Pesë urdhër arreste janë firmosur mbrëmjen e sotme më lidhje me grabitjen e ndodhur mesditën e 30 qershorit në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”. Mësohet se 5 urdhërarrestet janë firmosur për funksionarë të lartë dhe punonjës të aeroportit, sikurse edhe për punonjës të firmës së kontraktuar të sigurisë, “ICTS”.
Personat e dyshuar për shpërdorim detyre, e ndoshta edhe si bashkëpunëtorë të 3 personave, autorë të grabitjes më spektakolare të ndodhur ndonjëherë, për të cilën është vënë në pikëpyetje edhe siguria kombëtare, mendohet të jenë arrestuar tashmë, pasi rezultonin të shoqëruar nga forcat blu për llogari të hetimeve.
“Prokuroria e Krujës ka urdhëruar ndalimin e disa drejtuesve dhe punonjësve të kompanisë private të sigurisë së aeroportit të Rinasit, në vijim të hetimeve të nisura për vjedhjen e një sasie të konsiderueshme parash në pistën e fluturimeve, ngjarje e ndodhur të Enjten, në datë 30.06.2016. Prokuroria e Krujës ka nisur menjëherë hetimet mbi ngjarjen dhe në bazë të veprimeve të deritanishme se, drejtues dhe punonjës të kompanisë së sigurimit “ICTS” dyshohet se kanë shpërdorur detyrën, duke krijuar mundësinë që tre persona të armatosur të realizojnë vjedhjen e parave në mjetin që transportonte vlerat monetare në drejtim të bordit të një avioni. Prokuroria e Krujës ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se personat e ndaluar nuk kanë marrë masat e nevojshme për të siguruar qarkullimin e vlerave monetare në ambjentet e brendshme të aeroportit të Rinasit”, sqaron Prokuroria.
Deri në këtë fazë të hetimit, Prokuroria e Krujës, e cila po heton mbi veprimet e personelit të sigurimit, dyshon se kanë shpërdoruar detyrën dhe ka nxjerrë urdhër ndalimi për shtetasit, si më poshtë:
1. Arben Karafili, Drejtor Operacional i kompanisë “ICTS”
2. Bledar Blloshi, agjent i kompanisë “ICTS” (patrullë)
3. Fadil Jonuzaj, agjent i kompanisë “ICTS” (patrullë)
4. Kujtim Picari, shoqërues i vlerave monetare i një banke të nivelit të dytë
5. Vangjel Nikolla, kryetar i Degës Teknike të Aeroportit.