Formula e re e maturës shtetërore që solli një kaos gjatë regjistrimeve për vitin akademik 2016-2017 ka shënuar edhe skandalin e parë.
Në një nga fakultetet më të synuara për të vazhduar studimet e larta, atë të Ekonomikut ku mesatarja për t’u pranuar ka qenë gjithmonë mbi nëntë, mësohet se janë regjistruar studentë me mesatare 6-të.
Pasi loja e madhe që u bë për të favorizuar universitetet private kliente të qeverisë ka bërë, që auditorët e Universitetit të Tiranës të mbeten bosh, duke i detyruar të pranojnë studentë edhe me mesatare mjaft të ulëta.
“Mesatarja minimale në të katër programet e studimit të Fakultetit të Ekonomisë për vitin akademik 2015-2016 varion nga 9.22-9.89, ndërsa për vitin 2016-2017 ajo është ulur jashtë çdo pritshmërie, pasi varion nga 6.08-6.92”, shkruan sot gazeta Shqiptare.
Kjo rënie drastike e mesatares për pranim në një fakultet aq shumë të preferuar dhe njëkohësisht me konkurencë të lartë vjen si pasojë e çorganizimit, me regjistrimet në mesin e muajit Tetor të vitit të shkuar. Sipas prononcimit për gazetën të dekanit Dhori Kule, “tejzgjatja e regjistrimeve dhe paniku që i kapi kandidatët se mos mbeten pa shkollë, solli një deformim të cilësisë së kandidatëve që janë pranuar”.
Dekani Kule i gjendur përpara kësaj situate skandaloze duket se ka një “zgjidhje” orgjinale për të korrigjuar atë që ndodhi pas “çorbës”, që bëri Ministria e Arsimit duke ndryshuar rregullat e lojës në fund të vitit.
“Ne kemi vendosur që vitin tjetër, ata kandidatë që na kanë ikur në fakultete analoge, pra në fakultete ekonomie, do t’i marrim nëpërmjet transferimeve”, deklaron dekani Kule.
Por këtë pohim të dekanit Ministria e Arsimit nuk e ka pranuar siç thotë gazeta dhe një paralele me këtë sjellje mund të hiqet me rastin e protestave të fundit të maturantëve për gabimet në sistemin e provimit. Ministria e menaxhoi tensionin duke premtuar se asnjë nuk do të ngelet pa shkollë. Dhe vërtetë me sa duket asnjë nuk po ngelet pa u regjistruar në universitet, sepse të gjithë ata me mesatare të larta u detyruan të regjistrohen te privati kundrejt tarifave që janë shumëfish më të larta se ato të Universitetit të Tiranës.
Kjo që po ndodh në fakultetin Ekonomik bie ndesh me të ashtuquajtura ambiciet e qeverisë dhe të kryeministrit Rama, i cili pas plasjes së skandalit me maturën shtetërore pretendoi se ka ardhur koha që studimet e larta ti ndjekin vetëm ata me mesatare të lartë. Në fakt e gjitha po del se ka qenë një lojë në favor të klientëve të qeverisë që operojnë në fushën e arsimit të lartë privat.
“Një ankth i madh e ka përfshirë shoqërinë se ata me mesatare 5 nuk marrin dot një diplomë e nuk bëhen dot inxhinierë. Kjo e ka gjetur vendin. Mesatarja gjashtë, është një nivel qesharak në ambicien tonë, por është vetëm fillimi një procesi që duhet ta kthejë rrugën drejt dyerve të universitetit drejt atyre që e meritojnë të hyjnë në universitet”, deklaroi atëherë përpara studentëve të Universitetit Bujqësor, kryeministri Rama.