Nëse Mitrovica i bashkohet Serbisë, atëherë Shqipëria do të bashkohet me Kosovën. Ka qenë kjo teza që hodhi sot nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, deputeti i LIBRA-s Ben Blushi.
Blushi nuk ka kursyer as tonet e ashpra ndaj BE¬së dhe qeverisë shqiptare për çështjen e ndezur në Veri të Kosovës. Deputeti ka thënë se BE-ja duhet të mbajë qëndrim për provokimet e serbëve në Veri.
Deputeti Blushi tha se diplomacia shqiptare ka qenë me e dobët këto dy vjet.
“Kosova mund të jetë viktimë e një bote të lodhur pa konflikte. Të gjithë e dimë se janë të shumtë ata që mendojnë se në raste krizash, duhet një luftë për të hapur tregje të reja ekonomike. Për fat të keq, BE¬ja nuk ka një qëndrim për Kosovën. Prej kohësh BE nuk ka qëndrim për shumë çështje. Dalja e Britanisë nga unioni, zgjedhjet në SHBA dhe terrorizmi e kanë bërë më të dobët BE¬në dhe kanë zbehur faktorin shqiptar në Ballkan”, tha Blushi.
Blushi shtoi se këto zhvillime kanë mbrehur Serbinë, e cila mendon sipas Blushit, se me afrimin e Ramës me Vuçiçin, Shqipëria është neutralizuar dhe nuk është më faktor në Kosovë.
“Ata mendojnë se e kanë zbutur Shqipërinë. Ajo tashmë nuk është më faktor për Kosovën. Shqipëria është faktori më i dobët, në Kosovë, që po i ndihmon serbët. Unë kam propozuar një rezolutë. Nëse Kosova ndahet në Veri, pasoja duhet të ishte kjo: Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. Ky është i vetmi rezultat i arsyeshëm. Unë shpresoj që kjo, nuk ka për të qenë një fantashkencë. Nëse ka ndryshime kufijsh në Ballkan, Shqipëria ka rolin e vet. Parlamenti i Shqipërisë duhet të marrë një rol më të madh. Dhe sidomos në Kosovë. Presioni i këtij parlamenti, do t’i ndihmonte kosovarët, për t’i bindur, së nëse serbët e Veriut të Kosovës kanë mbrapa tyre Serbisë, shqiptarët e Kosovë s’kanë prapa tyre Shqipërinë”, tha Blushi.
Ai tha se kryeministri Rama ka personalizuar politikën e jashtme të Shqipërisë.
“Shqipëria nuk e mori dot statusin e vendit kandidat. Kjo e ka rënduar peshën e Shqipërisë në Ballkan. Ne jemi në NATO por simbolikisht, s’kemi asnjë votë. Diplomacia jonë është pa plan, pa koherencë dhe totalisht i e personalizuar. Është dekor personal i kryeministrit. Në dy tri vitet e fundit çfarë kemi arritur ne? Diçka që s’na vlen. Kemi sheqerosur marrëdhëniet me Serbinë; kemi dobësuar marrëdhëniet me BE¬në; kemi luajtur ruletë ruse me SHBA¬të; kemi helmuar marrëdhëniet me Greqinë; kemi marrëdhënie kaotike me Maqedoninë. Duke qenë e dobët, Shqipëria sot s’ka mundësi ta ndihmojë Kosovën”, tha ai.
Pas një replike nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, Blushi tha:
“Unë fola për personalizim dhe nuk je ti. Dihet kush e personalizoi politikën e jashtme për tre vjet. Unë them që Edi Rama e ka personalizuar diplomacinë, se ministri i Jashtëm i Serbisë nuk këndoi “o Sole mio” për ty! – “Po të vijë Aleksandri në Elbasan, s’ka rëndësi ndeshja në Elbasan!” – Dhe la pesëmijë shqiptarë jashtë pa hyrë në stadium. Dhe nuk po flas për Aleksandër tjetër, por për Aleksandër Vuçiç dhe ky është personalizim. Këtë po them!
Unë po kërkoj të mbahet një qëndrim unik. Ndaj po kërkojë një rezolutë. Marrëdhëniet me Greqinë i keni helmatisur tashmë. Për një parti në koalicion, keni prishur marrëdhëniet me një shtet! “