Kryeministri Edi Rama e ka përmendur shpesh Rusinë ditët e fundit si një kërcënim ndaj përgjigjes negative të BE-së në rast të një vendimi negativ për moshapjen e negociatave.
Edhe në takimin me kancelaren gjermane Merkel në Berlin, Rama foli për influencë ruse në Ballkanin Perëndimor dhe madje edhe influencë të Shtetit Islamik.
Por kryeministri nuk u mjaftua me kaq, pasi edhe në një intervistë televizive u shpreh dashamirës ndaj Rusisë dhe tha se ishte i gatshëm të bënte një vizitë të nivelit të lartë në Moskë, pra të takojë presidentin Vladimir Putin.
Por një ditë më pas nga ambasada ruse në Tiranë informoi mediat për një vizitë të ministres së Kulturës Mirela Kumbaro në Shën Petërburg, ku madje kishte dhënë edhe një leksion në Universitet.
Më 1 dhjetor ambasada ruse tregonte praninë e Shqipërisë në Forumin Kulturor Ndërkombëtar. Madje ambasada e quan një lajm të mirë pjesëmarrjen e delegacionit shqiptar dhe ministres Kumbaro dhe e ka përshkruar si diçka që ka ndodhur këtë vit për herë të parë.
“U çel sot në Shën Petërburg Forumi i V-të Kulturor Ndërkombëtar (1-3 dhjetor 2016), i cili organizohet nga Qeveria ruse, Ministria e Kulturës së Rusisë dhe Bashkia e Shën Petërburgut dhe ka për qëllim trajtimin e gjithanshëm të çështjeve të jetës kulturore në Rusi dhe në botë. Lajmi i mirë është që sivjet në Forum vjen edhe delegacioni zyrtar shqiptar me në krye Ministren e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, e cila bashkë me homologun e saj rus, z. Vladimir Medinski, do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Programit të bashkëpunimit midis ministrive të kulturës së dy vendeve për periudhën 2017-2019. I urojmë përfaqësuesve të Shqipërisë një qëndrim sa më të këndshëm në Rusi dhe pjesëmarrje sa më frytdhënëse në Forum!”, shkruante ambasada.
Dhe në ditë pasardhëse njoftohej për marrëveshjet e nënshkruara dhe aktivitetet e Kumbaros në Rusi. “Nënshkruhet Programi i bashkëpunimit kulturor Rusi-Shqipëri. Sot, në kuadër të Forumit të V-të Kulturor Ndërkombëtar të Shën Petërburg, Ministrja e Kulturës së Shqiperisë, znj. Mirela Kumbaro, e cila kryeson delegacionin shqiptar në këtë Forum, bashkë me homologun e saj rus, z. Vladimir Medinski, kanë nënshkruar Programin e bashkëpunimit kulturor ndërmjet ministrive të kulturës së dy vendeve për periudhën 2017-2019. Gjithashtu, dje në një nga seancat e Forumit, ku morën pjesëpërfaqësues të vendeve të ndryshme si Italia, Greqia, Sllovenia, Serbia etj., Ministrja Kumbaro mbajti një fjalim kushtuar çështjeve të ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe planeve për të intensifikuar dialogun kulturor Rusi-Shqipëri”, thuhet në njoftimin e parë në faqen e ambasadës ruse të publikuar dje.
“Gjatë qëndrimit të saj në Shën Petërburg, ku delegacioni shqiptar po merr pjesë në Forumin e V-të Kulturor Ndërkombëtar, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro zhvilloi sot një vizitë në Universitetin Shtetëror të Shën Petërburgut, ku pati një takim me Zv.Rektorin për Marrëdhëniet me Jashtë, Sergej Andrjushin, si dhe me përfaqësues të tjerë të rektoratit. Bashkëbiseduesit evidentuan hapësira të mëdha për bashkëpunim dhe diskutuan mbi hapa konkretë për të vendosur kontakte të qëndrueshme komunikimi midis Universitetit dhe institucioneve të Shqipërisë. Gjithashtu, në një nga sallat më të bukura të Universitetit Ministrja mbajti një leksion me temë “Komunikimi përmes kulturës si faktor bashkëpunimi ndërkombetar dhe kohezioni social” për studentët dhe pedagogët e atjeshëm, kryesisht ata të degës së gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në përfundim të leksionit albanologët e rinj patën mundësi të praktikonin shqipen e tyre, duke komunikuar nga afër me znj. Kumbaro”, thuhet në njoftimin e dytë të ambasadës..
Kumbaro është një nga të paktat pjesëmarrëse në këtë forum në nivelin e ministres, nga vendet europiane që janë anëtare dhe aspirante për BE-në. Ndërsa në aktivitet pritet të jetë edhe presidenti Putin. Por nuk dihet nëse Kumbaro do të ketë nderin ta takojë presidentin rus dhe t’i përcjellë mesazhet e shefit të sa.
Ndërkohë në faqen zyrtare të ministrisë së Kulturës nuk gjendet asnjë njoftim për këtë udhëtim të rëndësishëm por mund të shohësh të publikuara edhe aktivitete jo të mëdha të punës dhe takimeve të përditshme të ministres Kumbaro.
Kjo gjë ngre dyshime se pse është mbajtur i fshehtë ky takim dhe përse nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga ana e qeverisë apo ministrisë përkatëse.