeti kompanish guaskë.

Ky përfundim u arrit nga hetimi “Lavatriçja Troika” i kryer nga Projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OÇRP) dhe nga disa media partnere.

Personi në qendër të skandalit është një armen i quajtur Reuben Vardanyan. Ai është një bankier i pasur, President, Drejtor Ekzekutiv dhe partneri kryesor i bankës Troika Dialog. Vardanyan pretendon se ai nuk kishte dijeni për çfarë po ndodhte, pavarësisht se në atë kohë drejtonte bankën.

Paratë u transferuan nga Rusia nëpërmjet bankës Troika Dialog drejt disa bankave të tjera, përfshi Raiffeisen Bank, Citigroup Bank dhe Deutsche Bank. Raiffeisen Bank aktualisht është banka më e madhe në Shqipëri, me mbi 60% të të gjitha depozitave në vend. Nuk dihet ende nëse llogaritë e shqiptarëve janë përdorur për të pastruar paratë e Lavatriçes Troika.

Skema e bankës Trika Dialog i mundësoi elitës ruse të shmangte sanksionet, të shmangte taksat, të bënte investime të fshehta dhe, natyrisht, të pastronte paratë nga krimi i organizuar dhe nga aktivitete të tjera të paligjshme.

LEXO EDHE  Ja ku do të shfaqet Kujtim Gjuzi gjatë protestës (Foto)

Banka thuhet edhe se ka furnizuar me para shumë miq të Presidentit Putin, duke përfshirë edhe kumbarin e njërit prej djemve të tij, i cili akuzohet se mban para në emër të tij.

Nga hulumtimi pritet të ketë lajme dhe rezultate të tjera mbi personat që kanë përfituar nga shumat e mëdha të parave, pasi janë bërë mbi 1.3 milionë transaksione bankare nga 238 mijë persona dhe kompani.

Paratë u përdorën më pas për të financuar festa luksoze, për të blerë jahte të mëdhenj, për të investuar në prona në Britaninë e Madhe dhe në Mal të Zi, madje edhe për t’i bërë dhurime fondacioneve të bamirësisë të menaxhuara nga Princi Çarls.

Identiteti i personave të pasur dhe të pushtetshëm të përfshirë në këtë skemë nuk dihet. Ato për të nënshkruar fatura dhe kontrata false kanë përdorur persona të cilët përdoreshin për të firmosur pa e pasur idenë se çfarë po bënin. Një ndër personat e përdorur, i cili kishte nënshkruar kontrata dhe marrëveshje huaje në miliona euro, u zbulua se ishte një punëtor i thjeshtë armen, që ende jeton në shtëpinë e prindërve të tij./Exit.al/