Tenderat e Ministrisë së Drejtësisë, miliona lekë dëme/ Ja çfarë ka ndodhur me …

Më 29 dhjetor 2016, Ministria e Drejtësisë shpalli një tender për të siguruar pajisje për mbikëqyrjen elektronike të personave që vuajnë dënime alternative-të cilat njihen gjerësisht si byrzylykët elektronikë. Por grupi i punës nuk përgatiti specifikime teknike dhe zgjodhi t’u drejtohej operatorëve në treg për të caktuar fondin limit.

Zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë morën oferta nga tre kompani dhe përmes një mesatareje të thjeshtë matematikore e vendosën fondin limit në rreth 233 milionë lekë.

Tenderi u fitua nga bashkimi i tre operatorëve “Fastech sh.p.k, Ratech sh.p.k dhe Soft & Solutions”, dy prej të cilave kishin kontribuar me oferta për përcaktimin e vlerës së tenderit.

Por një hetim i Prokurorisë së Tiranës, i nisur nga një raport auditi i Ministrisë së Financave tregon se tenderi dështoi të ofronte pajisje që garantonin siguri në mbikëqyrjen e të dënuarve.

Tenderi i byrzylykëve elektonikë ishte më i kushtueshmi, por jo i vetmi që dyshohet se u zhvillua përmes shkeljeve dhe në fund dështoi të ofronte shërbimet e kërkuara. Sipas Prokurorisë së Tiranës dhe raportit të auditit të Ministrisë së Financave, pesë tendera të zhvilluar në vitet 2016-2017 nga Ministria e Drejtësisë me vlerë rreth 550 milionë lekë [4.4 milionë euro] janë kryer në shkelje të procedurave dhe nuk kanë sjellë rezultate në përmirësimin e shërbimeve.

Pjesë e hetimeve janë bërë tenderat për mirëmbajtjen e sistemit ICMIS të Gjykatave Administrative, ai i sistemit të Regjistrit Noterial, tenderi i sistemit të monitorimit me kamera të burgut të Lezhës dhe atij të Fushë-Krujës, i sistemit elektronik të Përmbarimit si dhe ai i byrzylykëve elektronikë.

Javën që kaloi, Prokuroria e Tiranës ngriti akuza dhe lëshoi urdhër-arreste për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera për sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha, drejtorin Aurel Lamçe dhe specialistët e IT-së, Arlind Alikaj dhe Lysien Ali. Gjykata vendosi masën e “arrestit shtëpiak” për tre zyrtarët, ndërkohë që Ali është shpallur në kërkim.

Tetë nëpunës të tjerë, pjesë e grupeve të punës apo komisioneve të vlerësimit të ofertave janë gjithashtu në hetim.

Organi i akuzës deklaroi se po verifikon edhe mbi përgjegjësinë e ish-ministrave të Drejtësisë, Petrit Vasili dhe Ylli Manjani për tenderat e mësipërm.

Por hetimi i Prokurorisë së Tiranës u shoqërua me debate politike të enjten në Kuvend. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi akuzoi ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj se kishte shantazhuar prokurorë dhe gjyqtarë për të arrestuar punonjësit e Ministrisë së Drejtësisë. Përmes një deklarate për shtyp, Gjonaj u përgjigj se mbështeste prokurorinë në luftën kundër korrupsionit, “për të vënë para përgjegjësisë këdo që ka hedhur firmën në ato tenderë”.

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ironizoi Prokurorinë përmes një statusi në Facebook, ndërsa u shpreh i hapur për verifikim.

“Nëse ky pushtet ka mbaruar punë me trafikun e drogës, kanabizimin e vendit, koncensionet e PPP, tenderat…le ti verifikojnë edhe shërbimet mbështetëse të Ministrisë së Drejtësisë. Biles edhe të kohës së sotme, se i njëjti personel është…,” reagoi Manjani.

Ardian Visha, avokati i të akuzuarve Lamçe dhe Alikaj nuk pranoi të komentonte mbi akuzat e ngritura ndaj klientëve të tij.

Mangësitë e tenderave

Dosja hetimore për abuzimet me tenderat në Ministrinë e Drejtësisë u inicua nga një audit i Ministrisë së Financave, i kryer në përiudhën tetor-nëntor 2018. Grupi i inspektimit hartoi një raport prej 127 faqesh për shkeljet e pretenduara dhe ia dorëzoi atë në formën e kallëzimit penal Prokurorisë së Tiranës.

Hetimet paraprake verifikuan parregullsitë në procedurat e prokurorimeve të pesë tenderave, por edhe abuzime me likujdimet e kryera gjatë vitit 2018, të cilat sipas raportit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare për buxhetin e shtetit.

Sipas dosjes së auditit të Ministrisë së Financave që BIRN e disponon, të pestë tenderat e audituar kanë nxjerrë fitues operatorët ekonomike me vlerat më të larta, ndërkohë që konkurrentët në garë janë paraqitur pa ofertë ose pa dokumentacion-një praktikë kjo që ngre pikëpyetje për paracaktimin e fituesve.

Për tenderin me objekt “Përmirësimi i sistemit të mbikëqyrjes elektronike në fushën penale”, auditi ka konstatuar si shkelje përcaktimin e fondit limit në mungesë të një studimi dhe përmes marrjes së ofertave në treg. Edhe pse grupi i punës është justifikuar se nuk kishte kontata të mëparshme të këtij lloji, audituesit kanë konstatuar se për këtë shërbim Ministria e Drejtësisë ka lidhur dy kontrata të mëparshme, ku shërbimi është kryer me partnerë ndërkombëtarë.

Përveç këtij tenderi, kompanitë Fastech dhe Soft & Solution kanë fituar një tjetër kontratë në shkurt 2017 për përmirësimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të menaxhimit elektronik të çështjeve të Përmbarimit me vlerë 67 milionë lekë dhe me afat zbatimi një periudhë 51 mujore. Të dhënat e siguruara tregojnë se për këtë tender është skualifikuar oferta më e ulët dhe është shpallur fituese ajo më e larta, me argumentin se plotësonte kushtet për kualifikim.

Nga verifikimet ka rezultuar se likujdimi i kontratës është realizuar në shkallën 89.6% dhe pjesa e mbetur në vlerën 6.900.000 lekë është shërbim mirëmbajtje deri më 9 mars 2021. Tenderi i mësipërm rezulton të jetë zhvilluar pa pasur në dispozicion fonde për vitet 2020-2021.

Probleme janë konstatuar edhe në tenderin për pajisjen me kamera të burgut të Lezhës dhe Fushë-Krujës, tender i cili nuk u zhvillua nga Burgjet por nga Ministria e Drejtësisë përmes një udhëzimi të ish-ministrit Petrit Vasili.

“Ministri mund të nxjerrë udhëzim, por në këtë rast ka urdhëruar kryerjen e procedurave të parashikuara nga një autoritet varësie, që është autoriteti kontraktor përgjegjës për prokurimin e fondeve publike të akorduara për këtë institucion,” thotë grupi i audituesve.

Për tenderin që lidhej me dixhitalizimin e Regjistrit Noterial, audituesit kanë vërejtur se mungonin specifikimet teknike dhe se ka pasur bashkim mekanik të fondeve.

“Ky bashkim mekanik i fondeve ka rritur në mënyrë fiktive vlerën e fondit limit të prokuruar…,” thuhet në raport.

Probleme të ngjashme janë hasur edhe në tenderin për sistemin elektronik të Gjykatave Administrative, ku fondi limit është përcaktuar mbi bazën e ofertave të dhëna nga operatorët në treg.

“Bazuar në mesataren e ofertave të tre subjekteve, fondi limit për këtë projekt është përllogaritur në vlerën 12 405 400 lekë pa TVSH,” thuhet në raport.

Realizime gjysmake

Auditi i Ministrisë së Financave ka arritur në përfundimin se shkeljet ligjore në përgatitjen e tenderave dhe shpalljen e fituesve nuk janë të vetmet. Rezultatet e ofruara nga kompanitë fituese konsiderohen gjithashtu të mangëta dhe të vonuara, duke mos sjellë përmirësime të sistemeve të prokuruara.

Për shembull, audituesit e kanë pasur të vështirë të dokumentonin produktin e dorëzuar nga fituesit e tenderit për sistemin e kamerave në burgun e Lezhës dhe atë të Fushë-Krujës.

“Afati i lëvrimit është caktuar të jetë 4 vjet dhe 3 muaj nga data e nënshkrimit dhe hyrjes së saj në fuqi. Nuk ka rezultuar të dokumentohet që të jetë kryer ky shërbim nga kontraktori zbatues brenda afatit të ekzekutimit të kontratës, që ka nisur nga data 25 shtator 2017 e në vazhdim,” thuhet në raportin e auditit, ku shtohet se personat përgjegjës janë mjaftuar vetëm me përmbajtjen e proces-verbalit të marrjes në dorëzim.

Për tenderin me objekt “Përmirësimi i sistemit të mbikqyrjes elektronike në fushën penale” është vlerësuar se kontrata e nënshkruar mes sekretares së Përgjithshme, Juliana Hoxha dhe bashkimit të operatorëve fitues nuk ka qenë e rregulllt, pasi nuk ka qenë në gjendje i gjithë fondi i tenderuar.

Probleme janë evidentuar edhe gjatë zbatimit të kontratës. Në procesverbal është nënvizuar se grupi i punës dhe magazinerja kanë kontrolluar mallin nga ana vizuale për sasinë apo dëmtime të ndryshme ambalazhimi në secilën prej kutive. Por në fund, pajisjet nuk janë konsideruar të sigurta.

“Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës ka arritur në përfundimin që bashkimi i operatorëve ekonomikë nuk jep garanci për funksionimin e rregullt të mbikëqyrjes elektronike. Për pasojë, ky shërbim nuk garantonte sigurinë publike dhe ekzekutimin efektiv të vendimeve gjyqësore,” shkruhet në raport. Grupi i auditit e konsideron pagesën prej 150 milionë lekësh ndaj kompanive Fastech, Ratech dhe Soft & Solution si dëm ekonomik.

Lidhur me kontratën për sistemin ICMIS të Gjykatave Administrative, inspektorët e Ministrisë së Financave kanë vlerësuar se mosrealizimi i dhjetëra trajnimeve që duhej të ishin kryer në gjykatat administrative ka shkaktuar dëm ekonomik.

Programet e trajnimit dyshohet të mos jenë kryer as për noterët lidhur me sistemin e Regjistrit Noterial. Lidhur me këto shërbime të padokumentuara ose likujdim të kryera jashtë afatit kohor, audituesit kanë identifikuar një dëm ekonomik në total që kap vlerën e 12 milionë lekëve.

Audituesit e konsiderojnë si përfitim të padrejtë këtë vlerë, pasi në disa raste shërbimet nuk janë dokumentuar dhe në raste të tjera likujdimi është kryer jashtë afatit kohor të përcaktuar në kontratë, gjë për të cilën vlerësojnë se krijon efekte financiare negative për Ministrinë e Drejtësisë.

Tenderët e hetuar

“Përmirësimi i sistemit të mbikqyrjes elektronike në fushën penale” u fitua nga bashkimi i operatorëve “Ratech” “Fastech“ dhe “Soft & Solution” me vlerë 233,952,000 lekë.

“Ri-konceptimi, përmirësimi dhe mirëmbajtja e sistemit të menaxhimit elektronik të çështjeve të përmbarimit të ALBIS” u fitua nga bashkimi i operatorëve “Soft & Solution” dhe “Fastech” me vlerë 67 080 000 lekë.

“Sistemi i monitorimit me kamera për Burgun Lezhë dhe Fushë Krujë” u fitua nga operatorët “Fastech”, “PC store” dhe “Ratech” me vlerë 107 925 000 lekë.

Përmirësimi, zhvillimi dhe mirëmbajtja e Rregjistrit Noterial Shqiptar u fitua nga Helius Systems dhe BNT Electroniks me vlerë 24 240 000 lekë.

“Mirëmbajtje dhe Zhvillim i Sistemit ICMIS (Gjykatave Administrative) u zbatua nga INKUB Info me vlerë 11 909 184 lekë. /BIRN/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here