Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka shkelur ligjin duke mos respektuar kriteret për mbrojtjen e biodiversitetit në 38 lejet e dhëna për ndërtimin e hidrocentraleve. Rrezikohet zhdukja e qindra specieve dhe bimëve që konsiderohen si pasuri natyrore kombëtare.
Nga investigim.al
Lejet e dhëna për ndërtimin e hidrocentraleve në mbarë vendin po shndërrohen në një bumerang mjedisor. Janë jo pak, por plot 38 leje të miratuara nga Ministria e Mjedisit pa marrë parasysh kriteret për ruajtjen e biodiversitetit. Specialistët japin alarmin se një sërë speciesh e bimësh të rralla që konsiderohen dhe si pasuri natyrore rrezikojnë të zhduken nga shkatërrimi i mjedisit si pasojë e ndërtimit të hidrocentraleve.
Për të hedhur më shumë dritë mbi këtë çështje, investigimi.al ka vlerësuar lejet e dhëna për ndërtim hidrocentralesh nga janari vitit 2014 deri në qershor 2016. Gjatë kësaj periudhe, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, e cila është në varësi të ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, ka marrë 43 aplikime/kërkesa të projekteve për HEC-e për miratimin mjedisor (leje) të tyre. Të dhënat për miratimet mjedisore të projekteve, publikuar në faqet elektronike të Qendrës Kombëtare të Biznesit (www.qkl.gov.al) dhe atë të Ministrisë së Mjedisit (www.mjedisi.gov.al ) tregojnë se për 38 nga 43 aplikime në total, miratimi është dhënë pa kryer fare vlerësimin e ndikimit në mjedis të tyre.
Miratimi mjedisor i kërkesave për ndërtimin e HEC-eve është dhënë pa njohur, e në mjaft raste duke refuzuar të njihet ndikmi negativ i tyre në mjedis, veçanërisht në receprorë të ndjeshëm të tij si biodiversiteti. Ndërtimi i hidrocentraleve shoqërohet me ndikime të drejtpërdrejta në habitatet ku ato zhvillohen, veçanërisht mbi faunën ku më të rrezikuarat janë llojet ujore si peshqit. Ndaj këtij rreziku janë më të ekspozuar llojet e ujërave të ëmbël si peshqit (rreth 59 prej të cilëve listohen si të rrezikuar në shkallë vendi). Ndërprerja e rrjedhave ujore (lumenj ose përrenj) nëpërmjet ndërtimit të digave mbi to, rezulton me reduktim drastik të habitatit të tyre dhe në mënyrë më specifike ndalon përfundimisht lëvizjen e peshqve përgjatë gjithë gjatësisë së lumenjve. Ky fenomen është vdekjeprurës për këto lloje, por njëkohësisht edhe për të gjitha speciet e lidhura me to në zinxhirin ushqimor të tilla si: lundërza, arinjtë, shpendët grabitqarë etj.
Eksperti i mjedisit, njëkohësisht drejtues i Shoqatës për Mbrojtjen e Shpendëve dhe Kafshëve të Egra të Shqipërisë, Klodian Aliu, shprehet se ndikimet në biodiversitet të hidrocentraleve janë vdekjeprurëse për faunën e egër dhe të pakthyeshme. “Fragmentimi i lumenjve dhe rrjedhave ujore nëpërmjet digave ose veprave të derivacionit (kanale dhe tubacione) të HEC-eve janë si ‘dënim me vdekje’ për shumë lloje të faunës. Pa një vlerësim të mirëfilltë të ndikimeve në biodiversitet të HEC-eve nuk është e mundur të forcohet legjislacioni në mbrojtje të mjedisit. Një studim i besueshëm kërkon vrojtime të zonës në një periudhë më së paku 1-vjeçare me qëllim që të sigurohen të dhëna për secilin lloj dhe sjelljen e tij ekologjike gjatë një viti të plotë”, pohon për investigim.al, Aliu.
Duke anashkalur dhe injoruar aktet ligjore specifike për biodiversitetin të cilët kanë si qëllim mbrojtjen e specieve dhe habitateve, Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka aprovuar ndërtimin e së paku 38 HEC-eve duke u shprehur se “projekti nuk duhet t’i nënshtrohet procedurës së vlerësimit të thelluar të ndikimit në mjedis”. Një shembull i miratimeve të këtij lloji është ai i dhënë për ndërtimin e një hidrocentrali mbi lumin Osoja (pjesë e pellgut ujëmbledhës të lumit Devoll), me segment derivacioni prej 4 km (Vendim nr.54 datë 28.12.2015 dhënë nga AKM për kompaninë “Favina” sh.p.k.). Pavarësisht se nuk është kryer asnjë vlerësim i ndikimit në biodiversitet të këtij projekti, Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka dhënë aprovimin për ndërtim.
Shqipëria është një vend i pasur në biodiversitet, kjo falë pozicionit të saj klimatik dhe gjeografik. Për të ruajtur këtë biodiversitet nga zhvillimi ekonomik në vitin 2006 është miratuar një ligj i posatshëm (nr.9587/2006) i cili kërkon mbrojtjen e të gjitha specieve dhe habitateve të tyre. Në zbatim të këtij ligji në vitin 2013 u miratua nga ministri i Mjedisit, Lefter Koka, lista e azhornuar e llojeve me status të kërcënuar (Libri i kuq). Referuar kësaj liste, në Shqipëri kërcënohen 402 lloje bimësh, 575 lloje faunistike ndër të cilat 59 lloje peshqish. Me qëllim që të ndalet zhdukja e këtyre llojeve kërkohet mbrojtje strikte.
Bazuar në urdhrin e ministrit Koka, Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), gjatë shqyrtimit të kërkesave për miratimin e HEC-eve duhet të sigurojë mbrojtjen e specieve nga këto projekte dhe të ndalë tendencën për zhdukje të tyre. Siç konstatohet nga ky investigim, AKM, në asnjë rast nuk e ka zbatuar këtë detyrim ligjor, i cili synon të parandalojë dëme të mëdha në biodiversitet dhe më gjerë. Për më tepër, AKM ka refuzuar të kërkojë të njihet me dëmin që do të ndodhë nga ndërtimi i HEC-eve të miratuara prej saj.
Në kuadër të përafrimit të rregullave të ruajtjes së natyrës me Direktivat e BE-së, në vitin 2014 (VKM 866, datë 10.12.2014 ), u miratua “Lista e habitateve dhe llojeve të biodiversitetit në Shqipëri, me interes për Komunitetin Europian”. Shumë nga këto habitate përfshijnë ato që do të dëmtohen nga HEC-et e miratuara me habitate të tillë, si: breglumore dhe ujërave të ëmbël, me dëmtimin e tyre do të shkatërrohet shtëpia e shumë llojeve të faunës dhe florës që mund të jetojë vetëm në këto mjedise specifike. Këto miratime të AKM janë në shkelje dhe të disa Konventave ndrkombëtare të tilla si Konventa për Ruajtjen e Jetës të Egër dhe Habitateve Natyrore në Europë (Konventa e Bernës) dhe Konventës së Diversitetit Biologjik (Konventa e Bonit), të dyja të nënëshkruara nga Shqipëria.
Të vlerësuar rast pas rasti të 38 HEC-et e miratuara nga AKM kanë ndikime specifike në këto habitate, por nuk kufizohen vetëm aty sepse nga një copëtim i rrjedhës ujore pasojat shtrihen në gjithë gjatësinë e lumit dhe deri në det. Më tej akoma në aspektin e përbashkët, këto HEC-e shkaktojnë një ndikim të gjerë në rrjetin ekologjik të vendit si cili funksionon si një i tërë, jo i izoluar në nivel lumi. Përllogaritet se nga këto HEC-e do të ndikohet në mënyrë direkte një segment lumor total prej rreth 100 km dhe me dhjetra habitate e mikrohabitate.
Në 38 aktet e miratimit të AKM-se për këto HEC-e mungojnë të dhëna të rëndësishme, të paktën për 33 prej tyre. Të dhënat që mungojnë janë: gjatësia e lejuar e devijimit të lumit, ndërkohë që asnjëri nuk përmban kushte specifike për masat që duhen marrë për mbrojtjen e habitateve dhe llojeve biologjike që do ndikohen nga projekti i miratuar.
Për të adresuar mungesën e standardeve për mbrojtjen e natyrës, në vitin 2012 u miratua Ligji për menaxhimin e integruar të burimeve ujore, i hartuar me financim të BE dhe ekspertizë të huaj. Ky ligj kërkon dhe jep formulën e llogaritjes së sasisë minimale të ujit ekologjik të detyrueshëm për t’u lëshuar nga HEC-et për ruajtjen e biodiversitetit. Dhe pse ligji detyron zbatimin e kësaj dispozite tepër të rëndësishme, asnjëri nga 38 miratimet në fjalë nuk përcakton sasinë specifike dhe mënyrën e lëshimit të ujit për të përmbushur detyrimin ligjor dhe ruajtjen e biodiversitetit. Mungesa e këtyre kushteve në miratimet mjedisore bën të pamundur monitorimin, pasojat dhe mënyrën e zbatimit të kërkesave ligjore të mjedisit gjatë fazës së ndërtimit dhe funksionimit të HEC-eve (me jetëgjatësi mbi 50-vjeçare dhe deri në qindravjeçare). Bazuar në ciklin jetësor të biodiversitetit që do të ndikohet, këto lloje habitate do të dëmtohen deri në zhdukje totale në një hark kohor nga 1 deri në 15 vjet.
Si rrjedhje e këtyre fakteve lindin disa pyejte që kërkojnë përgjigje. Pse AKM në 38 miratimet e saj vendos të injorojë vlerat natyrore në këto lumenj dhe përgjatë tyre? Sa lloje kafshësh e bimësh si dhe habitatesh do të dëmtohen nga këto miratime? Ku e bazon dhe gjen të drejtën AKM të autorizojë këto dënime me vdekje për biodiversitetin në emër të një apo 38 investitorëve? Natyra është një pasuri kombëtare me vlera të shumëfishta apo një pronë private e disa zyrtarëve të AKM-së dhe Minitrisë së Mjedisit? Pse nxitohet AKM në miratimet e saj të bëra mesatarisht brenda 1 muaji kur vetëm studimi për ndikimet në biodiversitet kërkon 1 vit kohë kalendarike? Kush përfiton në kurriz të këtyre dëmeve kaq të mëdha në shkelje të ligjit dhe duke kryer krime masive ndaj biodiversitetit? A ja vlen të shpenzohen mbi 20 milion dollarë çdo vit vetëm për ekzistencën e Ministrisë së Mjedisit dhe agjencive të saj përfshi dhe AKM?
Dështimet e AKM gjatë këtyre 38 lejeve për hidrocentrale nuk kufizohen vetëm në mungesën e zbatimit të normave të ruajtjes së biodiversitetit. Vendimi i qeverisë “Rama” nr. 247, datë 30.4.2014, e detyron AKM që të konsultohet përpara miratimeve të saj për çdo rast. Konsultimi duhet të bëhet me palët e interesuara dhe sa i takon rujatjes së biodiversitetit me ato të specializuara si Fakulteti i Shkencave të Natyrës (përfshi dhe Qendrën për kërkimet e faunës dhe florës) si dhe shoqata që merren me ruajtjen e natyrës. Shoqata për ruajtjen e shpendëve dhe gjitarëve të Shqipërisë, një organizatë 20-vjeçare me kontribut të madh në studimin e biodiversitetit dhe hartuese e botimit të parë të Librit të kuq të biodiversitetit në Shqipëri, 1997, bën të ditur se AKM në asnjë rast nuk ka njoftuar apo ftuar anëtarët e saj gjatë shqyrtimit të kërkesave për miratimin mjedisor të HEC-eve.
Gjithashtu, bazuar në vendimin e qeverisë, AKM duhet që të publikojë në faqen elektronike te saj (www.akm.gov.al) çdo aplikim për miratimin mjedisor. Nga investigimi rezutoi se asnjë nga aplikimet për 43 HEC-et nuk ishte publikuar në këtë faqe, ndërkohë që ironikisht në të gjenden shumë lloje aplikimesh të tjera përfshi ato të punishteve për prodhimin e mobilieve . Pavarësisht detyrimit ligjor dhe nismave të transparencës dhe konsultimit që qeveria trumbeton përditë, asnjë nga këto nuk është zbatuar nga AKM. Kjo shkelje massive e të drejtës së informimit dhe pjesëmarrjes në vendimmarrjen mjedisore është në shkelje të hapur dhe të Konventës së Aarhusit ku Shqipëria është palë.