INTERVISTA/ Kokëdhima: Do ta largojmë Ramën. Dikton çdo gjë, mirë që nuk vendos edhe kë do marrësh për grua

“E keni parë se si është bërë politika? Është bërë si prona personale e kryetarëve. Është çifligu i kryetarëve të partive politike të Shqipërisë. Ky vend nuk i mban dot më njerëzit e vet, i ka dërrmuar, i ka depresuar, i ka trishtuar, i ka dëbuar. Çdo shqiptar i aftë mendon vetëm si të ikë nga ky vend, sepse këtu nuk ka të drejtë, s’ka barazi, s’ka drejtësi, s’ka respekt”. Kështu është shprehur ish-deputeti i PS-së Koço Kokëdhima në një intervistë në emisionin “Ballafaqim” në Tv “Apollon” të Fierit. Kokëdhima thotë se do ta largojnë Ramën nga drejtimi i PS, pasi sipas tij kryetari dikton çdo gjë. Dhe sipas tij PS-ja do t’i kthehet socialistëve të vërtetë, qytetarëve.

“Sistemi i partitokracisë është sistemi i kryetarëve, është ky sistemi që thashë, që populli i voton, kryetarët zgjedhin. Kryetarët janë zotër. Kryetarët jetojnë parajsën. Kryetarët, mos e dhëntë Zoti, që jo vetëm caktojnë kush do të jetë deputet, kush do të jetë kandidat për deputet, kush do të jetë kandidat për kryetar, kush do të jetë për atë e për këtë. Mos e dhëntë Zoti që të thonë se kë do marrësh për grua. Sistem i kalbur i partitokracisë duhet patjetër të shembet. Do shembet, sepse popujt nuk shkojnë drejt kufizimit të lirive. Populli shqiptar është duke u zgjuar, është duke u ndërgjegjësuar, është duke kuptuar”, shprehet ai.

I pyetur nëse do të kandidojë për cilëndo parti që i ofron mandatin në zgjedhjet e ardhshme, Kokëdhima përgjigjet prerë: “Unë jam socialist, besnik i pathyeshëm dhe i patjetërsueshëm. Unë nuk do të tradhtoj asnjë socialist që beson tek unë. Unë do të jem deputeti i Partisë Socialiste. Le të zgjedhin në Partinë Socialiste 140 kandidatë që janë më të mirë se unë, unë do t’i duartrokas dhe do të shkoj të votoj për ta dhe do të bëj gjithçka kam në dorë që t’i mbështes ata…”, tha ish-deputeti, teksa ka folur edhe për shkarkimin, si dhe planin e tij për reformimin e PS.

kokedhima

Intervista

Pse nuk kandiduat në Fier për deputet, por zgjodhët Vlorën dhe jugun?

Kokëdhima: Nuk bëra ndonjë zgjedhje, të them të drejtën. Ashtu siç e mendoi partia, ashtu veprova unë. Unë e bëj punën time me të njëjtin pasion, kudo që jam. I takoj brezit që ka dashuri dhe respekt të madh për punën. Kështu që, kudo që të jem dhe në çdo lloj pune, edhe në politikë dhe jashtë saj, unë e adhuroj punën që bëj. E dua shumë atë dhe jam i lumtur me punën që bëj. E në Fier, pa asnjë problem do të shërbeja me gjithë pasionin tim, pas asnjë diferencë. E konsideroj këtë vend si shtëpinë time, si familjen dhe si popullin tim.

Kushtet social-ekonomike janë vështirësuar për qytetarët, në përgjithësi, në këto 3 vite, kur ka hyrë viti i katërt i mandatit qeverisës. Ju keni qenë pjesë e kësaj qeverisjeje. Zëri i qytetarëve nuk përfillet, injorohet. Duhen sekserë për të marrë shërbimet etj. Gjendja sa po vjen e vështirësohet jo vetëm për qytetarët, por për të gjithë kategoritë…

Kokëdhima: Për fat të keq, ne kemi një vend të bekuar nga Zoti, që vuan një varfëri të pamerituar. Është një vend me resurse të shumta, me shumë diell, me dritë, me ujë, me tokë, me bregdet, me mal, me minerale, me nëntokë të pasur, me të gjitha bukuritë e Zotit. Ky vend vuan jo vetëm për shkaqe historike dhe për shkak të trashëgimisë së të shkuarës, por kryesisht për shkak të një tranzicioni shumë, shumë të dështuar. Sot, mendoj unë, kemi shumë vështirësi, sepse kemi një sistem politik të kalbur. Nuk kemi barazi, nuk kemi konkurrencë. Kaluan 25 vite dhe çdo vit bëhet më keq se një vit më parë për nivelin e lirive të konkurrencës dhe demokracisë së tregut. Sot punët në këtë vend nuk i fitojnë njerëzit e zotë, por klientët e pushtetit. Është vetëm një grusht politikanësh i lumtur në këtë vend dhe një grusht biznesësh që janë kilentë të këtyre politikanëve. Nuk ka barazi gare, nuk ka barazi konkurrence. Nuk po flas këtu për koston që duhet të paguash për të marrë një punë, se ajo kosto vetëm mund të ndryshojë nga një qeverisje në një tjetër. Ka pasur raste që ka qenë edhe 30 për qind, është edhe 20%, nuk e di. Por problemi kryesor është se operatorët janë të diskriminuar.
Do të bëhet ky vend ndonjëherë z. Kokëdhima?

Kokëdhima: Ne kemi përjetuar një tranzicion totalisht të dështuar. Pasuritë publike janë grabitur, janë vjedhur. Koncesionet nuk janë negociuar, por, përkundrazi, janë dhënë gjithmonë në disfavor të popullit, gjithmonë në dëm të popullit. Barazia e tregut është shkatërruar dhe konkurrenca në politikë është eliminuar plotësisht. Sot politika dhe ekonomia nuk njohin konkurrencë. Politika është tregu më i monopolizuar. E keni parë se si është bërë politika? Është bërë si prona personale e kryetarëve. Është çifligu i kryetarëve të partive politike të Shqipërisë. Ky vend nuk i mban dot më njerëzit e vet, i ka dërrmuar, i ka depresuar, i ka trishtuar, i ka dëbuar. Çdo shqiptar i aftë mendon vetëm si të ikë nga ky vend, sepse këtu nuk ka të drejtë, s’ka barazi, s’ka drejtësi, s’ka respekt. Nuk është puna se nuk ka para. Unë kam përcjellë me shumë dhimbje disa ikje të vitit 2016. Kam njohur një djalë, një inxhinier, i cili ishte nga Elbasani. Ka filluar punën me mua në vitin 1998. Ishte një inxhinier shumë mirë, i shpërblyer. Merrte një pagë neto më shumë se 2000 euro në muaj dhe e braktisi Shqipërinë në vitin 2016. 18 vjet punë kishtë bërë ky njeri. E braktisi se nuk e duronte sjelljen në hipoteka. Se nuk e duronte dot që ai që bën ndërtim pa leje, regjistron pronën pa paguar, ndërsa ai që bën ndërtim të ligjshëm, nuk merr dot vërtetimin e pronës. Nuk e duronte dot sjelljen e administratës së shtetit. Nuk është gjë e sajuar, nuk është politike. Është shumë, shumë, shumë e vërtetë kjo që po ju them. Dhe këta janë shembujt më vrastarë të këtij vendi. Ky vend pra që nuk i mban dot njerëzit e mirë, që nuk i mban dot profesionistët, që nuk krijon dot shpresë, nuk krijon dot mirëqenie, megjithëse është kaq i stolisur nga Zoti me bukuri natyrore dhe me pasuri natyrore është kështu për shkak se është parajsa dhe pasuria e kryetarëve dhe është ferri i qytetarëve.

Partia Socialiste, sipas jush, është çiflig i kryetarit, ndërkohë që ju keni qenë njeri shumë i afërt i kryetarit në 3 vite. E keni mbështetur politikisht, financiarisht, ekonomikisht, jo vetëm atë, por edhe Partinë Socialiste. Jeni edhe ju pjesë e kësaj përgjegjësie?

Kokëdhima: Koço Kokëdhima ka kurajon të marrë përsipër çdo lloj përgjegjësie. Është person shumë i hapur dhe do të jem i tillë deri në fund. Pranoj të më gjykojë populli im për gjithçka. Unë nuk kam asnjë përgjegjësi. Gjatë 3 viteve në politikë, unë kam qenë në luftë. Gjatë 3 viteve në politikë, mu vunë në qafë lloj-lloj edepzesësh të paguar nga qeveria që të më nxinin çdo ditë. Gjatë 3 viteve në politikë kam kërkuar që të ndryshojmë çdo gjë, kam kërkuar të reformojmë nga themelet sistemin politik dhe Partinë Socialiste, me qëllim që gjërat të funksionojnë siç na takon ne t’i bëjmë dhe siç dëshiron populli. Reformimi i partive politike nuk është një dëshirë e imja, as nuk është një qëllim i imi. Reformimi i partive politike është nevojë jetike e popullit shqiptar. Unë nuk jam duke folur për partitë. Unë nuk kam dashuri idilike për asnjë lloj partie. Unë jam duke folur për dhimbjet e thella të shoqërisë sonë. Jam duke folur për gratë që fluturojnë nga dritaret. Jam duke folur për ata që vdesin nga i ftohti. Jam duke folur për ata që vriten, që vetëvriten në qeli, sepse mbyllen për një cigare hashash. Jam duke folur për Mihalin që pret gishtat, sepse çmendet atje në qeli. Jam duke folur për të gjithë ata djem e vajza që sot nuk kanë bukë. Jam duke folur ato që duan të shesin trupin sepse nuk kanë alternativë që të jetojnë. Jam duke folur për të gjithë ata që shkelen me këmbë, që përbuzen, për ata që s’dëgjohen, për atë që nuk e llogarit njeri si të gjallë. Jam duke folur për të gjithë ata që nuk ndjejnë respekt në zyrat e shtetit. Nuk jam duke folur për partitë. Madje nuk kam ndonjë afeksion për partitë. Për këto janë instrumente, janë pasuri, janë vegla, janë mjete, janë mundësi, janë platforma operimi që duhet t’u japin mundësi qytetarëve të rregullojnë jetën, shtëpinë, punën, të ardhmen dhe besimin. Nuk flas për partitë dhe dua që ta kenë mirë të qartë të gjithë. Nuk flas për partitë se më dhimbsen ato. Nuk kam asnjë sensibilitet të tillë. Unë flas për partitë sepse nuk jam dakord që populli ynë të vuajë këtë gjendje turpëruese dhe këtë mjerim e çnderim që vuan sot. Duhet ta ndryshojmë këtë situatë.

Cili është modeli që mund të ndryshojë situatën sipas jush?

Kokëdhima: Sot, ky sistem ka dështuar. E pse ka dështuar? Ne nuk vuajmë plagët që ka kapitalizmi në botë, jo. Do të ishim shumë të lumtur që të vuanim të njëjtat plagë që vuan kapitalizmi në Gjermani, në Amerikë, në Francë, në Angli, qoftë edhe në Itali. Nuk vuajmë ato. Ne vuajmë sot gjëra që nuk i vuan dhe nuk i provon asnjë popull në botë. Dhe nuk i meriton populli ynë këto që të marrësh e t’i vendosësh popullit tonë gjithë këta tutkunë në qafë. Këtu në këtë qytet, kur unë kam drejtuar rininë, kemi bërë gjëra të paimagjinueshme. Kanalin Vjosë-Levan-Fier ne e kemi bërë 6 muaj me krahë, vetëm me krahë, me punë vullnetare. Një vepër gjigande. Këta nuk pastrojnë dot një kanal. Një shtet i falimentuar, i mbushur me tutkunë që nuk mbajnë dot një arë tokë nën ujë dhe që nuk kullojnë dot një gjë. Që i kalbën fshatarët në mjerimin dhe varfërinë e tyre. Që nuk ndihmojnë dot askënd. Një shtet që di të bëjë vetëm tendera të manipuluar, që s’di të bëjë asnjë punë, që nuk pastron dot një rrugë nga dëbora, që nuk hedh dot një kamion me kripë. Një shtet që nuk zhvillon dot në mënyrë fituese një ndërmarrje. Një shtet që nuk bën dot fitim as në ujësjellës. Një shtet që vidhet dhe grabitet kudo. Një shtet që bën koncesionet më të paimagjinueshme. Një shtet që bën koncesione nga të cilat çdo shtet tjetër fiton, vetëm ne nuk fitojmë dot. Pse? Sepse ne kemi tutkunë të korruptuar që mendojnë vetëm për xhepin e tyre. Marrin dy lekë për vete, por pasuria që humbet populli shqiptar është e jashtëzakonshme. Këta tutkunë që shkojnë e bëjnë TAP-in në atë farë feje. TAP-i është një vepër strategjike, një vepër me rëndësi për Europën, për botën, për ekonominë botërore dhe për ne. Por çfarë negociatash bënë këta për TAP-in? Negociata që ne do të fitojmë punëtorët që do të ndërtojnë TAP-in dhe asgjë tjetër. Si ka mundësi që në këto lloj veprash Shqipëria nuk përfiton asgjë tjetër përveçse punën që bëhet gjatë ndërtimit të tij? Këta bëjnë koncesionet më turpëruese që ekzistojnë në botë, bëjnë skandalet më të mëdha në botë dhe nuk japin llogari për to.

Pse nuk i keni denoncuar gjatë periudhës që keni qenë në pushtet?

Kokëdhima: Jam person që i kam publikuar dhe denoncuar që të gjitha, pa përjashtim. Edhe për marrëveshjen e TAP-it jam i vetmi person që jam ngritur në Parlament dhe kam bërë fjalim të posaçëm. Dhe i kam kërkuar rinegociimin e marrëveshjes për të nxjerrë përfitime për Shqipërinë. Edhe për Rinasin, jam i vetmi qytetar i Shqipërisë që e kam kundërshtuar si një koncesion që cenonte rëndë sovranitetin e vendit. Edhe për ato monstrat e energjitikës, edhe për TEC-in e Vlorës, edhe për inceneratorin e Bechetit e për historitë e tjera.

Në fakt ju keni dalë kundër kryeministrit Rama për asgjësimin e armëve kimike të Sirisë. Në disa pika keni dalë hapur kundër kryeministrit Rama.

Kokëdhima: Nuk jam kundër kryeministrit. Që ta mbyll argumentin e parë, a mund të ndryshojë kjo gjendje? Po, sigurisht që ndryshon. Duhet hapur tregu, duhet vendosur demokracia në tregun e politikës. Duhet vendosur demokracia dhe konkurrenca në ekonomi. Konkurrenca e pasur pa monopole, pa oligopole në politikë dhe në ekonomi. Duhet ta rrëzojmë regjimin partitokratik, pushtetin e kryetarëve dhe t’ia japim këtë pushtet popullit shqiptar. T’ua japim këtë pushtet qytetarëve. T’ua marrim kryetarëve dhe t’ua japim qytetarëve.

Si mund ta rrëzojmë këtë z. Kokëdhima? Ka një projekt?

Kokëdhima: Sigurisht. Edhe unë pikërisht këtë jam duke bërë. Unë jam duke bërë projektin se  si t’ia marrim pushtetin kryetarëve dhe t’ia japim qytetarëve.

Reforma revolucionare apo?

Kokëdhima: Në mënyrë të figurshme duhet të them po. Kemi nevojë për jë revolucion të ri demokratik, sepse ne kemi një sistem të kalbur, një sistem të korruptuar plotësisht, që nuk funksionon. Ne nuk kemi një sistem të pasur kapitalist në Shqipëri. Ne kishim një diktaturë që ishte perfekte në llojin e vet në të shkuarën. Por nuk kemi një demokraci kushtetuese funksionale. Kemi një situatë ku në Shqipëri populli është lidhur, është zhveshur, është mbërthyer, është gozhduar, i është vënë fasha në gojë dhe nuk i është lënë asnjë liri. Edhe në diktaturën komuniste, në atë diktaturë të egër që e njohim të gjithë, formalisht, populli zgjidhte. Zgjidhte deputetë, këshilltarë, kryetarë, gjykatës, gjyqtarë, ndihmës/gjyqtarë.

Por me forma jodemokratike.

Kokëdhima: S’ka rëndësëi. Unë nuk po them që kishte liri, s’kishte liri. Por edhe atje kishte nevojë që të shitej sikur i zgjidhte populli. Po tani çfarë zgjedh populli? Nuk zgjedh president, nuk zgjedh kryeministër, nuk zgjedh deputetë, nuk zgjedh kryetar bashkie, nuk zgjedh këshilltar. Nuk voton dot me referendum, nuk zgjedh asnjë çështje. Populli voton, kryetarët numërojnë, kryetarët zgjedhin. Ky është sistemi i kalbur në themel.

Sovrani nuk ka asnjë të drejtë?

Kokëdhima: Sovrani është i shkelur, i përbuzur, i degjeneruar dhe i përdhunuar. Dhe vuan gjithë këtë histori në të cilën e kanë katandisur. Doni ta ndryshojmë historinë e këtij populli? Po. Këta kryetarë gënjejnë, mashtrojnë, manipulojnë dhe do të vazhdojnë kështu gjithë jetën e tyre, sepse jetojnë në parajsë për vete. Kush jeton sot në vuajtje dhe në mungesë të shpresës? Ky popull që s’ka punë, që nuk nderohet, që s’ka besim. Si rregullohet kjo? Kush i zgjedh kriminelët në krye të popullit, kush i çon deputetë? Kush i zgjedh të gjithë ata tutkunë që them unë në krye të institucioneve? Kush i zgjedh të gjithë këta njerëz që i blejnë diplomat. Kush i zgjedh të gjithë këta injorantë e kusarë? Kush i vendos këta?

Pushteti i pakufishëm i kryetarëve që ia kanë dhënë në parlament.

Kokëdhima: Kryetarët. Sot kemi dy Parti Socialiste dhe dy Parti Demokratike. Njëra është partia e popullit, është partia e socialistëve të bazës. Sa mijëra socialistë unë njoh në këtë qytet, sa mijëra socialistë janë këtu me të cilët kam ndarë aq shumë ngjarje dhe emocione. Një jetë të gjithë dhe që kam adhurim në zemër për ta. Por ajo partia e udhëheqjes as nuk do të dijë për këtë partinë e këtyre. Kujtohet vetëm në zgjedhje për ta. I konsideron bagëti.

Pse e kundërshtoi Rama projektin tuaj për reformimin e partive në bazën e demokratizimit?

Kokëdhima: Sepse nuk ka respekt për këtë partinë e bazës, prandaj. Se nuk e do këtë partinë e bazës. Se e shfrytëzon këtë partinë e bazës. Se e përdor këtë partinë e bazës. Se nuk e dëgjon këtë partinë e bazës. Ja, për këto arsye. Dhe sepse e ka vjedhur këtë partinë e bazës. I ka marrë kompetencat kësaj partisë bazë dhe i ka marrë për vete ato kompetenca. Kur flas për kryetarët, flas për të gjithë kryetarët, përfshirë edhe Ramën. Çfarë problemi ka Rama në qoftë se i zgjedhin deputetët, qytetarët e Shqipërisë dhe socialistët e bazës? Ku i prishet puna Ramës? Ç’problem ka ai që të ketë demokraci në Partinë Socialiste, të ketë demokraci siç ka çdo parti demokratike sot në botë? Çfarë problemi ka këtu në qoftë se në Shqipëri do të ketë primare, do të ketë zgjedhje paraprake siç ka në të gjithë vendet demokratike. Çfarë problemi ka Rama me këtë? Ku hyn Rama në këtë histori?

Si mund të bëhet kjo reformë? Keni një arkitekturë, një projekt?

Kokëdhima: Pa demokratizuar partitë politike nuk demokratizohet qeverisja e Shqipërisë. Duhet t’i thërrasë mendjes e gjithë inteligjenca e vendit. Duhet të reflektojë edhe inteligenca mëkatare, edhe inteligjenca e kapur, edhe inteligjenca e korruptuar. Edhe shoqërica civile e kapur duhet t’i thërrasë mendjes që ka disa gjëra të cilat nuk ecin më, nuk shkojnë më përpara. Duhet hapur patjetër loja, duhet çarë patjetër tregu. Duhet thyer kjo kastë që sundon Shqipërinë për 25 vjet. Si do thyhet kjo kastë? Si do të zëvendësohet? Këta janë këtu prej 25 vitesh. Derisa të vdesin aty do të rrinë. Derisa të vdesin nga natyra, atje do të jenë kryetarë prapë, do të rrinë atje, do të rrotullohen atje dhe do të mbajnë peng Shqipërinë kështu. Do i ndjekin shqiptarët çdo vit, do t’i sosin, do t’i mpakin, do t’i plakin, do t’i zvogëlojnë, do t’i reduktojnë, do i dëbojnë. Dhe pas 10 vitesh këtu do të kemi 1 milion e gjysmë shqiptarë. Pas 15 vjetësh do të kemi 1 milion e 200 mijë shqiptarë. Do të kemi vetëm kryetarët dhe servilët e tyre, të cilët janë mësuar vetëm t’i bëjnë qejfin kryetarit. Ky vend do të lëngojë në varfëri. Do të ndodhë kështu siç ju them unë. Dhe më gjykoni mua po nuk ndodhi kështu, si një njeri i cili nuk qe në rregull. Si mund ta ndalojmë ne këtë çështje? Duhet të ftojmë popullin në skenë. Duhet të ftojmë njerëzit e thjeshtë në skenë. Korrupsionin e luftojnë ata që paguajnë korrupsionin, jo ata që përfitojnë nga korrupsioni. Nuk e luftojnë korrupsionin qeveritë dhe kryetarët. Korrupsionin e luftojnë qytetarët që paguajnë korrupsionin. Në qoftë se duam të pastrojmë shtetin nga tutkunët e paaftë dhe të korruptuar, duhet patjetër t’i zgjedhë populli kandidatët për deputetë. Duhet ta hapin partinë dhe jo kandidatët për deputetë t’i caktojë kryetari i partisë. Në qoftë se ti dëshiron që të bëhesh deputet me Partinë Socialiste, nuk duhet të varet nga kryetari. Ti duhet të kesh të drejtën që, po plotësove kushtet e ligjit, do të shkosh të konkurrosh. Po fitove votat, duhet të bëhesh deputet e të jesh koleg me kryetarin që të përfaqësosh dhe mbrosh popullin tënd, të mbështetësh kryetarin që të bëjë politika në favor të popullit. Dhe jo që të bëjë politika që t’ia fusë popullit. Këtë punë ne mund ta bëjmë, në qoftë se ndryshojmë plotësisht këtë sistem që kemi sot. Nuk janë shpikje që duhet t’i bëjë Shqipëria. Janë sisteme të maturuara plotësisht në botë. Që të reformojmë partitë politike nuk na duhet marrëveshja me kryetarët. Nuk bëhet me kryetarët. Nuk i reformojnë kryetarët partitë politike.

Ndoshta duket pak politikë populiste kjo, sepse ju keni qenë mbështetësi kryesor i kryetarit të Partisë Socialiste në vite.

Kokëdhima: Unë jam në politikë që nga data 12 maj i viti 2013. Deri në atë datë unë kam qenë qytetar privat. E kam lënë politikën ditën e parë që u dekretua iniciativa private në Shqipëri. Jam privati i parë në Shqipëri dhe e kam bërë jetën time si privat gjithë kohën. Në politikë kam hyrë më 12 maj 2013. Nga dita që kam hyrë në politikë dhe deri sot, po ju them vetëm kaq, kam bërë me përgjegjësinë më të madhe dhe me ndershmëirnë më të madhe përfaqësuesin e popullit shqiptar. Nuk kam qenë asnjë ditë të vetme, asnjë orë dhe asnjë sekond të vetme në një pozicion të ndryshëm nga ky që po them.

Por ishte kryetari që ju vendosi të dytin në listë për deputetë, ua garantoi mandatin në zonë të sigurtë.

Kokëdhima: Unë e kam shpjeguar dhe po e shpjegoj përsëri këtë çështje. Unë nuk dua të jem deputet përpara askujt që meriton më shumë se unë që të jetë deputet. Asnjë favor nuk më ka bërë Edi Rama mua, asnjë të vetmin. Asnjë favor dhe asnjë nder nuk i di unë atij për këtë çështje. Unë meritoj të jem deputet dhe më shumë se deputet. Dhe unë do të bëj në politikë karrierën time, pavarësisht Edi Ramës dhe kujtdo tjetri. Dhe do t’i vërtetoj dhe do t’i bëj shërbime popullit tim më shumë se kushdo tjetër. I kam bërë edhe në këto 3 vjet shumë shërbime. Në 3 vjet e kam mbajtur të ndezur debatin politik, dhe sot jam njeriu që promovoi pafundësisht ide, projekte, lëvizje të cilat e pasurojnë debatin politik dhe e ndihmojnë progresin e Shqipërisë. Nuk jam i pavërtetë.

LEXO EDHE  Vuçiç: Edhe me çekiç në kokë sikur të më godasin, nuk e njoh Kosovën

Pse ju cilësuan “Pashai i jugut”?

Kokëdhima: Strategjia e kundërshtarëve të reformave që unë kam mbjellë, është zhvilluar me lloj-lloj formash. Unë kam qenë modeli ndryshe në politikën e këtyre 3 vjetëve, modeli që u prish punë të gjithve, njeriu që nuk ka pirë një kafe nga askush, nga asnjë qytetar. Pyetini. Njeriu që nuk ndenji një ditë pa pritur njerëzit e vet, që ofroi gjithë atë infrastrukturë, gjithë ato projekte, gjithë atë zhvillim, gjithë atë komunikim. Njëriu që arriti të ndërtonte një sistem ku përpunonte 20-30 mijë komunikime në muaj. Njeriu që i kthente përgjigje çdo SMS-je, çdo letre, çdo telefonate. Njeriu që i ofroi respekt çdo të përbuzuri dhe çdo të paqeverisuri. Ky kam qenë unë, një person që kam bërë avokatinë e çdo qytetari me forcën më të madhe në çdo zyrë shteti dhe me çdo autoritet, deri te kryeministri e kushdo tjetër. E kam çuar problemin e çdo të vobekti të Shqipërisë, me zërin sikur të ishte vetë, në Parlament, në qeveri e kudo. Këtë politikë bëra unë. Në qoftë se unë u dhashë fund pazareve të ulëta që shisnin vende pune, në qoftë se unë u dhashë fund hapësirave kur njerëzit kërkonin të bënin biznes duke shitur postet e punës, bluzën e infermierit, kapelën e policit, karrigen e mësuesit e të tjera, ky nuk është problemi im. Ky është problemi i të tjerëve.

Këto janë akuza të rënda për qeverinë.

Kokëdhima: Nuk janë për qeverinë. Ky është tranzicioni i Shqipërisë, kjo është kultura që gjeta unë atje. Kjo është kultura që ka sunduar, e pranoni apo jo ju. Dhe këtë kulturë godita unë. Me këtë kulturë u përballa unë me ato reformat tona dhe me gjendjen katastrofike që unë gjeta në organizimin politik të partisë. Unë i kundërvura një projekt modernizimi që Partia Socialiste të ishte një parti politike moderne, e qeverisur me një kulturë funksionale, me rregulla të qarta, me institucione dhe në lidhje të ngushtë me qytetarin. Që Partia Socialiste të mos ishte vetëm e kryetarit, por të ishte edhe e atij katundarit në fshat, edhe e atij blegtorit, edhe e atij bujkut, edhe e atij të papunit, edhe e atij që shpronësohet, edhe atij që goditet etj. Pra të ishte partia e të gjithve. Të ishte një parti ku të dëgjoheshin të gjithë. Në qoftë se mua më thonë se je “Pashai i jugut”, sepse i dhashë gjithë vëmendjen e nevojshme dhe gjithë pushtetin që unë kisha njerëzve të thjeshtë të atij rajoni, të asaj zone. jam shumë i lumtur që ma thonë këtë gjë.

Cila është arkitektura juaj për reformën zgjedhore?

Kokëdhima: Saliu, një nga gjërat më të shëmtuara, një nga krimet më të mëdha që bëri ishte se mbolli në Shqipëri kryekrimin e vjedhjes së votës. S’ka krim më të rëndë nga të gjitha llojet e krimeve, që të manipulosh dhe të vjedhësh votën. Një populli nuk mund t’i bësh gjënë më të rëndë se sa ky. Por edhe kulturën e shkatërrimit të institucionit të zgjedhjeve që mbolli Saliu, për fatin e keq dhe të zi të Shqipërisë, e pëlqyen pastaj edhe socialistët e të tjerët. Dhe është bërë një kulturë që e dimë që në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk janë të interesuara palët për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por manipulojnë dhe trafikojnë votat. Merren votat e Partisë Socialiste dhe i jepen një personi tjetër, se urdhëron kështu lidershipi i partisë. Ose merren votat e një kandidati të pavarur dhe komisionerët e dy partive të mëdha i ndajnë një ti, një unë, një ti, një unë. Pa u çliruar zgjedhjet nga manipulimet, nuk do të shpëtojë Shqipëria nga varfëria, nga skamja, nga mizerja, nga i ftohti, nga përmbytja, nga depresioni, nga krimi, nga gjithë këto histori që kemi sot. Dua të jetë e qartë për të gjithë shqiptarët, ju flas me mënyrën më të sinqertë, me gjithë përvojën time jetësore, me gjithë ç’kam mësuar unë se po nuk u pastruan zgjedhjet, nuk do të rregullohet asgjë në këtë vend. Prandaj edhe zgjedhjet janë të rrezikuara si nga demokratët edhe nga socialistët. Lakminë për të manipuluar dhe vjedhur zgjedhjet e kanë të gjitha palët. Të gjitha palët duan të manipulojnë votën, prandaj ne duam një sistem objektiv. Arkitektura sipas meje e një projekti për modernizimin dhe pastrimin e zgjedhjeve në Shqipëri, duhet të nënkuptojë votim elektronik në qendrën e votimit, numërim elektronik në qendrën e numërimit, brenda Shqipërisë dhe në konsullatat e ambasadave tona, përfshirë shqiptarët e këtushëm dhe shqiptarët që kemi në emigracion. Një administratë zgjedhore, apartiake. Një kontroll i rreptë dhe i plotë mbi financimin e zgjedhjeve. Dhe kolona e pestë një sistem ligjor, një tërësi masash ligjore që të kriminalizojnë çdo shkelje në procesin elektoral dhe të mbaheshin përgjegjësi të rënda penale për ata që përfshihen si në shitje, si në blerje vote, si në manipulim, si në trafikim. Duhet të jenë krime të rënda penale urdhrat që japin kryetarët e partive, hiqi kaq vota këtij dhe jepja këtij tjetrit. Hiqini vota kësaj partisë së madhe këtu dhe jepja partisë tjetër atje, e kështu me radhë. Kjo për mua do të ishte arkitektura e një projekti që e nxjerr Shqipërinë nga ky llum dhe e fut në rrugën e një sistemi politik funksional.

Pak më parë thatë se e keqja buron nga kryetarët, të cilin mbrojnë individë që nuk plotësojnë kriteret e të tjera, apo fusin në lista përfaqësues të botës së krimit. Kjo nuk shmanget sipas projektit tuaj

Kokëdhima: Sistemi i partitokracisë është sistemi i kryetarëve, është ky sistemi që thashë, që populli i voton, kryetarët zgjedhin. Kryetarët janë zotër. Kryetarët jetojnë parajsën. Kryetarët, mos e dhëntë Zoti, që jo vetëm caktojnë kush do të jetë deputet, kush do të jetë kandidat për deputet, kush do të jetë kandidat për kryetar, kush do të jetë për atë e për këtë. Mos e dhëntë Zoti që të thonë se kë do marrësh për grua. Sistem i kalbur i partitokracisë duhet patjetër të shembet. Do shembet, sepse popujt nuk shkojnë drejt kufizimit të lirive. Populli shqiptar është duke u zgjuar, është duke u ndërgjegjësuar, është duke kuptuar. I kupton gënjeshtrat e tyre, i kupton manipulimet e tyre. Shkojnë e blejnë mediat, analistët, shoqërinë civile e të tjera, dhe kujtojnë se do të gënjejnë popullin. Nuk gënjehet populli, sepse i ka vajtur thika në palcë. Prandaj nuk është në pyetje do të bjerë partitokracia në Shqipëri apo jo? Që do të bjerë, që do të shembet, që do të thyhet në mes, kjo është diçka e sigurt. Në pyetje është kur, me çfarë shpejtësie dhe me çfarë kostoje? Unë për vete jam absolutisht shumë entuziast. E di si e përjetoj këtë gjë? E përjetoj gjithë këtë luftë, gjithë këtë situatë, si një gjë aq të gëzueshme, sepse jam i sigurt që është një diçka shumë e shëndetshme. Në thelbin e vet është një luftë për liri. Një luftë në thelbin e vet për demokraci. Është një luftë për zhvillim. Prandaj unë jam i përkushtuar për këtë punë, por nuk jam vetëm unë. Unë shikoj çdo ditë dhe lexoj artikuj, unë shikoj njerëzit që rrinë nëpër salla. Ata i pëlqejnë këto ide, që të gjithë. Unë shikoj shumë komentues në rrjetet sociale, shumë komentues në shtyp, të cilët çdo ditë e më shumë ngulin këmbë te këto ide të cilat janë jetike për Shqipërinë.

Duhet ndërruar kodi zgjedhor apo sistemi zgjedhor, për të shmangur edhe ato që thamë pak më parë?

Kokëdhima: Patrtitokracia duhet të shembur me ligj. Pushteti i pakufizuar i kryetarëve të partive, të cilët ia kanë marrë këtë pushtet popullit dhe e kanë zhveshur popullin shqiptar, e kanë vjedhur. Ata nuk janë përfaqësues të popullit, janë thjesht uzurpatorë të tij. E kanë vjedhur këtë popull, e kanë grabitur. Ata sigurisht që duhet ta kthejnë këtë pushtet, por jo me vullnetin e tyre. Nuk duan, nuk ballafaqohen, nuk debatojnë. I ikin dhe i fshihen debatit, sepse nuk kanë asnjë argument, se u duhet që të ballafaqohen me të vërtetën. Ata duhet t’ia kthejnë këtë pushtet popullit, por nuk do t’ja kthejnë me vullnetin e tyre. Duhet me ligj. Ligji duhet të vendosë standarde për partitë politike, për demokracinë e brendshme të partive politike, për zgjedhjet paraprake, që t’i garantohet çdo qytetari e drejta që të zgjidhet e të zgjedhë. Dhe që ta fitojë këtë gjë jo vetëm kryetari. Për të krijuar ato mjedise politike, ato parti politike, duhet të ndihet mirë edhe kryetari dhe të ndihet mirë edhe ai anëtari i thjeshtë i partisë. Për këtë parti flas unë, për partinë e qytetarëve. Janë realitete në të gjithë vendet demokratike, janë realitete që garantohen me ligj. Dhe ne duhet të vemi në këto realitete, sepse për këto ka luftuar populli ynë, për një demokraci funksionale, për të drejta njerëzore, për të drejta qytetare. Ku qytetari mos të jetë rob koti, një numër që nuk vlen asgjë. Por të jetë njeri që pyetet, dëgjohet dhe vendos. Dhe të jetë ai që të thotë: “Unë do e zgjedh deputetin që dua, jo ti. Unë do të zgjedh deputetin që dua, jo atë që do ti kryetar, se nuk je ti populli. Ti të bësh detyrën tënde, unë do të zgjedh të duhurin”. Vetëm një grusht socialistësh janë kundër kësaj që them unë. E di kush? Vetëm kryetari, vetëm ai nënkryetar dhe vetëm një grusht njerëzish, të cilët nuk bëjnë dot deputetin po i zgjodhi populli, sepse ia kanë sjellë në majë të hundës popullit. Se populli i urren, se populli nuk i shikon dot me sy, se këta e kanë gënjyer popullin, e kanë mashtuar, e kanë vjedhur. Dhe po të shkojë te populli, populli i thotë, ik lipsuni se nuk ju zgjidhim më. Por nuk ndodh kështu. Kur deskreditohet i zgjedhuri në popull, ai deputeti që e ka vjedhur dhe ka shkelur atë milet, çfarë bën kryetari? E merr atë, e lan dhe e pastron dhe e çon në Lezhë, ose e çon në Kukës. E heq nga Vlora, për shembull, dhe e çon në Dibër. Dhe ai mbetet prapë deputet. Prandaj po them që ne na duhet një sistem i vërtetë. Kush humb besimin e popullit, nuk mund të zgjidhet më deputet në Republikën e Shqipërisë. Madje nuk mund të zgjidhet më as në Kosovë. Kush humb besimin e shqiptarëve këtu, të shkojë në shtëpi dhe të rrijë me gruan e tij, të bëjë biznes për veten e tij në ndërmarrjen e tij, e të tjerë. Por jo më deputet, jo më përfaqësues i popullit se do kryetari. Jo. Atje do të shkojë vetëm ai që do populli dhe ata që i rrinë besnik popullit. Si do të rrinë deputetë ata njerëz që shkojnë e votojnë për një incenerator? Ky popull ka bërë 15 vjet luftë kundër një inceneratori. Atyre ambientalistëve u janë thyer këmbët dhe Saliu i burgosi. Unë i kam vizituar në burgje ata, ju theu këmbët, i masakroi se luftonin për mbrojtjen e mjedisit. Ata qytetarë që gdhihen sa e sa netë jashtë. Ata që janë përplasur në gjykata, ata që janë përplasur në polici, etj. Ata që ne u premtuam se nuk do të ketë më import mbetjesh, se nuk do të ketë më plehra, se nuk do të ketë më një inceneratorë në këtë vend. Kam mirëkuptimin më të thellë për demonstruesit në zonën e Fierit që janë kundër këtij impiantit për mbetjet, atyre makinerive vrasëse për jetën dhe shëndetin e popullit. Unë jam solidar dhe bashkohem me ta dhe e ftoj Armando Subashin, për të cilin kam një respekt dhe vlerësim të jashtëzakonshëm, që të mos bjerë pre e propagandës qeverisëse. Të mos pranojë në territorin e bashkisë së tij asnjë incenerator. Ato janë infrastrukturë e eco-mafias që do të kamuflojë plehrat për t’i djegur në Shqipëri, kur nuk i djegin dot në vendin e tyre. Nuk e bëjnë dot ekonominë e Shqipërisë, duke djegur jetë njerëzish dhe duke shkatërruar shëndetin e popullit. Na duhet ta bëjmë ekonominë e Shqipërisë, duke bërë bujqësinë, duke bërë blegtorinë, duke bërë turizmin.

Po ligji për importin e plehrave nga Partia Socialiste u miratua.

Kokëdhima: Nga partia udhëheqëse, jo nga partia e bazës. Partia Socialiste e bazës është partia më e shkëlqyer, patriotët më të mëdhenj, trashëgimia më e ndritur e popullit tonë. Janë pasardhësit e atyre që çliruan atdheun tonë, që ndërtuan Shqipërinë. Janë pasardhësit e atyre që ngritën gjithë këto ideale të lirisë në këtë vend, që ngritën arsimin. Dhe ne jemi shumë krenarë për ta. Dhe ajo partia e bazës, nuk dëgjohet nga partia e udhëheqjes. Kjo partia e udhëheqjes ia bën me hile asaj partisë së bazës. Prandaj partia e bazës po zgjohet dhe nuk do të lejohet që të turpërohet e t’i dalë kundër qytetarit të vet. Por do t’i qëndrojë qytetarëve në të gjitha këto sfida me të cilat ne përballemi.

Jeni shkarkuar nga funksionet e Asamblesë në kundërshtim me statutin. Si mund të heqë një parti në kundërshtim me ligjin e brendshëm?

Kokëdhima: Unë ju kam kërkuar kolegëve të drejtimit të partisë që të më vënë në dispozicion dokumentet. Sepse dokumentet pastaj duhet t’i gjykojnë, se ka organe që i gjykojnë këto çështje. Edhe duhet t’i gjykojnë komisioni i garancive statutore ose gjykata. Në qoftë se ato janë të drejta, unë do t’i bindem.

Ka autoritet gjykata që të ndërhyjë në vendimet e partisë?

Kokëdhima: Sigurisht që ka autoritet të gjykojë çdo çështje, çdo konflikt statutor. Unë i kam kërkuar dokumentet. Difenca midis bandës dhe partisë korrekte, konsiston pikërisht nga respektimi i rregullave dhe ligjeve. Në qoftë se ke një statut që e zbaton, po je parti. Në qoftë se në atë statut respekton të gjitha procedurat, po je parti. Në qoftë se ti pastaj nuk ke statut, s’ke procedura, s’ke dokumente, s’jep vendime, s’jep arsyetime, s’ke raporte, ti je thjesht një bandë, nuk je një parti. Dhe unë do të luftoj që kjo partia e udhëheqjes të bëhet parti e vërtetë siç është partia bazë socialiste, që janë trashëgimia e vërtetë dhe palca e të majtës sonë.

E kuptova pakënaqësinë në lidhje me trajtimin tuaj brenda Partisë Socialiste dhe formën se si ju jeni shkarkuar, pra jeni bërë një anëtar i thjeshtë.

Kokëdhima: Jam tërësisht indiferent për këtë punën e gradave dhe të titujve. Ato s’më japin asgjë mua. E kam thënë shumë herë këtë gjë. Unë nuk i bëj për vete këto. Partia Socialiste është një parti e madhe, është një gjë me shumë rëndësi për popullin tonë. Janë me mijëra të rinj e të reja në Shqipëri, po edhe burra dhe gra që janë në të drejtën e Zotit, në të drejtën e tyre, në të drejtën e jetës që të bëjnë karrierë të shëndetshme në Partinë Socialiste, që të bëjnë një karrierë vezulluese, një karrierë suksesi. Karriera e tyre nuk duhet të varet nga humori i Edi Ramës. S’ka sjellje më të shëmtuar se ajo që bëri ky zotëria natën e Krishtlindjeve në 2016, kur tha: “O unë, o ti në parti”. Këto mund të thuhen “o unë o ti” në shtëpinë time, në një drekë, në një gjë që e vendos ti, por jo në një parti politike. Unë nuk e bëj për vete këtë luftë. Unë e bëj këtë luftë për të gjithë djemtë dhe vajzat e Partisë Socialiste, për të gjithë të rinjtë e të rejat e Shqipërisë që duan të bëjnë karrierë të sigurtë në politikë. Ata duhet të kenë garanci dhe nuk duhet të ndikohen nga humori apo pëlqimet e asnjë lloj kryetari, as të Edi Ramës. Ata duhet të jenë zotër të karrierës së tyre. Karriera e tyre duhet të varet vetëm nga puna e tyre, vetëm nga besnikëria ndaj popullit, dhe vetëm nga mbështetja, nga veprat, nga studimi, nga arritjet, nga sukseset, nga aftësia për të mbrojtur atdheun e tyre, dhe nga aftësia për të zhvilluar ekonominë e vendit. Për këtë e bëj unë këtë gjë. Mua nuk më hyn fare në sy asnjë lloj posti ekzekutiv në asnjë lloj partie politike.

Keni mbështetje për këtë lëvizje?

Kokëdhima: Unë kam me vete partinë e bazës, socialistët e thjeshtë. Gjej një socialist të thjesht ti, edhe thuaji: “Si e do ta kesh partinë? Do një parti që të dëgjon apo do një parti që të mbyll telefonin? Do një parti që s’të pret, apo do një parti që të rri gati ty? Do një parti që të mundëson ta pyesësh direkt ministrin se pse e ka bërë këtë gjë, dhe të marrësh një përgjigje, apo do një parti që ta dëgjosh ministrin vetëm në mitingje? Do një parti që të jetë afër teje, apo do një parti që të të gënjejë? Do një parti që të të shkelë me këmbë?”
Unë kam bërë në atë parti, në këto 3 vjet punën dhe projektet reformuese, që ata nuk i bënë për 25 vjet. Kam ofrur projekte shkencore sipas standardeve më të mira të partive politike në demokracitë perëndimore. Kam bërë një punë shumë shkencore dhe shumë profesionale. Dhe nuk kam bërë punë për ndonjë përfitim personal. Kam bërë një punë që besoj se do t’i shërbejë shumë vendit, pavarësisht se si ka ardhur deri tani kjo gjë, me këto përplasje me mua. Përplasjet ndaj meje janë thjesht refuzimi i asaj gjëje. Por ky refuzim nuk do të jetojë dot, nuk do të rezistojë dot dhe do të bjerë. Kjo teori, kjo doktrinë, ky projekt, këto teza, këto ide dhe këto kauza, janë kauzat e qytetarëve, janë kauzat e lirisë dhe do të fitojnë. Historia do ta vërtetojë këtë që them unë.

Cili do të jetë fati i Koço Kokëdhimës në zgjedhjet e 18 qershorit 2017? Do të kandidoni apo do të riktheni në botën e biznesit apo si botues?

Kokëdhima: Unë do të jem aktiv, siç e kam njoftuar. Në datën 10 maj 2016 kam bërë një njoftim. Ditën kur ata që komplotuan kundër mandatit tim, me Gjykatën Kushtetuese, ata që urdhëruan ndërprerjen e mandatit tim me shpresën se do të eliminonin karrierën time politike, e kanë marrë përgjigjen prej meje. Unë do të jem aktiv më shumë se kurrë në politikë, sot dhe gjithë kohës. Dhe do ta bëj moshën time, deri në pension, në politikë. Këto ide që ju them këtu do t’i zbatoj me çdo kusht për sa kohë besoj se populli ynë i do këto ide dhe ka nevojë për to.

Do të kandidonit për cilëndo parti që ju ofron mandatin e deputetit?

Kokëdhima: Unë jam socialist, besnik i pathyeshëm dhe i patjetërsueshëm. Unë nuk do të tradhtoj asnjë socialist që beson tek unë. Unë do të jem deputeti i Partisë Socialiste. Le të zgjedhin në Partinë Socialiste 140 kandidatë që janë më të mirë se unë, unë do t’i duartrokas dhe do të shkoj të votoj për ta dhe do të bëj gjithçka kam në dorë që t’i mbështes ata. Por unë besoj se Partia Socialiste do të ketë kritere dhe forcë që të zbatojë meritokracinë në zgjedhjen e kandidaturave dhe do të krijojnë hapësira që të shkojnë të gjithë të zotët. Po qe se unë do e meritoj, do të shkoj lumturisht. Po qe se unë nuk do e meritoj, se do të ketë shokë më të mirë se unë, me meritat më të mira se unë dhe me aftësi kontribute, projekte, ide, unë do të mbështes ata që janë më të mirë se unë. Por unë do jem socialist se nuk e ndërroj dot gjakun tim dhe nuk e hedh poshtë të shkuarën time. As punën që kam bërë për ta rindërtuar Partinë Socialiste.

I druheni faktit që e çuat dëm karrierën në politikë, për shkak të konflikteve parimore dhe konstruktive?

Kokëdhima: Unë kam çuar dëm karrierën? E keni shumë gabim.

Po listat e deputetëve i bën kryetari?

Kokëdhima: Do ta heqim kryetarin, po të them. Do ja japim qytetarit. Këtë luftë do të bëjmë. Do ua marrim këtë pushtet kryetarëve dhe do t’ua japim socialistëve të bazës dhe qytetarëve të Shqipërisë. Ata le të na refuzojnë, jo kryetarët.



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here