Tjetër skandal/ Vodafone faturon edhe efektivët e Policisë së Shtetit

Nga Boldnews.al

Shumë media vizive por edhe online nuk denoncojnë abuzimet e kryera nga operatorët e kompanive celulare, kjo për shkak të reklamave që përfitojnë. Por në rrjetet sociale, në të vetmen dritare e lirë për qytetarët, mund të shohësh me dhjetra denoncime për abuzime që kompanitë celulare bëjnë prej vitesh në Shqipëri.

Tarifa të larta, pseudo-oferta dhe cilësi e dobët shërbimi, janë vetëm disa nga shkeljet e dukshme të kompanive celulare në vend. Boldnews.al mëson se një prej operatorëve celular, që zotëron edhe pjesën më të madhe të tregut, ka shkelur marrëveshjen me punonjësit shtetëror, duke rënduar situatën e tyre ekonomike.

I tillë është rasti mes kompanisë Vodafone Albania dhe efektivëve të Policisë së Shtetit. Këta të fundit, prej më shumë se 1 viti janë faturuar çdo muaj nga kjo kompani celulare pa asnjë kontratë të re dhe pa asnjë marrëveshje me eprorët.

Bëhet fjalë për numrat  celular që nisin 069 41 ….. dhe që kryesisht mbahen nga punonjësit shtetëror, përfshirë këtu edhe uniformat blu. Deri para 1 viti, efektivët e Policisë së Shtetit, prej kohësh përdorte këta numra telefoni për të folur falas me njëri-tjetrin, në kuadër të punës së tyre tepër të vështirë.

“Është bërë fakt i kryer, na kanë tarifuar çdo muaj me 600 lekë dhe 1000 lekë për të folur policët me njëri-tjetrin për punën. Kjo është e padrejtë, ne e përdorim telefonin për punë, po ashtu të na rikthejnë në komunikimin me radio, ku nuk paguanim asgjë.” – denoncon një efektiv policie pranë komisariatit nr. 5, për Boldnews.al.

Marrëveshja aspak transparente, e Vodafone me zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, ka bërë që 11 mijë efektivë policie të paguajnë çdo muaj fatura telefonike të Vodafone Albania, që varojnë nga 600 lekë deri në 1000 lekë (të reja).

“Lidhur me ofertat e kryera nga Vodafone për efektivët e Policisë së Shteti, ne si sindikatë kemi bërë ankesë. Kontrata nga Vodafone është bërë në mënyrë të njëanshme, pyetur fare Sindikatën e punonjësve të Policisë së Shtetit.” – shprehet kreu i sindikatës së punonjësve të policisë së Shtetit, Sadedin Fishta, i kontaktuar nga Boldnews.al.

“Vodafone nuk na ka lënë asnjë mundësi zgjedhjeje, pra nëse do pranonim ose jo ofertën e ofruar nga kjo kompani.” – shton më tej Fishta.

Nga ana tjetër Vodafone Albania, e ka justifikuar krijimin e kësaj oferte me disa minuta të ofruara për nënpunësit shtetëror. Rreth 2000 minuta kombëtare, 2000 sms brenda numrave 069 41…, 200 sms jashtë grupit si dhe 3 Gb internet janë disa nga pikat e paketës mujore prej 600 lekësh (të reja), që u është vendosur si detyrim të gjithë efektivëve të Policisë së Shtetit.  Disa prej tyre, kanë rënë në grackë nga Vodafone duke bërë edhe ofertën 1000 lekë (të reja) në muaj.

LEXO EDHE  "Koronavirusi po teston botën"/ Pedagogia: Jo të gjithë studentët i përshtaten mësimit online

“Unë nuk e përdor internetin sepse nuk kam telefon për internet. Nuk përdor as sms-të. Përse duhet të paguajë unë për komunikimin me kolegët për arsye pune. Ne jemi në shërbim të shtetit dhe komunitetit, dhe më e pakta  që kërkojmë është që të mos na rëndojnë ekonimikish” – shprehet më tej efektivi i komisariatit nr.5, i cili duhet të mbajë familjen e tij prej 5 anëtarësh, vetëm me rrogën e policisë.

Skandali thellohet edhe më tej, pasi efektivi i policisë i është drejtuar zyrave të Vodafone Albania për të ndërprerë pseudo-ofertën prej 600 lekësh në muaj. Por, punonjësja e dyqanit të Vodafone i është përgjigjur efektivit se për të bërë këtë gjë, duhet një shkresë e posaçme nga Drejtori i Policisë së Tiranës. Praktikisht kjo është e pamundur, duke parë hierarkinë në Policinë e Shtetit, ku një efektiv policie as nuk pritet në zyrën e Drejtorit të Policisë së Tiranës, dhe jo më t’i kërkojë një shkresë të posaçme.

“I jemi drejtuar kompanisë Vodafone, për të na vënë në dispozicion kontratën, por ata as nuk e kanë marrë parasysh fare kërkesën tonë. Madje na kanë thënë që shkoni dhe ankohuni në gjykatë për të marrë kontratën.”– deklaron kreu i sindikatës së punonjësve të policisë së Shtetit, Sadedin Fishta.

Kjo grabitje e pastër në mes të ditës e Vodafone, me bashkëpunim edhe të drejtuesve të institucioneve shtetërore,  ka krijuar shqetësim tek uniformat blu. Kjo për shkak se shumica e efektivëve të policisë, jetojnë në kufirin e mbijetesës, ku mezi presin të marrin rrogën mujore për të mbajtur familjen me bukë.

Nga ana tjetër, Vodafone Albania ofron shumë paketa për biznesin, ku thirrjet telefonike brenda grupit janë falas. E njëjta është edhe situata për efektivët e policisë, por Vodafone ka vepruar me standarde të dyfishta.

Boldnews.al do të publikojë sesi dy operatorë telefonik, më të rëndësishmit në vend, kanë futur në “gjirin” e tyre një tjetër operator, duke krijuar kështu një skemë të pastër oligopoli.


PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here