Austria “flet” shqip: Me këtë drejtësi, nuk ka BE. Arrestimi i Tahirit? Askush të mos fshihet pas autoritetit

Për herë të parë në programin e një qeverie shqiptare, Austria është renditur si partner strategjik. Krahas Italisë, Greqisë dhe Turqisë, në programin e “Rama 2”, marrëdhëniet me Vienën kanë marrë rëndësi prioritare. “Na gëzon fakti që Austria tashmë është bërë pjesë e katërkëndëshit strategjik të Shqipërisë, pasi tregon mirënjohje”, thotë Dr. Michael Linhart në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”. Zv/ministri dhe sekretari i përgjithshëm i MPJ-së austriake ndodhet sot në Tiranë për një vizitë zyrtare.

I pyetur nga “GSH” për reformën në drejtësi, Linhart përgjigjet “shqip”: Me këtë sistem drejtësie nuk mund të hyni në BE. Zyrtari austriak është optimist që Shqipëria mund të hapë negociatat për anëtarësim në BE, brenda gjysmës së dytë të vitit të ardhshëm. Lidhur me vendimin e Kuvendit për rrëzimin e kërkesës së prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Linhart thotë: “Askush nuk duhet të kërkojë dhe të gjejë mbrojtjen e ndonjë autoriteti. Kjo vlen për të gjitha vendet që dëshirojnë t´i bashkohen kësaj ideje”.

Linhart, Shqipëria është vend kandidat për anëtar i Bashkimit Europian dhe synon që brenda vitit të ardhshëm të hapë negociatat me BE-në. A mendoni se kjo aspiratë është e mundshme të ndodhë në një periudhë të afërt?
Së pari dëshiroj të theksoj se kontributi më i mirë për stabilitetin dhe prosperitetin në këtë rajon është integrimi hap pas hapi në Bashkimin Europian. Eshtë mjaft inspiruese të shikosh dëshirën e popullit shqiptar për të qenë pjesë e projektit europian. Në fakt, viti që vjen do të jetë mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë dhe do të ofrojë mundësi të mëdha për të. Kjo kohë është një mundësi e mirë për Shqipërinë për të bërë detyrat e shtëpisë dhe për të përmbushur kushtet, në mënyrë që vendi të marrë mbështetjen e nevojshme për të hedhur hapin tjetër drejt integrimit. Ne do të jemi- ashtu siç kemi qenë edhe në të shkuarën- mbështes të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Prandaj ajo që unë do të kërkoja nga qeveria shqiptare do të ishte: Na ndihmoni, që t´ju ndihmojmë!

LEXO EDHE  Kadilli: PD nuk mund të shërbejë si vendstrehim për Berishën, loja mes liderve pa princip

Shqipëria përgatitet të nisë zbatimin e “reformës në drejtësi”, proces i cili përfshin ndryshime në të gjithë strukturën e prokurorisë dhe gjyqësorit në vend. Sa të rëndësishme janë lufta kundër krimit dhe korrupsionit për integrimin në BE të Shqipërisë?
Reforma në drejtësi do të jetë fushëbeteja e Shqipërisë në vitet në vijim. Besoj se nuk ka më kthim prapa, edhe pse po bëhen përpjekje për këtë. Mendoj se ju duhet të filloni të pastroni sektorin e drejtësisë, sepse çdo shoqëri ka nevojë për arbitër final dhe ky arbitër është drejtësia. Por mos më keqkuptoni: ka mjaft “mollë të kalbura” në sektorin e drejtësisë, por unë kam takuar edhe gjyqtarë e prokurorë të shkëlqyer. Nuk është bardhë e zi. Por me këtë sistem që keni tani nuk mund të hyni në BE. Pastrimi politik do të vijë gradualisht me krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, si prokuroria speciale për korrupsionin, ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet e tjera të rajonit. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është çelësi i progresit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Muajin e kaluar, parlamenti shqiptar pengoi prokurorinë të arrestojë ish-ministrin e Brendshëm, i cili akuzohet për pjesëmarrje në grup kriminal dhe favorizim të trafikut të drogës. A përbën ky një sinjal negativ që politika i jep dhënies së drejtësisë në vend?
Unë jam i bindjes se qytetarët e një shteti duhet të jenë të barabartë para ligjit. Askush nuk duhet të kërkojë dhe të gjejë mbrojtjen e ndonjë autoriteti. Kjo vlen për të gjitha vendet që i janë bashkuar idesë europiane dhe sigurisht edhe për vendet që dëshirojnë t´i bashkohen kësaj ideje. Një tjetër parim i rëndësishëm ligjor është edhe prezumimi i pafajësisë. Prandaj unë do të këshilloja, t´i lëmë gjykatat të punojnë.



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here