Vendi ndodhet nën terrorin e maskave dhe grabitësve. Pothuajse çdo ditë ndodh nje vjedhje me dhunë apo një grabitje me armë, ku shënjestra kryesisht janë qytetarët dhe bizneset. Po sot një tjetër grabitje ka ndodhur në Lezhë. Sipas raportimeve grabitja ka ndodhur në fshatin Rrilë, rreth orës 1:30 të mëngjesit ku persona të armatosur kanë mësyrë në vilën luksoze të familjes Sela, ku ndodheshin 2 bashkëshortët e moshuar dhe nën kërcënimin e armëve kanë kërkuar paratë.
Dyshohet se kryefamiljari Vasil Sela ka bërë rezistencë ndaj edhe është qëlluar nga grabitësit, të cilët e kanë plagosur në të dyja këmbët.
Ai është nisur me urgjencë drejt Qendrës Spitalore të Traumës në Tiranë për mjekim.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po kryen veprimet hetimore, ndërkohë që ende nuk është bërë e qartë se çfarë është vjedhur. Kjo është grabitja e dytë në pak ditë në qytetin e Lezhës. Dy ditë më parë persona të maskuar kanë vjedhur 15 mln lekë të vjetra si dhe një automjet në shtëpinë e këngëtarit Zef Beka në Ishull Shëngjin, duke terrorizuar familjen e tij.
Të hënën e 8 gushtit u zbulua grabitja e bankës BKT në mes të Tiranës, për të cilën autorët kishin punuar prej 3 ditësh, duke gërmuar nga pjesa e pasme e godinës. Edhe pse jo zyrtarisht, u tha se u vodhën 21 mln lekë të vjetra, ndërsa u arrestuan fillimisht drejtori i degës dhe shefi i sigurisë. Dje drejtori i bankës u la në detyrim paraqitje, ndërsa shefi i sigurisë në arrest me burg.
Po të hënën një pikë e Wester Union u grabit në Fushë-Krujë si dhe një pikë e tregtimit të gazit në Fushë-Prezë.
Maskat nuk kanë kursyer as banesën e një këngëtari në Lezhë. Banesa e Zef Bekës u grabit të martën në Ishull Shëngjin dhe autorët pasi kërcënuan familjen, u larguan me 15 mln lekë dhe një “Golf 5”. Duke mos numëruar vjedhjet e pafundme, sidomos në zonat turistike.
Për të gjitha këto ngjarje nuk ka autorë të arrestuar, por policia çuditërisht reklamon punën e saj dhe thotë se nuk ka asnjë tërheqje përballë krimit. Po qytetarët çfarë thonë? A ndihen më të sigurt?
(Boldnews)