NGA FITIM ZEKTHI
Nuk ka asnjë rëndësi nëse Elisa Spiropali apo Edi Rama kanë bërë ndonjë kërkim filozofik, ndonjë rravgim të gjatë mbi kuptimin e jetës, ndonjë përsiatje, studim a meditim disavjeçar mbi burimin e moralit dhe përgjegjësitë e njeriut për të thënë se mënyra sesi ata trajtuan ngjarjen e rëndë të Kavajës ishte e “pashpirt” dhe imorale.
Ka mbi dy shekuj që në botë është shfaqur e fuqishme dhe është rritur ideja… (me burim ateizmin) se jeta nuk ka kuptim dhe gjithkush mund t’i japë asaj kuptimin që do vetë. Fridrieh Nietzsche shkroi në “Vullneti për Pushtet” se ne duhet të mbërrijmë në terma të “besimit tek imoraliteti absolut i natyrës dhe të mungesës së kuptimit dhe të qëllimit të impulseve njerëzore..”. Duke folur me këtë gjuhe, Nietzsche ishte shumë pranë me markezin De Sade, që kishte thënë rreth 100 vjet më parë se “natyra jo vetëm nuk është kundër krimit, por ajo, përkundrazi, merr frymë, jeton nga krimi. Në venat e saj ka etje për gjak krimi dhe në zemrën e saj ka uri për mizori”.
Jean Paul Sartre në “Ekzistencializmi është Humanizëm” tha se “njeriu është një pasion i panevojshëm”. Ai tha se “nuk ekziston asnjë e mirë apriori”. Sartre, madje, ishte dakord me Dostojevskin se “në qoftë se nuk ka Zot, atëherë gjithçka është e lejuar” dhe tha se njeriu është për pasojë i mjerë. Për të , “asgjëja që na mbështjell në vdekje është e pranishme në jetët tona të përditshme si krimbi brenda mollës”. Në të njëjtën linjë ishte edhe Russell, që tha në “Adhurimi i Lirë i Njeriut” se, “shpresat, dashuritë, besimet, janë vetëm një renditje aksidentale e atomeve që përbëjnë trupin e njeriut”. Profesori bashkëkohor i Oksfordit, Dawkins, shkruan në “Lumi Jashtë Edenit”, se “duhet të pranojmë që gjërat nuk janë as të mira, as të këqija, as mizore dhe as të dhembshura, por thjesht të pashpirta – indiferente ndaj çdo vuajtjeje dhe pa asnjë qëllim në vetvete”. Nga ky këndvështrim, vetë njeriu mund t’i japë, siç thamë, botës dhe jetës kuptimin që do ose që zgjedh ai vetë.
Një pjesë e madhe njerëzish zgjedhin të ndjekin me çdo çmim gjërat që duan, famën, karrierën, pushtetin, pasurinë dhe mendojnë se gjërat në vetvete nuk janë as të mira, as të këqija, se janë indiferente ndaj vuajtjes, se janë thjesht të pashpirta, se njeriu në fund të fundit është vetëm një pasion, se natyra nuk ka moral, se mund të bëhet gjithçka në ndjekje të “qëllimit” që i ke dhënë ti vetë jetës. Nga kjo premisë është krijuar e majta, nga kjo premisë është krijuar socializmi. Socializmi apo socialistët i dhanë vetë kuptim jetës dhe botës sepse ajo për ta nuk kishte një qëllim në vetvete përderisa nuk ka Zot. Socialistët kërkuan dhe kërkojnë një botë “me barazi, me drejtësi, ku gjithkush merr sa ka nevojë dhe punon sa ka mundësi etj”.
Sigurisht që brenda socialistëve ka pasur që nga ditët e para në shekullin e 19-të dhe ka me shumicë edhe sot, njerëz që i kanë dhënë kuptim jetës, duke zgjedhur virtytin dhe dinjitetin, mëshirën dhe të drejtën, por socializmi është një rrugë shumë e hapur për të gjithë ata që mendojnë se duke qenë se gjërat në vetvete nuk janë as të mira, as të këqija, se janë indiferente ndaj vuajtjes, se janë thjesht të pashpirta, atëherë lejohet gjithçka, bëhet çdo gjë. Për këtë arsye, idetë socialiste kanë prodhuar politikanë të llahtarshëm, kanë prodhuar regjime që kanë prodhuar krime të përbindshme, kanë ushtruar gjenocid, kanë ngritur regjime totalitare etj. Për socialistët ka qenë e lejuar gjithçka gjithnjë.
Për socialistët, gjithçka është politikë dhe gjithçka mund të përdoret politikisht. Për socialistët nuk ka ekzistuar kurrë diçka intime, diçka private, diçka që i përket vetëm njeriut në qetësinë e vet, në heshtjen e vet, në jetën e vet, në “qelën” e vet. Politika, politikja i përfshin të gjitha dhe në funksion të saj është edhe privatja, edhe intimja. Në Kavajë ndodhi diçka shumë e rëndë për jetën një e vajze të mitur, ndodhi diçka dramatike për prindërit dhe të afërmit e saj. Në Kavajë ndodhi diçka ogurzezë për shoqërinë dhe diçka lemerisëse për institucionet. Opinioni publik vloi, u zemërua, u pikëllua, në disa raste edhe bëri sehir (për turpin e vet), edhe kërkoi të shfaqte protagonizëm, edhe bëri sikur qau etj., por kurrë nuk bëri atë që bëri Kryeministri Rama dhe ministrja Spiropali, kurrë nuk e zhveshi veten nga çdo thërrmijë morale dhe ta shfrytëzonte ngjarjen për përfitime deri sa të zbulonte edhe pamjet fizike të familjarëve. Më e poshtra është se Kryeministri iu ulëriti me gjuhë të papranueshme të gjithë atyre që e kritikuan duke iu thënë “pse lehni”.
Kryeministri dhe ministrja e panë ngjarjen si as të mirë dhe as të keqe, e panë atë si një akt që është dhe duhet të jetë indiferent ndaj vuajtjes, e panë atë si një gjë të pashpirt. Për Kryeministrin dhe ministren, ngjarja, krimi, nuk është ndonjë gjë e panatyrshme apo kundër natyrës, përkundrazi është një akt që ndodh kudo (madje, janë bërë filma). Ata sa nuk thanë që tek akte si këto frymon vetë natyra. Në fakt, pushteti i tyre, përderisa i përdor këto akte apo këto ngjarje kriminale, frymon edhe përmes këtyre ngjarjeve. Kur ka ngjarje si rasti i Kavajës, kudo në botë, qeveritarët përpiqen në maksimum të mbrojnë viktimat, përpiqen të mpakin kritikat ndaj tyre, përpiqen të komunikojnë në mënyrën më të butë me popullin dhe me mediat, përpiqen të jenë sa më pak politikë dhe sa më pak konfliktuale. Ata rreken të kuptojnë shkaqet, të gjejnë përgjegjësit dhe mes pikëllimit përpiqen të bëjnë çmos që ato të mos përsëriten. Po marrim vetëm një shembull për të theksuar kontrastin e thellë dhe dëshpërues me atë që bëri Kryeministri Rama dhe ministrja Spiropali.
Në prill të vitit 1999, në SHBA ndodhi një ngjaje shumë e tmerrshme në shkollën e mesme “Columbine” në Columbine të Kolorados, ku u vranë mbi dhjetë nxënës dhe u plagosën shumë të tjerë nga dy nxënës të shkollës. Tërë vendi u shokua. Të gjithë, media, intelektualët, priftërinjtë, rabinët, hoxhallarët, politika, po kërkonte arsyet dhe po shihte gabimet e bëra në vite nga shoqëria dhe elita drejtuese. Hillary Klinton, në një takim të supozuar, bisedoi me drejtuesit kryesorë të Hollywoodit. Ajo takoi Katzenberg-un e “Dreamworks”-it, Grefen dhe Murdoch të “Fox”-it, Lansing të “Paramount”-it, Pascal të “Columbia”-s, Myer të “Universal”, Stringer të “Sony”-it dhe shumë regjisorë, producentë të mëdhenj të Hollywood-it. Takimi ishte i fshehtë, nuk u bë për politikë, nuk u bë që të fitohej politikisht. Takimi u bë për të gjetur zgjidhje, takimi u bë për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë e SHBA-së. Për takimin e supozuar është folur më vonë. Klinton iu tha atyre se, “ne kemi një problem me kulturën, ne e dimë – sidomos e dinë prindërit që vërejnë se fëmijët e tyre shohin natën ose edhe ditën filma me dhunë dhe seks, ose dëgjojnë vazhdimisht këngë me tekste të tmerrshme…”. Klinton tha se Hollywood-i është një pjesë e rëndësishme e problemit. Klinton iu tha atyre se ajo e dinte se “ata janë shumë të talentuar, se ata janë gjeni, se ndryshe nga sa thuhet, ata nuk e bëjnë gjithçka për para. Por, ama, edhe paraja është bërë një gjë shumë e rëndësishme. Nuk duhet të jetë paraja ajo që udhëheq. Nuk po flasim për censurë, por po flasim për fëmijët që vijnë nga shkolla, të prindërve që janë në punë dhe mezi e përballojnë jetesën. Fëmijët vijnë në shtëpi, janë vetëm, hapin televizorin, hapin telefonin dhe janë përballë asaj që iu jep televizori apo telefoni, janë përballë dhunës dhe seksit.
Prindërit vijnë vonë, vijnë të lodhur…”.. Klinton nuk është një politikane konservatore, përkundrazi është një liberale, por gjithsesi nuk e sheh botën si De Sade, nuk e sheh botën të “pashpirt”, nuk e sheh botën si një skenë, në të cilën duhet bërë gjithçka për politikë, nuk e sheh botën si Rama dhe Spiropali. Po të flasësh sesi i trajtojnë ngjarje të tilla politikanët konservatorë, sesi i trajtonin dhimbjet e njerëzve Reagani apo De Gasperi, Adenaueri apo edhe Mike Pence, do të kuptosh se politika është gjëja më e lënë mënjanë, është gjëja që thuajse nuk ekziston fare. Sigurisht që Rama dhe Spiropali nuk mund të jenë si Hillary, nuk mund të kuptojnë dhe as iu shkon mendja të kuptojnë se pse ndodhi ngjarja në Kavajë, as nuk e kanë fare shqetësim se ç’do ndodhë nesër, por të paktën ata mund të kursejnë diçka nga etja politike.
Në qoftë se ata nuk ulen të flasin me drejtuesit e mediave, me sociologët, me pedagogët, me hoxhallarët, me priftërinjtë me butësi dhe me sens të thellë përgjegjësie, të paktën të mos sulmojnë duke i quajtur qen kritikët. Ka shkuar aq keq puna sa nuk po i kërkon njeri Ramës dhe Spiropalit të mendojë për fëmijët, që vijnë nga shkolla dhe nuk gjejnë për të ngrënë në shtëpi, për fëmijët, prindërit e të cilëve janë në punë dhe nuk ushqejnë dot familjet, për fëmijët, prindërit e të cilëve janë në emigrim (si babai i vajzës nga Kavaja), por po i kërkojnë veç të mos bëjnë politikë me gjithçka. Rama dhe Spiropali, me ngjarjen e fundit, u sollën me të njëjtin kriter moral si djemtë që abuzuan me vajzën. Djemtë që abuzuan i panë gjërat si as të mira dhe as të këqija në vetvete, e panë përdhunimin si diçka që nuk ka shpirt, e panë krimin si diçka që tregon vetëm frymimin e natyrës dhe etjen e saj për gjak kriminal etj.