Ndonëse Ilir Beqja është larguar, hija e tij mbi koncesionet e ministrisë së shëndetësisë vazhdon të zgjatet. Sot ajo ka shpallur fituesin e koncesionit të katërt më të madh, atij të kalimit tek private të laboratorëve spitalorë me një vlerë nga 80 deri në 100 milionë euro. Sipas të dhënave të para, kjo “dhuratë” iu bë një kompanie të përbërë nga firma shqiptare “Labopharma Sh.p.k”me 41.7 % të aksioneve në bashkëpunim me dy firma të huaja Exalab France, me 25%, & AB Laboratory Solutions B.V me 33.3% në Hollandë.
Partneri shqiptar që përfaqësohet nga shteti, Janis Karathano është marrë edhe më parë me tregtinë e produkteve farmaceutike dhe më pak me atë të pajisjeve laboratorike. Por megjithëse ai nuk ka një eksperiencë të madhe në këtë fushë dhe megjithëse “Labopharma Sh.p.k” nuk ka një aktivitet shumë të fuqishëm, kjo garë edhe para shpalljes së fituesit ngjalli dyshime dhe diskutime të mëdha.
E para sepse kjo dosje është gatuar në një fshehtësi të plotë, duke iu shmangur kushteve më minimale të transparencës. Lajmi u mor vesh vetëm në fund të vitit të kaluar kur deputetët panë se në buxhetin e vitit 2017 ishte planifikuar të jepeshin 8 milionë USD, për këtë projekt të futur në të famshmen suazë të PPP (Partneritet Publik Privat) të mjeksisë. Në komisionin e Shëndetësisë, në datë 5 dhjetor, deputetët e opozitës e pyetën ministrin Ilir Beqja për këtë çështje, por ai megjithëse e pranoi në parim tha se raporti i fisibilitetit që qeveria ia ka ngarkuar kompanisë IFC ende nuk ka mbaruar. Pyetja e parë që u shtrua atëhere ishte:
Po atëhere si u planifikuan 8 milionë USD në buxhet, kur ende nuk kishte asnjë përgjigje nga IFC ?
Dyshimi i dytë lindi sepse në këtë proces të imagjinuar që në vitin 2007, të cilin qeveria e mëparshme nuk e miratoi për shkak të rreziqeve që përmbante, u shmangën nga diskutimi të gjithë profesorët dhe specialistët e fushës.
Në fakt, kur ata u njoftuan, vunë alarmin, sepse sipas tyre rreziku ishte i madh.
Fillimisht për të sëmurët dhe pacientët, pastaj për universitetin mjeksor që zhvillon praktikat në këto laboratorë dhe, së fundi, për vetë buxhetin e shtetit, i cili nga viti në vit do të rëndohet gjithnjë e më shumë ashtu sikurse ndodhi me koncesionin e Check Up.
Sipas specialistëve të fushës “privatizimin” total të shërbimit të analizave në spitalet publike, nuk ka guxuar ta ndërmarrë asnjë vend europian.
Në përgjithësi praktikat e PPP në shëndetësi, aq në modë në Shqipëri, nuk kanë rezultuar efikase në asnjë vend perëndimor. Ato zënë vetëm 1% të investimeve në këto vende, me përjashtim të Anglisë dhe Portugalisë. Ndërkohë që këtu tek ne po planifikohet dhënia me një dorë e laboratorëve, që përbëjnë sot 80% të tregut të analizave mjeksore.
Po cili është rreziku?
Në një itervistë me 16 dhjetor në televizionin Neës 24, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është shprehur se ky koncesion ishte përgatitur që në vitin 2014 me asistencën e IFC-së dhe do ta përmirësonte thelbësisht cilësinë e analizave.
“Kërkohet që laboratorët të çertifikohen ndërkombëtarisht me standarte europiane që nuk i kanë sot,” u shpreh Beqaj. “Është kusht i atij që do të pranojë të lidhë kontratë me ne, që këtë gjë ta bëjë brenda kohës optimale kur do shtrihet në të gjithë Shqipërinë,” shtoi ai.
Por specialistët e fushës mendojnë ndryshe. Sipas tyre ka një sërë rreziqesh nga kjo nismë. i pari konsiston në uljen e cilësisë së gjetjes së diagnozës për pacientët. Sepse vendimarrja për këtë do të kalojë nga mjekët dhe profesorët tek një kompani private, e cila është e nisur nga fitimi dhe jo nga cilësia e analizës së pacientit.
Prandaj mjekët e laboratorëve e kundërshtuan këtë nisme të qeverisë duke pasur frikë se kalimi në duar private i komandës së laboratorëve spitalorë do të cënojë pavarësinë e vendimmarrjes mjekësore dhe do shfuqizojë autonominë e mjekëve.
Një tjetër aspekt që cënohet është edhe fakti se këto laboratorë janë qendra arsimore për studentët e universitetit të mjeksisë. Po në rast se ata fillojnë e komandohen nga privatë, ku do të paraktikojnë 800 studentët e mjeksisë që kalojnë çdo vit nga këto laboratorë? Ku do të kryhet puna kërkimore shkencore? Ku do të specializohen mjekët laborantë?
Një tjetër problem qëndron edhe në faktin se duke qenë se laboratorët e spitaleve publike përbëjnë 80% të totalit të analizave që kryhen në vend, kalimi i tyre tek një kompani e vetme private do të krijonte një situatë monopol.
Dhe kjo do të sillte dy pasoja. E para, shërbimi diagnostifikues do të ulej sepse privati do të merrte aparaturat laboratorike dhe kitet tek një furnitor i vetëm me të cilin do të lidhte kontratë e si pasojë nuk do lejohej shumëllojshmëria e disa firmave, kur dihet se për disa analiza ka kompani që japin rezultate më të mira dhe për disa analiza, janë firma të tjera që japin garanci.
Ky koncesion u kundërshtua edhe nga një pikëvështrim tjetër. Sepse ai binte ndesh edhe me filozofinë e qeverisë Rama, e cila deri më tani ka thënë se e ka përdorur PPP vetëm për të financuar projekte për të cilat buxheti i shtetit nuk ka para. Ndërkohë që projekti i laboratorëve të analizave mjeksore nuk është i kushtueshëm, sepse kompanitë e bëjnë vetë investimin më të madh, ato i sjellin vetë aparaturat moderne mjafton që laboratorët të furnizohen me kite dhe paisje të së njëjtës firmë (njësoj si kompanitë e kafeve që të sjellin ekspresin, në mënyrë të të marrësh bustinat tek ato).
Prandaj një rrugë tjetër do të ishte që nëse qeveria kishte parashikuar në buxhetin e 2017-ës një trefishim të parave për këtë sektor (8 milionë USD) ajo ta jepte pjesën kryesore të këtyre fondeve për përmirësimin e shërbimit të laboratorëve publikë, sidomos atij të QSUT-së. Dhe pjesën tjetër ta shpenzonte për projekte pilot PPP me spitalet rajonalë. Kështu edhe do të ruhej sektori publik, edhe ne nuk do të bëheshim i vetmi vend perëndimor që e ka zhdukur këtë sektor.
Pra, duke qenë se argumenti i kostos të madhe binte, duke qenë se ky koncesionim krijonte një situatë monopol, duke qenë se ky sektor është nga më fitimprurësit e botës mjeksore (ndryshe nga kardiologjia apo onkologjikuu që nuk kanë kurrë fitim) dyshimet që u ngritën që në fillim ishin se me këtë nismë po bëhej pazari i radhës. Se për fitime personale, po i jepej një grusht tjetër sistemit shëndetësor.
Këtë dyshim e përforconin edhe më tepër eksperiencat botërore po flasin gjithnjë e më shumë për dështimin e formave PPP në shëndetësi. Kështu pasi eksperienca të ngjashme janë provuar në Kanada, Unioni i Profesionistëve të Shëndetit të këtij vendi arriti në përfundimin se: “Për mos riaplikimin e Partneritetit Publik Privat, i cili shërben për të rritur fitimet e korporatave por ul kontrollin e shërbimit laboratorik dhe shton riskun financiar”.
Pavarësisht të gjithë këtyre pretendimeve ministria e shëndetësisë e vazhdoi pikë për pikë rrugën e Ilir Beqes, ministrit tashmë të larguar. Sot ajo ka shpallur në mes të 6 kompanive njërën prej tyre fituese. Mediat shkruan menjëherë për lidhjet e dyshimta të fituesve të ri me punonjës të rëndësishëm të ministrisë dhe me kompani që kanë fituar më parë koncesione. Por një gjë e tillë mbetet të vërtetohet. Tani për tani të ngritura janë vetëm dyshimet mbi 100 milionë euro që po kalojnë nuk dihet se pse në duar të privatëve duke varrosur njëherë e mirë rrjetin e labotarorëve publikë. (Lapsi.al)