Nga Lolita
Ora 8:00: Derën e PD e hap roja! Shoferi i Bashës ngrihet nga gjumi, Luli ka bere sleep mode celularin duke lënë me zile vetëm Sali Berishën.
Ora 9:00: Në PD fillojnë të duken përveç militantëve të papunë edhe deputetë, Basha është ende në sleep mode. Bie celulari sepse Berisha ka vendosur “Thirrjen automatike për të zgjuar Lulin”.
Ora 10:00: Basha zbret pasi ka zgjedhur mëngjesin e gruas (një sfoliato me qumësht) përpara partisë.
Ora 11:00: Pas shumë sikleteve, Luli gjendet në zyrën e PD-së ku ka mbledhje kryesie. Printon fjalimin, futet në mbledhjen e kryesisë lexon çfarë ka printuar ndërsa në tavolinë i vijnë të dhënat për deputetët. Grida yll me xixa, Salianji si shpirt! Buzëqesh dhe del nga zyra i lumtur.
Ora 12:00: Pas një orë mbledhje me kokat e PD-së që diskutojnë se si mund të rrëzohet Rama, dhe nëse po, kur, të gjithë qëndrojnë në zyrë dhe tundin kokat duke parë njëri-tjetrin.
Ora 13:00: Afron vakti drekës. Basha ngrihet dhe thotë “Më informuan kancelaritë perëndimore se Rama pritet të rrëzohet nga momenti në moment”. Shpërthejnë duartrokitjet, dikush nga salla thotë “Ta përhapim këtë haber”. Degëve u dërgohet mesazhi vijues: “Rama i ka orët e numëruara, kancelaritë perëndimore kanë njoftuar zotin Basha. Kushdo që ka ide se si mund ta rrëzojë Ramën është i mirëpritur! Me respekt Lulzim Basha!”
Ora 13:30: Asnjë përgjigje nga mesazhet e dërguara, dreka është thuajse gati ndërsa dikush thotë “Le ta quajmë në media këtë sms të Bashës si një hapje të partisë!” Kunati aprovon me kokë, të gjithë bien dakord!
Ora 14:00: Tek ABA Center shfaqet makina e Lulit, një gazetare që rastësisht po kalonte aty e pyet “Po shkon tek Doktori?” “Po shkoj tek gruaja të ha byrek me supë” përgjigjet kryetari i opozitës, “Qeveria do të bjerë shumë shpejt!”
Ora 17:00: Kanë kaluar 3 orë nga hera e fundit që Luli doli nga PD dhe hyri tek zyra e gruas, dhe mediat vazhdojnë të raportojnë. Ndërkaq dikush prej redaktorëve ka shkruar me kokë të tij që Basha ka shpallur hapjen e partisë.
Ora 18:00: Në PD fillojnë lëvizjet, përgatitet ardhja e kryetarit i cili do të vijë nga momenti në moment. Ushtria anti-antibasha hidhet në një sulm masiv me komente në FB kundër atyre që janë kundër kryetarit. Goditen rëndë figurat e vjetra të partisë të cilat pyeten ku ishin në fushatë, çfarë bënë, dhe nëse jo përse.
Ora 19:00: Njoftohet nga stafi i ngushtë se kryetari është në takim me ambasadorin amerikan dhe do vonohet për rreth një orë, ndaj mbledhja shtyhet për pas një ore.
Ora 20:30: Në seli vjen Basha i cili kishte mbaruar punë që në 20:00 por që mendon se kush do të marrë vesh duhet të presë. Deputetët që e pyesin si qe takimi me ambasadorin, dëgjojnë përgjigjen e tij: “Një takim i ngrohtë dhe miqësor. Rama do të bjerë shumë shpejt, kemi mbështetjen e Presidentit Trump”.
Ora 20:45: Basha deklaron: “Propozoj për nënkryetar të partisë zotin Grida Duma dhe për sekretare të përgjithshme zonjën Ervin Salianji. U kaloj atyre disa nga kompetencat e mia të cilat nën drejtimin tim ata nuk do ti ushtrojnë aspak deri në një moment të dytë. Nëse hapet prapë çadra, apo bëhen aktivitete të tjera në natyrë, opozita do të udhëhiqet nga këta të dy.”
Ora 21:10: Lajmërohen të gjitha studiot informative. Basha largohet nga Selia pa asnjë deklaratë dhe i drejtohet shtëpisë së tij.