Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka reaguar pas ndalimit në pikën kufitare të Qafë Thanës të Kryetarit të Grupit Parlamentar të VLEN, Bekim Qoku, si dhe deputetëve Adnan Azizi dhe Hasim Murtezani, të cilët, sipas reagimit, janë mbajtur për më shumë se një orë pa asnjë shpjegim zyrtar nga autoritetet shqiptare.
Në një reagim të publikuar në Facebook, lëvizja e ka cilësuar të papranueshëm trajtimin ndaj përfaqësuesve të zgjedhur të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar nga Policia e Shtetit dhe institucionet përgjegjëse të japin menjëherë një sqarim publik dhe të plotë mbi arsyet e ndalimit.
Sipas “Shqipëria Bëhet”, heshtja institucionale vetëm sa shton dyshimet mbi motivet e këtij veprimi, ndërsa thekson se deputetët gëzojnë dinjitet institucional dhe duhet të trajtohen në përputhje me standardet demokratike dhe respektin që u takon si përfaqësues të zgjedhur.
Lëvizja u bën thirrje institucioneve shqiptare të marrin përgjegjësi, të sqarojnë pa vonesë ngjarjen dhe të garantojnë se raste të tilla nuk do të përsëriten më, duke paralajmëruar se veprime të pajustifikuara ndaj përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dëmtojnë besimin reciprok dhe marrëdhëniet mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
“Shqipëria Bëhet” akuzon drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se “paranojat e pushtetit të Edi Ramës nuk mund të kthehen në kufij që ndajnë shqiptarët si pushtuesi dikur”, ndërsa shton se çdo vonesë në sqarimin e kësaj ngjarjeje përbën përgjegjësi të drejtpërdrejtë institucionale.
POSTIMI I PLOTE
Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’ e konsideron të papranueshëm trajtimin ndaj Kryetarit të Grupit Parlamentar të VLEN në Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, si dhe deputetëve Adnan Azizi dhe Hasim Murtezani, të cilët janë mbajtur për më shumë se një orë në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, pa asnjë shpjegim zyrtar dhe pa asnjë bazë të bërë publike nga autoritetet shqiptare.
Kërkojmë nga Policia e Shtetit dhe institucionet përgjegjëse të japin menjëherë një sqarim publik dhe të plotë mbi arsyet e këtij ndalimi. Heshtja institucionale në një rast të tillë është e papranueshme dhe vetëm sa shton dyshimet mbi motivet e këtij veprimi.
Është e papranueshme që përfaqësues të zgjedhur të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut të përballen me trajtime denigruese dhe procedura arbitrare në kufirin e Republikës së Shqipërisë. Deputetët gëzojnë dinjitet institucional dhe trajtimi ndaj tyre duhet të jetë në përputhje me standardet demokratike dhe respektin që u takon përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve.
I bëjmë thirrje institucioneve shqiptare të marrin përgjegjësi, të sqarojnë pa vonesë këtë ngjarje dhe të garantojnë se raste të tilla nuk do të përsëriten më. Çdo veprim i pajustifikuar që cenon përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dëmton besimin reciprok dhe cenon marrëdhëniet vëllazërore mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
Kurrsesi paranojat e pushtetit të Edi Ramës nuk mund të kthehen në kufij që ndajnë shqiptarët si pushtuesi dikur.
Çdo vonesë në sqarimin e kësaj ngjarjeje përbën një përgjegjësi të drejtpërdrejtë institucionale. Respektimi i dinjitetit të përfaqësuesve të zgjedhur nuk është çështje protokolli, por detyrim ligjor, institucional dhe kombëtar.













