Qeveria bëri një sy qorr, ndërsa pronat e gjigantit të hidrokarbureve ARMO iu shitën në ankand në mënyrë të paligjshme Bankës Credins, duke i mohuar taksapaguesve mundësinë për të rimarrë një pjesë të qindra milionë eurove borxhe që kompania ka ndaj punonjësve, buxhetit të shtetit dhe kompanive publike.
Në 2 Shtator 2016, ish ministri i Financave Arben Ahmej, zv/kryeministri Niko Peleshi dhe një biznesmen amerikan i quajtur Harry Sargeant u shfaqën përpara kamerave të televizioneve në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, të shoqëruar nga dhjetëra punëtorë me kaska mbrojtëse shumëngjyrëshe dhe fytyra mosbesuese, për të njoftuar rifillim e punës së rafinerisë nën menaxhimin e kompanisë amerikane IRTC.“Çdokush e di se çfarë ka kaluar industria e naftës, sidomos ju që e mbani mend mirë atë privatizim të dështuar dhe korruptiv që rëndoi mbi të gjitha në kurrizin tuaj si të punësuar dhe që përfunduat gati -gati në skllevër të papunë për disa vite,” deklaroi Ahmetaj.“Vetëm në vitin e parë janë 52 milionë dollarë investime që shkojnë në rinovimin e rafinerisë,” premtoi Ahmetaj, duke nënvizuar se investitorët e rinj do të kthenin në punë të 1200 punëtorët e saj.Një vit më vonë, investimet që premtoi ish-ministri i Ekonomisë nuk duket se janë materializuar.Ndërkohë, dokumentet e zbuluara nga BIRN tregojnë që 2 muaj pas shfaqjes publike të Ahmetajt dhe Peleshit në krah të Sargeant në Ballsh, 54 asete të kompanisë ARMO u tjetërsuan në mënyrë të paligjshme nga Banka Credins – e cila më pas ia dha rafinerinë në përdorim kompanisë IRTC kundrejt një qiraje mujore.Një hetim administrativ i Ministrisë së Drejtësisë – një kopje e të cilit u sigurua nga BIRN, zbuloi se blerja e aseteve të ARMO-s nga banka është bërë në kundërshtim me ligjin, duke i sjellë një dëm të konsiderueshëm interesave të shtetit, ndaj të cilit ARMO ka qindra milionë euro borxhe.Ndërkohë, rafineria e Fierit dhe një numër asetesh teknologjike të lidhura me të janë të bllokuara me barrë hipotekore nga Banka Raiffeissen, e cila mësohet gjithashtu se ka lidhur një marrëveshje ‘ruajtjeje’ me kompaninë IRTC.E zhveshur nga rafineria saj më e madhe në Ballsh, kompania ARMO Sha –85 % e aksioneve të së cilës zotërohen nga një grup investimesh nga Azerbajxhani i regjistruar në Ishujt Virgjin Britanikë dhe 15 % nga ministria e Ekonomisë – ka të paktën 178 milionë euro borxhe ndaj buxhetit të shtetit – borxhe që tashmë kanë shumë pak shanse të rikuperohen.Azerët kanë treguar pak interes ndaj kompanisë gjatë viteve të fundit, por një burim i Ministrisë së Energjisë i tha BIRN se kjo mund të ndryshojë, pasi tjetërsimi i paligjshëm i aseteve e ekspozon Shqipërinë ndaj padive për dëmshpërblim në arbitrazh.Nga viti 2013 deri në vitin 2016, asetet e ARMO-s si rafineria e Balshit dhe ajo e Fierit iu dhanë me qira kompanive Deveron Oil dhe TP&D Oil, të cilat gjithashtu kanë krijuar dhjetëra milionë euro borxhe ndaj tatimeve dhe doganave. BIRN ka mësuar se ngjashëm me kompanitë e tjera që kanë marrë në menaxhim nëpërmjet qirasë asetet e ARMO-s më parë, edhe IRTC ka grumbulluar gjatë vitit e fundit borxhe ndaj buxhetit të shtetit në vlerë 22 milionë euro, duke e thelluar edhe më shumë krizën financiare në sektorin e hidrokarbureve.Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, ky borxh tashmë vlerësohet në më shumë se 700 milionë USD dhe është rritur në mënyrë eksponenciale nga viti 2013 – pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste.E kontaktuar nga BIRN, Banka Credins nuk e komentoi transaksionin e tjetërsimit të aseteve të ARMO. Ngjashëm me bankën, edhe një numër institucionesh me rol mbikëqyrës ose me interes të drejtpërdrejtë në transaksionin e ‘paligjshëm,’ si Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit nuk iu përgjigjën një kërkese për koment. IRTC gjithashtu nuk iu përgjigj një kërkese për koment.Ndërkohë, Ministria e Energjisë i tha BIRN nëpërmjet një përgjigje me shkrim se tashmë rafineria e Ballshit dhe e Fierit ishin në pronësi të bankave, të cilat i ka dhënë asetet e saj në ruajtje.“Procesi i kalimit në administrim të rafinerive të naftës së Ballshit dhe të Fierit është realizuar nëpërmjet procedurave të përmbarimit, nga kreditorët e shoqërisë ARMO Sh.A. të cilët fituan të drejtën e sekuestrimit të tyre,” tha MEI.“Më tej, këta të fundit kanë lidhur një kontratë për ruajtjen dhe menaxhimin e këtyre aseteve me një shoqëri tjetër,” shtoi ajo.
Shitja e paligjshme e aseteve
Kur ish-ministri Arben Ahmetaj dhe zv/kryeministri Niko Peleshi u shfaqën së bashku me Harry Sargeant në Ballsh me 2 Shtator 2016, kompania IRTC nuk e kishte marrë ende në menaxhim rafinerinë e Ballshit që në atë kohë ishte nën pronësinë e ARMO-s. Kompania e hidrokarbureve, për shkak të borxheve kishte një listë të gjatë urdhrash ekzekutimi përmbarimorë për bllokimin e aseteve, në krye të së cilës qëndronin Tatimet, Doganat, Albpetrol, bankat dhe furnitorët.Në kodin e procedurës civile përcaktohet qartë radha e kreditorëve preferencialë, të cilët kanë të parët të drejtën për të marrë paratë për ekzekutimin e mallit: punonjësit, autoritetet fiskale, kompanitë publike, bankat e më pas palët e treta të lidhura me kompaninë. Por në rastin e ARMO-s, kodi i procedurës civile nuk është respektuar dhe 54 asete të kompanisë janë tjetërsuar nga Banka Credins.Në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Mallakastër ka pasur 54 prona të regjistruara në emër të ARMO Sha. Për këto prona ka pasur një kërkesë për barrë hipotekore që nga data 13 Prill 2016 nga Zyra e Tatimpaguesve të Mëdhenj në Tiranë.Kundrejt pronave të ARMO ka pasur dhe shtatë procedura të tjera përmbarimore të iniciuara në mënyrë respektive nga Raiffeisen Bank, Banka Credins, shoqëria Serjani Sh.p.k, fondacioni “Kreditimi Urban,” OSHEE, Ujësjellës Kanalizime Fier, kompania Fit Mek Oil, Albpetrol dhe Ballanca Law Offices.Por megjithë kërkesën për barrë hipotekore nga Tatimet dhe listën e gjatë të procedurave të ekzekutimit, ZVRPP Mallakastër ka vendosur t’i japë prioritet një urdhri ekzekutimi të iniciuar nga shoqëria përmbarimore T.M.A për kreditorin Banka Credins.Ky urdhër ekzekutimi bazohet te vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier nr. 378 datë 22 Prill 2016, lëshuar për titullin ekzekutiv “Kontrate Linje Kredie Nr. 10079 Rep. Nr. 3222 Kol datë 30.08.2013” të lidhur mes kredidhënësit Banka Credins dhe kredimarrësit – debitor ARMO sh.a.Me datë 10 Qershor 2016, shoqëria përmbarimore T.M.A, nëpërmjet vlerësuesit Arjan Gusho, i ka vlerësuar 54 asetet e ARMO Sh.a të regjistruara në ZVRPP Mallakastër me vlerën 31,2 milionë USD.Katër muaj më vonë, më datë 13 Tetor 2016 përmbaruesi privat i ka nxjerrë në ankand asetet e ARMO-s për 80 % të vlerës së pasurive ose 25 milionë USD. Në datën 28 Tetor 2016 është mbajtur ankandi, në të cilin fitues është shpallur kreditori Banka Credins, e cila ka zgjedhur të mos e paguajë vlerën e aseteve të nxjerrë në ankand duke i shkëmbyer me detyrimin kreditor që ARMO kishte kundrejt saj.Blerja nga kreditori Banka Credins i aseteve që ajo kishte nxjerrë në ankand për të ekzekutuar kolateralin ndaj ARMO-s ka ngjallur dyshime në Ministrinë e Drejtësisë, e cila ka urdhëruar një hetim administrativ për procedurat e tjetërsimit të këtyre pronave.“I gjithë dyshimi më lindi kur pashë ankandin që një kompani e përmbarimit privat kishte zhvilluar për shitjen e aseteve të ARMO-s, ku banka Credins po shiste pronat e lëna kolateral pranë saj dhe në fund të ankandit i blinte po ajo,” tha për BIRN një ish zyrtar i lartë i Ministrisë së Drejtësisë.“Një procedurë e tillë nuk ka ndodhur kurrë,” shtoi ai.Raporti i hetimit administrativ i hartuar nga Ministria e Drejtësisë zbuloi se blerja e shumicës së aseteve të ARMO-s, përfshirë rafinerinë e Ballshit e cila ka dhe kapacitetin më të madh përpunues të naftës është bërë në shkelje të ligjit.Megjithatë, i vetmi person mbi të cilin ra përgjegjësia është kryeregjistruesi i ZVRPP Mallakastër, i cili u pushua nga puna dhe pas një padie penale në Prokurori, u arrestua.“ARMO është një nga këto rastet e kreditorëve të këqinj, ku urdhrat e sekuestros janë të mbivendosura,” tha për BIRN një burim, i cili është palë e interesuar në ekzekutimin e aseteve të kompanisë, pasi është pjesë e kreditorëve të ARMO-s.“Edhe pse prona ishte lënë më parë kolateral, banka ka vazhduar t’i japë kredi. Në rastin e Credins Bank 17 milionë euro. Prandaj ishte e detyruar të bënte gjithë këtë lojë,” shtoi ai.Sipas të njëjtit burim, nëse ZVRPP Mallakastër do të respektonte ligjin, Bankës Credins “nuk do t’i vinte ndonjëherë radha për të marrë pronën e lënë peng nga kredia.”
Institucionet mbyllën sytë ndaj ankandit
Detaje të raportit të hetimit administrativ që hartoi Ministria e Drejtësisë, i cili është referuar në Prokurorinë e Përgjithshme, hedhin dritë gjithashtu se si institucionet shtetërore bënë një vesh shurdh në kohën që përmbaruesi i njoftoi nëse kishin pretendime mbi shitjen e rafinerisë së Ballshit, si kreditorë preferencialë.Zyra e regjistrimit të pasurive në Mallakastër, edhe pse ka marrë një kërkesë për vendosjen nën sekuestro të pronave të ARMO-s në uzinën e Ballshit nga ana e Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj, nuk ka marrë asnjë veprim për kufizimin e pronësisë. Po ashtu edhe drejtoria e Tatimeve nuk i ka nisur asnjë shkresë përmbaruesit që zhvilloi ankandin për t’i vënë në dijeni radhën që kishte si kreditor preferencial dhe të kërkonte anulimin e shitjes.Situata ndryshon me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, e cila e kishte të vendosur masën e sekuestros në rafinerinë e Ballshit dhe është njoftuar nga përmbaruesi për të drejtën e pronësisë, por nuk ka kthyer asnjë përgjigje në adresë të shoqërisë T.M.A.- duke hequr dorë në mënyrë vullnetare nga pasuria.“Pas shpalljes se fituesit, përmbaruesi gjyqësor ka njoftuar Bashkinë Ballsh dhe Degën e Doganës Lezhë me qëllim respektimin e të drejtave të tyre preferenciale. Nga dokumentacioni i administruar rezulton se nuk ka përgjigje nga Dega e Doganës Lezhë. Bashkia Ballsh ka kthyer përgjigje, po ky institucion është shprehur se në datën 10.11.2016 ka përpiluar një akt-marrëveshje për arkëtimin e detyrimit me këste. Në shkresë nuk përcaktohet përmbajtja e kësaj akt-marrëveshje, po institucioni shprehet se përmbaruesi mund të vazhdojë ekzekutimin, duke e përjashtuar Bashkinë Ballsh nga procesi ekzekutiv përmbarimor,” citohet në raport.E gjithë manovra- sqaron raporti, ka sjellë si rezultat që Banka Credins të jetë i vetmi subjekt që fiton të drejtën e kreditorit preferencial. Në rasti se autoritetet debitore do të kërkonin pronësinë në asetet e rafinerisë ARMO, Banka Credins nuk do të arrinte të merrte asnjë nga 54 pronat që përfitoi nga ankandi i datës 23 Nëntor 2016.“Në rastin konkret, blerësi “Banka Credins” ka rezultuar se gëzon i vetëm shkaqet e preferimit, duke pasur mundësinë si blerës dhe kreditor të paguajë çmimin nëpërmjet kompensimit të vlerës së çmimit, me vlerën e detyrimit për të cilat këto sende janë vendosur në hipotekë,” thotë raporti.Ndryshimi i pronësisë së ARMO-s për llogari të bankës Credins hedh të tjera dyshime mbi procedurën që ka zhvilluar në marrjen në zotërim të aseteve të rafinerisë së Ballshit. Një dokument konfidencial i siguruar nga BIRN, tregon se edhe pse Banka Credins e bleu në ankand kolateralin e saj, ajo nuk pagoi asgjë për të marrë asetet.Në një përgjigje që Banka Credins i kthen shoqërisë së përmbarimit T.M.A., e cila i kujton bankës bërjen e pagesës si blerës në ankand, banka thotë se nuk ka plan të derdhë asnjë qindarkë, por i njeh ARMO-s të shlyer detyrimin që ajo ka pranë saj në vlerë 2.2 miliardë lekë.“Lidhur me pagesën e çmimit të pasurive të blera në ankand, ju njoftojmë se Banka Credins sh.a., në cilësinë e kreditorit shlyen detyrimet që debitori shoqëria ARMO sh.a. ka ndaj saj, duke kompensuar në këtë mënyrë shlyerjen e detyrimit.”Paralelisht me procedurën e mësipërme, BIRN ka mësuar gjithashtu se kredia që ARMO kishte kundrejt Raiffeisen Bank është ristrukturuar, ndërkohë që rafineria e Fierit është dhënë gjithashtu në menaxhimin e IRTC.Një burim konfidencial në Bankën e Shqipërisë tha për BIRN se shoqëria ARMO tashmë ka dalë nga lista e kreditorëve të këqinj.ARMO ka qenë një ndër 35 korporatat e mëdha që kishin 65% të totalit të portofolit të huave me probleme, ndërsa sot rezulton të jetë një ndër shtatë ndërmarrjet që janë ristrukturuar.“Nuk ka më ARMO në listën e kreditorëve të këqinj. Kredia që ka pasur me Credins Bank është shlyer e gjitha, ndërsa ajo me Raiffeisen është ristrukturuar dhe është duke u paguar me këste,” tregoi në kushtet e anonimatit një punonjës i Bankës së Shqipërisë.Në total ARMO ka pasur 2.7 miliardë lekë detyrime ndaj Raiffeisen dhe 2.8 miliardë lekë ndaj Credins Bank. Detyrimet për Tirana Bank, Union Bank dhe BKT nuk janë shlyer. Në total borxhi ndaj të treja bankave arrin në vlerën e 500 mijë dollarëve.”Edhe pse Banka e Shqipërisë është informuar nga Ministria e Drejtësisë për procedurën problematike të ankandit të mbajtur nga T.M.A për asetet e ARMO-s të regjistruara në ZVRPP Mallakastër, ajo mohoi çdo përgjegjësi -duke thënë se puna e saj fokusohet vetëm në administrimin e rriskut të bankave të nivelit të dytë dhe jo në marrëdhëniet e tyre me kredimarrësit.“Zgjidhja e problematikës së kredimarrësve është e drejtë e bankave, e drejtë e cila lind që në krijimin e një marrëdhënieje deri në mbylljen e tyre,” tha Banka e Shqipërisë në një përgjigje me shkrim.“Ato po ashtu kanë të drejtë të hyjnë në marrëdhënie me palë të treta për gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme. Banka e Shqipërisë shqyrton çështje të administrimit të rrezikut në punën që kryejnë bankat,” shtoi ajo.
Borxhi ndaj Albpetrol dhe OSHEE
Njëri prej kreditorëve më të mëdhenj të ARMO-s është edhe kompania shtetërore Albpetrol.Në vitet 2008-2013, kohë kur kompania e hidrokarbureve ishte në pronësinë e biznesmenit Rezart Taçi, Albpetrol i kishte shitur ARMO-s një sasi me naftë bruto në vlerën e 3 miliardë lekëve, të cilat nuk janë arkëtuar.Në vite, kompania shtetërore e prodhimit të naftës ka vendosur disa sekuestro mbi pronat e ARMO-s, në mënyrë që të marrë detyrimin, por deri më sot ka arritur të ekzekutojë vetëm tre prona, vlera e të cilave është mjaft e vogël përballë detyrimit të rritur tashmë me kamatëvonesa dhe penalitete.“Borxhi që kompania ARMO i ka shoqërisë Albpetrol sh.a është në total 5.4 miliardë lekë, i cili njihet nga dy vendime të ndryshme gjyqësore. Të gjitha detyrimet në fjalë datojnë përpara vitit 2013. Detyrimi i mësipërm përfshin principalin, kamatëvonesat dhe penalitetet. Për shumën e sipërcituar, Gjykata ka lëshuar titull ekzekutiv,” shprehet Albpetrol në përgjigjen zyrtare për BIRN.Albpetrol akuzon gjykatën e Fierit se me anë të vendimeve që ka marrë ka penguar shitjen e pronave të ARMO-s në favor të shlyerjes së detyrimit ndaj kompanisë publike të nxjerrjes së naftës.“Për pronat që është realizuar shitja kanë qenë të lira dhe mbi to nuk ka pasur bllokime nga bankat për shumat që bankat respektive i kanë lëvruar ARMO-s, bazuar në kontrata huadhënie, por përmbaruesi privat i kontraktuar nga Albpetrol ka pasur vështirësi për të ekzekutuar pronat të cilat kanë qenë të bllokuara nga bankat. Procesi për shitjen në ankand të rafinerisë së Fierit është bllokuar në Gjykatë nga Raifeissen Bank.” thotë Albpetrol.Kompania pretendon se nuk është njoftuar nga përmbaruesi i firmës T.M.A. për zhvillimin e ankandit dhe marrjen e pronësisë së ARMO-s si kreditor preferencial, prandaj ka paditur në gjykatë Bankën Credins edhe firmën T.M.A, si rruga e vetme për të anuluar ankandin e nëntorit të vitit që shkoi dhe marrjen e një pjesë të detyrimit.“Ndërkohë Albpetrol është në proces Gjyqësor me Bankën Credins dhe shoqërinë përmbarimore të kontraktuar prej tyre për shitjen e Rafinerisë së Ballshit,” tha Albpetrol.ARMO gjithashtu rezulton të jetë një nga kompanitë që ka detyrimin më të madh ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Megjithatë, aksionet e OSHEE-së për ndërprerjen e energjisë së papaguar në rafineri kanë funksionuar vetëm në një rast.Në vitin 2015, ARMO-s i është ndërprerë furnizimi me energji elektrike, por ajo ka rrezikuar të gjithë zonën përreth. Nënstacioni që ka në pronësi ARMO është e lidhur me stacionin e furnizimit me ujë dhe energji të qytetit të Ballshit, prandaj bëhet e pamundur marrja e masave ndaj rafinerisë.Në një raport të hartuar nga Ministria e Energjisë, ngrihet edhe shqetësimi mbi rrezikun mjedisor që do të shkaktonte rafineria nëse do të bëhet ndërprerja e energjisë elektrike.“Ndërprerja e furnizimit me energji elektrike sjell disa pasoja që lidhen me sigurinë e këtij objekti industrial të një rëndësie strategjike,” shkruhet në raport.“Me nxjerrjen jashtë funksioni të të gjithë sistemit të zjarrfikësve, pasojat mund të jenë të rënda pasi në depozitat ka gjendje nafte bruto dhe karburant. Mungesa e energjisë gjithashtu sjell edhe mungesën e mirëmbajtjes së katalizatorëve të cilat mirëmbahen nga impianti i prodhimit te azotit,” shton raporti.
Borxhet u trefishuan gjatë qeverisë ‘Rama’
Përpara privatizimit të vitit 2008, ARMO ishte një kompani e shëndetshme financiarisht. Kompania nuk kishte borxhe ndaj bankave dhe furnitorëve dhe përveç se punësonte mijëra punëtorë mbi organikë, i paguante shtetit rreth 30 deri në 35 milionë dollarë në vit nëpërmjet taksave të akcizës, tatim-fitimit, sigurimeve shoqërore dhe taksës së karbonit.Por pas privatizimit të kompanisë së hidrokarbureve nga AMRA Oil- një kompani e regjistruar në Zvicër dhe e kontrolluar nga biznesmeni famëkeq Rezart Taçi, problemet me mospagimin e taksave dhe tatimeve u bënë normë gjatë administrimit të tij deri në vitin 2013.Sipas auditit të kryer nga “Deloitte”, deri në shitjen e kompanisë tek Heaney Assets Corporation në gusht të vitit 2013, detyrimet e kompanisë ndaj Tatimeve arrinin në 73 milionë e 266 mijë dollarë. ARMO ishte kolateralizuar nëpër banka në shkëmbim të kredive tregtare, respektivisht 27.5 milionë dollarë nga Raiffeisen Bank dhe 20 milionë dollarë nga Banka Credins.Por më shumë se ndaj bankave, ARMO rezultonte debitore ndaj palëve të treta. Një listë e gjatë me 10 kompani e nxirrnin kompaninë e rafinimit të naftës bruto në borxh për shumën e 100 milionë e 50 mijë dollarëve. Sipas një padie të regjistruar në Mars 2012 në Gjykatën e Tiranës, Albpetrol pretendon për 40 milionë dollarë detyrime nga ARMO.Pas shitjes së kompanisë AMRA Oil- që zotëronte 85 % të aksioneve të ARMO nga Rezart Taçi tek azerët e Heaney Assets Corporation në Gusht 2013, kompania e pezulloi punën për 1 vit deri në Gusht 2014, kur u lidhën dy marrëveshje kontraktuale me kompanitë Deveron Oil dhe TP&D Oil, për dhënien me qira të rafinerisë së Ballshit dhe asaj të Fierit.Marrëdhëniet midis shoqërisë ARMO sh.a dhe Deveron Oil- e regjistruar gjithashtu ‘ofshore’ në ishujt Virgjin Britanikë, janë përcaktuar nëpërmjet dy tipe kontratash 1-vjeçare. Në kontratën e qiradhënies së aktivitetit të firmosur më datë 10 Janar 2014, përcaktohet se Deveron i paguan ARMO-s 75 USD për ton naftë bruto të rafinuar, ndërkohë që ARMO mbart detyrimet ndaj tatimit mbi pronën, energjinë elektrike dhe ujin, si dhe detyrimet ndaj punëtorëve.Kontrata e dytë e menaxhimit dhe e shërbimit, e firmosur më 12 Shkurt 2014 përcakton 25 USD për ton nafte bruto të rafinuar, ndërkohë që ARMO ofron gjithë ekspertizën, burimet njerëzore dhe përvojën e stafit për mundësimin e zhvillimit të projektit, si dhe menaxhim të marrëdhënies me kontraktorët dhe nënkontraktorët e Deveron; mbikëqyrjen dhe përpunimin e naftës bruto në pronësi të Deveron, si dhe merr përsipër detyrimet tatimore.ARMO ka lidhur dy kontrata të ngjashme gjithashtu dhe me kompaninë shqiptare TP&D Oil për qiradhënien e rafinerisë së Fierit, në shkëmbim të 80 USD për ton naftë bruto të rafinuar.Pas dhënies me qira të dy rafinerive, për shkak se kompania ARMO mbarte të gjitha detyrimet fiskale, ato ndaj punëtorëve dhe koston për drita dhe ujë, borxhet e saj u rritën në mënyrë eksponenciale mbas vitit 2014.Një raport i Ministrisë së Energjisë i Shkurtit 2016, një kopje të cilit është siguruar nga BIRN, tregon që deri në Janar 2016, ARMO kishte për të paguar gjithsej një shumë prej 595 milionë USD.Raporti nënvizon se borxhet janë rritur në 2014 me 27.38 milionë USD. Në 2015 ato llogariten të jenë shtuar me 137 milion USD – duke përfshirë efektet nga kontrolli tatimor për vitet 2011-2014, pagat e 5 muajve të vitit 2015 dhe tatimet mbi to, energji elektrike, furnitorë.Nga këto borxhe, 20 milionë USD i përkasin doganave për akcizën dhe 185 milionë USD i përkasin Tatimeve (taksa kombëtare, tatim fitimi, TVSH, tatim ne burim, tatim pagash dhe kontribute sigurimesh shoqërore). Borxhet ndaj bankave janë vlerësuar në raportin e Ministrisë së Energjisë me 207.9 milionë USD. Ndërsa, shuma prej 54.2 milionë USD është tatimi i shtyrë në vite.Raporti nënvizon se për shpenzimet për marrëdhëniet e punës së ARMO sh.a., duhet të harxhoheshin 998 milionë lekë (7.18 milionë Euro) për periudhën 6 mujore Gusht 2015-Janar 2016.Nga ky fond, shpenzimet që i duhet t’i përballojë punëdhënësi (ARMO sh.a) llogariten të jenë 794 milionë lekë (5.71 milionë Euro). Shpenzimet që mbahen nga paga e punëmarrësve llogariten të jenë 204 milionë lekë (1.47 milionë Euro).Sipas Ministrisë së Energjisë, në Janar 2016 edhe kompania “Deveron” ka pasur borxhe për të paguar gjithsej 81.2 milionë USD.Ndërsa TP&D Oil ka pasur në atë periudhë për të likujduar 55.2 milionë USD borxhe gjithsej.“Borxhet ndaj bankave janë 8.7 milionë USD. Borxhet ndaj furnitorëve përfshirë edhe detyrimet fiskale (ndaj tatimeve dhe doganave) arrijnë 46.4 milionë USD, ku 44.8 milionë USD janë ndaj furnitorëve dhe 1.58 milionë USD janë ndaj tatimeve e punonjësve,” shkruhet në raportin e Ministrisë për TP&D Oil.E ndërsa rafineria e Ballshit dhe ajo e Fierit kanë kaluar nën administrimin e IRTC, kompania e re ka vijuar të krijojë detyrime në buxhetin e shtetit.Në Korrik 2017, një burim nga Tatimet i tha BIRN se deri në atë kohë janë 22 milionë euro detyrime të reja të krijuara nga IRTC ndaj shtetit. Ndërsa në Drejtorinë e Tatimeve gjatë 5 muajve të fundit nuk është depozituar asnjë deklaratë tatimore dhe vlerësimi për borxhin është bërë automatik nga vetë sistemi. Në muajt Nëntor, Dhjetor dhe Janar, shoqëria ka kryer pagesën e taksave.
Kush fshihet pas ARMO?
Ioninan Refining and Trading CO– shkurt IRTC, u shfaq në skenën e kompanive që prodhojnë naftë në Shqipëri në 1 shtator të vitit 2016. Një njoftim për shtyp i “Bankers Petroleum” zbuloi lidhjen e një kontrate, ku Bankers zotohej t’i jepte 65% të prodhimit të naftës firmës IRTC, lëndë e parë që më pas do të përpunohej në rafinerinë e ARMO-s.Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Bizneseve tregojnë megjithatë se kompania e re IRTC e amerikanit Sargeant mban të njëjtën adresë me kompaninë ARMO: “TIRANE, Rruga Papa Gjon Pali II, pallati nr 12, ABA Business Center, kati 8”.Nga dokumentet e QKB-së, ARMO rezulton një shoqëri aksionare ku 85% e aksioneve janë në pronësi të grupit azer me kryetar të Këshillit Drejtues Nazim Mustafayev dhe 15% i ka shteti shqiptar.Deri në shfaqjen e IRTC, dy uzinat ishin dhënë me qira për “Deveron Oil” dhe Trading Petrol and Drilling, TP&D. “Deveron Oil” kishte në zotërim përmes një kontrate qiraje uzinën e Ballshit, ndërsa ajo e Fierit shfrytëzohej nga TP&D Oil.IRTC, e regjistruar fillimisht në ishujt Virgjin Britanikë, kishte në krye të Këshillit Mbikqyrës Mustafa Abu Naba’a- biznesmen domenikan i njohur në arenën ndërkombëtare të tregtisë së naftës bashkë me Harry Sargeant IV.Naba’a dhe Sargeant janë të njohur në lobet amerikane të Partisë Republikanëve dhe janë hetuar për ndërhyrje në financimet e fushatës së ish- kandidatit për president John McCain, ku Naba’a dyshohet se me ndihmën e Sargeant ka dhënë 50 mijë dollarë donacione nga një burim i jashtëm i familjes të mbretit Abdullah të Jordanisë.Çështjet që drejtësia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka hapur kundër tyre nuk janë të pakta. Një hetim i Pentagonit e akuzonte Sargeant se kishte mashtruar dhe korruptuar zyrtarë të lartë në Jordani për të marrë monopolin e furnizimit të ushtrisë amerikane me naftë gjatë luftës së Irakut në vitin 2004, duke i shkaktuar shtetit amerikan një dëm ekonomik në vlerën e 200 milionë USD.Harry Sargeant është zv/president i i kompanisë Global Oil Management Group Ltd, një korporatë ndërkombëtare në fushën e naftës me bazë në Florida dhe IRTC është degë e saj. Sargeant u shfaq si përfaqësues i grupit investitor në rafinerinë e Ballshit shtatorin e shkuar, gjatë inspektimit që i bënë rivënies në punë të uzinës, ish ministri i financave Arben Ahmetaj dhe zv/kryeministri Niko Peleshi.Në 8 maj 2017, Sargeant IV nderohet me një post në bordin e drejtuesve të kompanisë Pennie Petroleum Corporation, e cila mori në zotërim bllokun e naftës së Velçës në qarkun e Vlorës.Ndërkohë që prej dhjetorit 2016, administratori i IRTC në Shqipëri është emëruar Mitat Sulaj, vëllai i pronarit të kompleksit ‘Taiwan’ në Tiranë, Besnik Sulaj.Përpara se të kalonte nën administrimin e IRTC, rafineria e Fierit shfrytëzohej nga Trading Petrol and Drilling prej shtatorit 2013, përmes një kontrate qiraje me ARMO.Dokumentat e siguruara nga BIRN vërtetojnë se marrëveshja është bërë mes administratorit të ARMO-s në vitin 2013, Fation Veizaj dhe ish përfaqësuesit të kompanisë TP&D Oil, Pajtim Braçaj.Pajtim Braçaj njihet si një individ i lidhur me aksionerët e kompleksit “Taiwan” në Tiranë. Vëllai i tij Avni Braçaj zotëron 10 % të aksioneve të kompleksit ‘Taiwan.’Në tetor 2015, Braçaj është arrestuar së bashku Ajet Sulaj –vëllai tjetër i Besnik Sulajt- si pjesë të një grupi kriminal i akuzuar për trafikimin e 700 kilogramëve kanabis. Braçaj dhe Sulaj i kanë mohuar akuzat përpara gjykatës.Që nga viti 2012 e deri tani, administratorët e kompanisë TP&D Oil kanë ndryshuar disa herë. Taulant Musabelliu, Përparim Çaushi dhe Pajtim Braçaj rezultojnë të kenë qënë shpesh në drejtimin e grupit të TP&D Oil.Gjithashtu, administratori aktual i IRTC, Mitat Sulaj ka shërbyer si administrator i TP&D nga vitit 2012 deri në 2013, ndërkohë që ai vazhdon të jetë pjesë e këshillit mbikëqyrës të kompanisë.Në një postim në Facebook në shtator 2016, ish kryeministri Sali Berisha denoncoi se pas kompanisë IRTC fshihet biznesmeni Besnik Sulaj.Ndryshe nga IRTC dhe TP&D Oil, pronësia e Deveron Oil nuk është e qartë. Megjithatë, burime pranë ARMO-s i thanë BIRN se ka dyshime se mbas saj mund të fshihet biznesmeni Rezart Taçi, ndaj të cilit janë hapur disa hetime penale në Shqipëri dhe në vende të tjera.“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur hetime mbi mënyrën se si firma përdori një skemë mashtrimi të njëjtë me atë të biznesmenit Taçi dhe më pas u largua nga Shqipëria duke lënë një mal me borxhe,” i tha BIRN një burim nga qeveria shqiptare.“Kontrata që Deveron Oil bëri me ARMO-n ishte mjaft favorizuese. ARMO kishte detyrime për të gjitha: pagat, taksat, energjinë, ekspertizën teknike… çdo gjë. ARMO funksiononte, rriste borxhet dhe Deveron mund të punonte e qetë,” sqaroi i njëjti burim për BIRN.
Negociatat me azerët dhe fatura që rrezikohet nga arbitrazhi
Gjatë dy viteve të fundit, pronarët azerë të ARMO-s nuk kanë shprehur shumë interes për të marrë në dorë drejtimin dhe menaxhimin e kompanisë. Një burim në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë i tha BIRN se janë bërë disa takime dhe negociata për të zgjidhur çështjet juridike, “por të gjitha kanë dështuar”.“Kemi shkuar disa herë në takime, po nuk kemi parë të shprehin interes për t’i dhënë një zgjidhje konkrete rafinerisë. ARMO është një debitor shumë i madh në buxhetin e shtetit dhe ka shumë të punësuar, prandaj dhe interesi jonë ka qenë të gjejmë një zgjidhje,” tha zyrtari i lartë në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, i cili foli me BIRN në kushtet e anonimatit.Zyrtari nuk e përjashtoi megjithatë një ndryshim të interesit të azerëve pas procesit të transferimit të pasurive në rafinerinë e Ballshit, çka mund ta penalizonte Shqipërinë.“Ne kemi punuar edhe mbi variantin se mund të kemi një çështje arbitrazhi. Ata janë në shkelje të hapur të kontratës, por dhe nga ana e shtetit shqiptar ka patur shkelje. I referohem këtu çështjes se si u shit prona e Ballshit në ankand. Nesër mund të hidhemi në gjyq, sepse nuk kemi zbatuar kontratën…,” tha zyrtari, ndërsa sqaroi se ARMO është një sektor strategjik dhe ekzekutimi i kolateralit në këtë rast, siç bënë bankat nuk e përfshin sektorin strategjik, pasi në kohën e zhvillimit të ankandit përjashtoheshin automatikisht nga ligji për falimentin.“Por edhe nëse do të ishte në fuqi ligji i ri, sërish nuk mund të bëhej administrimi, sekuestrimi dhe shitja e pasurive pa një konsensus, sepse është vetë shteti shqiptar që ka ndryshuar regjimin ligjor që penalizon një kompani të huaj,” tha zyrtari, duke nënvizuar se qeveria shqiptare në raporte zyrtare e vlerësonte ARMO-n me një vlerë 413 milionë USD.“Ata mund të ankohen në gjykatë në Tiranë edhe në arbitrazh dhe mund të kërkojnë dëmshpërblim të madh,” përfundoi ai./ BIRN